Nga Erl Kodra
“Gazetaria pa një pozicion moral është e pamundur. Çdo gazetar është një moralist. Kjo është absolutisht e pashmangshme. Një gazetar është dikush që shikon botën dhe mënyrën e funksionimit të saj, është dikush që përfaqëson dhe tregon ngjarjen për të tjerët. Gazetari nuk mund të bëjë punën e tij pa gjykuar atë që sheh*).
Marguerite Duras
Për të ilustruar tekstin e mëposhtëm, do të krijojë një situatë hipotetike me media dhe gazetarë plotësisht të pavarur. Fabula është e thjeshtë, madje me subjekt të marrë nga një ngjarje reale. Personazhe janë Babalja, Ervin Salianji, Jetmir Olldashi, Geron dhe Fatmir Xhafa, Edi Rama, Fredi Alizoti dhe Ardi Veliu. Në të vertetë personazhet e kësaj historie janë kaq të shumtë, sa fare mirë mund të shkruhet një komdedi e zezë. Tani që e mendoj, me siguri që do të ishte një punë me levedi.
Që të mos bie në përsëritje, historia e Babales në variantin tim ndjek të njëjtën trajektore me historinë e vërtetë, por me një ndryshim të vogël; të gjitha mediat vihen në kërkim të së vertetës, por mbi të gjitha, të gjithë gazetarët dhe opinionistët mbajnë qëndrime të forta parimore, të pandikuar nga Kryeministri, Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Policisë së Shtetit.
Tek Blend Fevziu parakalojnë me rradhë Lorenc Vangjeli, Alfred Peza, Artan Hoxha, Mustafa Nano. Populli informohet plotësisht se vëllai i Ministrit të Brendshëm është një ndër trafikantët kryesor të hashashit në Vlorë. Mbarë opinioni vihet në dijeni se Kryeministri Edi Rama mashtron kur thot se “për përgjimin kam marrë përgjigjen e ekspertizës nga një labarator prestigjioz ndërkombëtar”. Morali i lartë i Lenc Vangjelit nuk lejon që opinioni publik të mos informohet saktë, se me porosi Edi Ramës dhe të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu është ngarkuar me misionin e vështirë të fabrikimit të një dëshmitari të rremë, me qëllim që të përgenjeshtrojnë Babalen, gazetarin Jetmir Olldashi dhe deputetin Ervin Salianji. Opinoni publik zien nga qëndrimi dinjitoz i gazetarit Mustafa Nano, Mero Baze, Mentor Nazarko, Carlo Bollino, Anila Basha, Sokol Balla, Eni Vasili, Arthur Zheji dhe Blend Fevziu. Gazeta Panorama, Gazeta Shqip, Tema, Dita; televizionet Top Channel, Klan, News 24 gjëmojnë nga zërat e të vertetës, sidomos kur Fredi Alizoti “pranon” se ka bërë aktorin e audiopërgjimit.
Gjithkush dhe çdo gjë që citova më sipër, ditën që ish deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi shpallen fajtorë nga Gjykata e Tiranës, ndërpresin transmetimet në shenjë proteste, madje ftojnë popullin e Tiranës në protesta masive.
Në variantin tim Edi Rama rrëzohet për 24 orë. Por ky është varianti im i komedisë, jo varianti që u vu në skenë nga mediat dhe gazetarët e Tiranës.
II
Historia e mësipërme është konsumuar para syve të gjithë qytetarëve shqiptarë. Për fat të keq, kjo nuk është vetëm një histori e shëmtuar, por është historia ideale për të ilustruar gazetarët tanë “të shquar” që qëndrojnë në pikat kyçe të komunikimit publik. Me fjalë të tjera, ata janë kthyer në një lloj të veçantë pastruesish që fshehin, maskojnë dhe zhdukin provat e krimit. Këtë punë e kryejnë kundrejt pagesave dhe favoreve nga më të çuditshmet. Ka disa syresh që janë kthyer në legjenda urbane. Besoj nuk ka nevojë për emra; të gjithë njihen prej fytyre.
Në të vertetë historia e Babales nuk është nga ato ngjarje që mund të intepretohet në mënyra të ndryshme, sepse aty nuk ka se çfarë të intepretohet, përveç nëse ka ndodhur apo nuk ka ndodhur krimi, domethënë, a është apo nuk është zëri i Geron Xhafës në përgjimin e publikuar nga Ervin Salianji. Faktet mbeten fakte, pavarësisht nëse ato injorohen apo jo. Për këtë arsye, së pari Edi Rama jep “variantin e së vertetës”, pastaj i gjithë shteti që drejton organizatën kriminale vihet në lëvizje; për të shkruar skenarin, për të gjetur regjizorin, aktorët dhe pastruesit e skenës së krimit. Darkave, në programet e mbrëmjes shfaqja hapë siparin.
Çdo njeriu mund t’i ketë ndodhur të gjendet para një akti paturpësie, por nuk besoj se është gjendur ndonjëherë para një perversiteti të tillë shtetëror dhe mediatik. Pastruesit e kësaj kuplaraje shtetërore “punonin” me ndërgjegje të patrazuar nga morali, pavarësisht se e dinin mirë se po gënjejnë si derrat. Ushtria e mercenarëve, zyrtarë shteti dhe pastruesë mediatik, e fiton betejën. Për mua, pas kësaj historie gjithçka ka marrë fund.
Morali vdiq, Rroftë Morali!
Marguerite Donnadieu (4 Prill 1914 – 3 Mars 1996), e njohur si Marguerite Duras është romanciere, dramaturge, skenariste, eseiste dhe kineaste franceze.