Që edhe listat e hapura të kenë kuptim!

Nga Ilir Kalemaj

Është interesant se si i ndërtojnë komunikimet politike përreth bindjeve ideologjike në debatet publike në SHBA. Për shembull, mbështetësit e abortit e quajnë veten “pro zgjedhjes”, pra si dashnorë të paepur të autonomisë vetjake dhe lirisë individuale.

Ndërsa kundërshtarët e tyre konservatorë, ku përfshihen evangjelikë, katolikë por dhe grupe të tjera me peshë elektorale dhe jo vetëm e quajnë veten “pro-jetë”, duke i’u referuar abortit si një akt kriminal që vret krijesa të pafajshme dhe të pambrojtura pavarësisht kohës të zhvillimit të fetusit, pra më pak se tre muaj, apo deri në 6 muaj. Në të dy rastet, sic mund të vet-kuptohet, pasionet janë të forta nga të dy grupet, lobimet janë të shumta, korporatat si Planned Parenthood që kanë rrjetin më të madh të klinikave të abortit janë në syrin e ciklonit etj.

E njëjta gjë për debatit pro apo kundër të drejtave të armëve. Për mbështetësit e tyre, që bazohen te amendamenti i dytë kushtetues për mbajtjen e armëve, kjo është një e drejtë natyrore, gati-gati e barabartë me të drejtën e jetës, të fjalës së lirë apo të pronës. Ata e quajnë veten pro të drejtës për të mbajtur armë. Natyrisht për vet-mbrojtje. Këta janë në pjesën dërrmmuese të tyre të identifikuar si konservatorë. Kundërshtarët e tyre të paepur janë për kontrollin e armëve.

Ata e justifikojnë qëndrimin e tyre me arsyen se amendamenti i dytë flet shprehimisht për të drejtën e milicive lokale që mbronte sigurinë e shteteve në një kohë ku raportet me pushtetin federal nuk ishin të kristalizuara. Së dyti, ata janë në mënyrë të prerë kundër armëve automatike apo gjysëm-automatike që përdoren kryesisht si armë sulmi. Gjithashtu ata i referehen vrasjeve në masë që kaën ndodhur jo rrallëherë në SHBA dekadat e fundit, shpesh në mabjente shkollash apo universitetesh.

Ky debat shtrihet më tej në fusha të tilla si eutanazia ose e thënë ndryshe vullneti i dikujt me sëmundje terminale për vetvrasje të asistuar, për debatin mbi etikën e përdorimit të qelizave staminale që kanë potencial të kurojnë sëmundje të tilla si Parkinsoni apo kancer të llojeve të ndryshme por që nga ana tjetër prodhojnë një dilemë të madhe etike dhe morale se cojnë paevitueshmërisht drejt klonimit. I njëjti debat shtrihet mbi të mirat dhe të këqijat e legalizimit të marijuanës, ku faktorët mjekësorë shpesh ballafaqohen me ato socialë, ekonomikë dhe kulturorë por që kanë gjithsesi një rezultante të fortë politike brenda.

LEXO EDHE  Po të ishe në vend të Edi Ramës kë do zgjidhje Greqinë apo Turqinë? Ja si përgjigjet Berisha

Të gjitha këto debate mvishen me një gjuhë politikisht korrekte në sensin që jo vetëm janë mëse të pranueshme si pozicione në debatin publik, por edhe mjaft tërheqëse në mënyrën e komunikimit publik.

I cili synon të përforcojë qëndrimet dhe për rrjedhojë dhe ndarjen ideologjike, bazuar në ndryshimet kulturore, në handikapet ekonomike apo në statusin e ndryshëm social. Që reflekton dhe interesa të ndryshme të grupeve shoqërorë. Që patjetër kanë një qëndrim politik. Aq më tepër në SHBA ku votuesit janë të rregjistruar paraprakisht si republikanë, demokratë, ose edhe të pavarur.

Do ishte mirë që dhe në Shqipëri të kishim debate interesante në lidhje me qëndrime të caktuara publike që natyrisht reflektojnë traditën vendase dhe kontekstin socio-ekonomik dhe kulturor të vendit tonë.

Por të kishim politikanë që dinin të artikulonin dhe mbronin publikisht qëndrime të caktuara dhe vlerësoheshin nga elektorati bazuar në fibrën e tyre politike, në zotësinë e artikulimit publik, në forcën e retorikës por edhe peshën e akteve politike, në njohjen e legjislacionit por edhe aftësitë e spikatura në fushën e menaxhimit të politikave publike.

Në mënyrë që të ngrihemi nga bataku i parapolitikës, të çlirohemi nga gaztorët-deputetë, nga mafia me kollare apo analfabetësh funksionalë me kostume politikanësh. Që edhe listat e hapura të kenë kuptim.