Nga Erl Kodra
Një projekt për të shpjeguar Edi Ramën
-dy fjalë-
Që në krye, më duhet të them se ky tekst është një analizë e pavarur dhe e pandikuar nga asnjë forcë politike ose interes privat. Pavarësisht konceguencave personale, unë nuk kam ndërmend të bëj asnjë kompromis për mendimet e mia. Atë ditë që nuk do të shkruaj, me siguri do të ndodhë nga arsye madhore, siç mund të jetë sëmundja ose vdekja. Faleminderit!
I
Nëse përpiqesh të kuptosh rrugëtimin politik të Edi Ramës përgjatë 22 viteve, në të vertetë kjo nuk mund të bëhet nga premisa politike. Analiza duhet të zhvendoset në një rrafsh tjetër; në mënyrën se si ai ka funksionuar si individ në një mjedis të ngarkuar me krim dhe korrupsion. Shoqëritë e shthurura nuk qeverisen lehtë, për më tepër ku ekzistojnë kontigjente të gatshme kriminale dhe të etura për të vënë pasuri. Shqipëria e viteve 90 kishte një ushtri me Oficerë të Sigurimit të Shtetit, por edhe ish-punonjës të strukturave shtetërore të Partisë së Punës, të gatshëm dhe të etur për pasurim të shpejtë. Struktura ekonomike e vendit po ndryshonte me shpejtësi, bashkë me klasën e re ekonomike që po krijohej, kryesisht nëpërmjet krimit dhe korrupsionit. Boshllëku ligjor në të cilin gjendej ekonomia shqiptare ishte i frikshëm, ndërkohë që ligjet e reja të tregut po zinin vend me vështirësi në jetën ekonomike të vendit.
Deri në vitin 1998, Edi Rama nuk ishte marrë me politikë aktive, por ishte i njohur si një personazh atipik, njëlloj artisti ekstravagant i angazhuar në mediat e kohës, që kishte emigruar në Francë; ku bënte një jetë boheme mes pikturës, gazetarisë dhe plazheve nudiste. Në vitin 1998 me ftesë të Kryeministrit Fatos Nano ai kthehet në Tiranë, ku emërohet Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Që prej asaj dite, pushteti dhe pasuria e Edi Ramës ka patur dy trajektore tipike; të cilat do përpiqemi t’i shpjegojmë më poshtë.
Në vitet e para pushteti politik i Edi Ramës rritej në propocion të drejtë me pushtetin ekonomik, ndërsa në 7 vitet e fundit pushteti i tij jo vetëm është rritur, por edhe është zgjeruar, duke uzurpuar pothuaj të gjitha pushtetet; të ekzekutivit, legjislativit dhe të gjitha institucioneve të tjera të pavarura dhe kushtetuese të Shtetit Shqiptar. Për të kuptuar mënyrën se si ka funksionuar ky pushtet, se si është rritur dhe zgjeruar në kohë dhe hapësirë, në të vertetë duhet kuptuar rrethanat dhe mënyrën se si është ndërtuar Tirana e sotme, ku në 90 % e saj është produkt i vullnetit unik të Edi Ramës.
Prandaj është e nevojshme të shohim se çka ka ndërtuar Edi Rama bashkë me përbindëshat e betonit, në qytetin më të pajetueshëm në Europë.
II
“Building Civilizations” ishte një lojë kompjuterike të cilën e kam luajtur edhe unë në vitet 2000. Thelbi i lojës ishte se ti duhej të ndërtoje një qytet, duke patur parasysh të gjithë parametrat ekonomik dhe social të shoqërisë “virtuale” në qytetin tënd. Buxheti ulej dhe ngrihej sipas aftësisë tënde për të ndërtuar qytetin e duhur, domethënë, ti duhej të zgjidhje investimet e duhura, të ndërtoje rrugë, shkolla, fabrika, spitale, lagje të reja, ura, konstruksione dhe vepra të inxhienerisë së lartë, Kinema dhe Teatër, Biblioteka dhe Stadiume. Nëse nuk arrije të planifikoje siç duhet, qyteti yt zhdukej nga ekrani në një kolaps apokaliptik.
Ironikisht, koha kur unë kam luajtur këtë lojë përkon me zgjedhjen e Edi Ramës si Kryebashkiak. Që prej asaj dite, Tirana njohu një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, që për fat të keq, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të gllabrojnë jetën e një shoqërie në zhvillim.
“Organizimi i hapësirës urbane është një punë komplekse me disa modele, duke përfshirë përdorimin e diferencuar të tokës, shpërndarjen e popullsisë, karakteristikat sociale dhe ekonomike të familjeve, të ardhurat dhe ndarjen shoqërore, përpjestimet e punësimit, ndryshimin e dendësisë së ndërtesave dhe ngritjen e nënqendrave si forma policentrike urbane”. (S. Wong, International Encyclopedia of the Social & Behavioral Sciences, 2001)
Tirana e sotme është një skenë e stërmadhe krimi urbanistik, në të vertetë një ndër krimet më të mëdha që mund të kenë ndodhur ndonjëherë në ndonjë qytet të planetit në kohë paqeje. Që prej vitit 2000 e deri më sot, në Tiranë është shembur dhe ndërtuar ekzaktësisht gjithçka ka dëshiruar Edi Rama, duke shkelur në mënyrë brutale ligjet e urbanistikës dhe procedurat legale që rregullojnë ndërtimet në qytetet në zhvillim.
Shqipëria e viteve 2000 po përjetonte ngritjen më të madhe ekonomike pas trazirave të vitit 1997. Flukse të jashtëzakonshme financiare po vërshonin nga disa burime njëkohësisht; brenda dhe jashtë vendit. Qarkullimi i parasë kriminale niste me trafikun e qenieve njerëzore, kryesisht me skafe drejt Italisë, trafikun e drogës, kontrabandën e pazakontë të mallrave dhe korrupsionin në administratën e lartë shtetërore.
Në këto rrethana, duke parë edhe urinë e madhe të tregut të brendshëm, kryesisht për apartamente banimi dhe njësi shërbimi, ndërtimtaria u kthye në sektorin më fitimprurës. Edi Rama gjendej në vendin e duhur, prej nga kalonin të gjitha kërkesat, marrëveshjet, larja e parave dhe investimet në pasuri të paluajtshme nga Mafia Shqiptare. Firma e parë për pallatin e parë mund të jetë harruar, por që prej asaj dite e deri më sot, ky ka qenë mjeti i kryesorë i politikës dhe pushtetit të tij.
Edi Rama nuk kishte nevojë të luftonte për t’u futur në këtë treg gjigand, sepse ai u zgjodh zyrtarisht në krye të tij me votat e qytetarëve të Tiranës. Ai thjeshtë e menaxhoi atë në mënyrën më të jashtëzakonshme, duke ngritur në sistem 20 përqindëshin e famshëm për çdo leje të firmosur prej tij. Më vonë, ai filloi t’i menaxhojë edhe flukset e lira të parave që rridhinin lumë nga trafiqet e drogave dhe qenieve njerëzore. Kriminelë të njohur ndërkombëtarisht, si vrasës dhe trafikantë, papritur konvertoheshin në ndërtues pallatesh në zemër të Kryeqytetit shqiptar.
Ky aktivitet i përmasave të mëdha kërkonte edhe një koperturë propagandistike të nivelit të lartë. Për këtë qëllim, që në fillimet e pushtetit të tij ai u kujdes edhe për propagandën, duke bashkuar ndërtimtarinë me shtëpitë mediatike. Kjo është arsyeja e vetme pse edhe sot e kësaj dite, ndërtuesit më të mëdhenjë zotërojnë edhe mediat më të mëdha në vend. Si askush tjetër në Ballkan, Europë, madje edhe botë nuk ka mundur të bashkojë si ai, Median, Ndërtimtarinë dhe Mafian.
Në krye qëndron ai, si një Zot.
III
Pas fitores së vitit 2013, Edi Rama kaloi në një stad tjetër pushteti; prej ku mund të drejtonte gjithë Shqipërinë, jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht. Ai mund të prekte ligje, të kryente reforma, të projektonte politika, por mbi të gjitha, ai mund të jetësonte planet e tij. Në të vertetë, ai nuk kishte kurrfarë planesh ekonomike ose politike; por thjeshtë plane se si do të pushtonte të gjithë Shqipërinë institucionalisht dhe ekonomikisht.
Për Edi Ramën, Shqipëria ishte një vend që duhet pushtuar. Për këtë objektiv, atij i nevojiteshin njerëz të paskrupullt, mafiozë, kriminelë dhe përdhunues të njohur si të pamëshirë. Të tillë, Shqipëria i kishte me shumicë, megjithatë duhej gjetur fabula e duhur; Rilindja. Si e tillë, ajo do të servirej si shpëtimtarja e vendit, si një gjetje gjeniale. Në të vertetë, plani ishte ndërtuar me kohë përgjatë “opozitës” si Kryebashkiak. Burimet njerëzore dhe financiare për Projektin Rilindja qenë të bollshme; të mjaftueshme për të bërë spektakël me fitoren e vitit 2013.
Kombinimi ishte perfekt; ndërtues dhe biznesmen të korruptuar, trafikantë dhe mafiozë, madje edhe vrasës tashmë ishin njerëzit “politikë” të Edi Ramës. Sa për sy të keq i shërbente Pandi Majko, Musa Ulqini dhe ndonjë kokërr. Praktikisht, fitorja e vitit 2013 shënon fundit e Partisë Socialiste dhe fillimin e pushtimit të Shqipërisë nga Edi Rama.
IV
Pjesa tjetër është një histori që ju e dini. (VIJON)