Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi se ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, kishte shkelur tre nga pesë pikat që sillnin shkarkim të magjistratit nga detyra. Në vendimin e zbardhur të KPA thuhet se Cani u gjet me deklarim të pamjafueshëm në kriterin e deklarimit të pasurive, i papërshtatshëm profesionalisht dhe se kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.
Kolegji rrëzoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e kishte konfirmuar Canin në detyrë, duke argumentuar se një sërë pasaktësish në deklarimet e pasurive nuk ishin shkarkuese në vetvete, por ishin shkarkuese nëse shikoheshin në terësi.
Po ashtu, sipas vendimit të KPA-së, një kontratë e Canit me kompaninë Kastrati ishte “atipike” dhe se një marrëdhënie e tillë “e ka bërë atë një subjekt që mund të ndikohet për shkak të nevojës së tij për garantimin e përfitimeve materiale nga kjo kontratë”.
Kolegji cilësoi shkarkuese një përpjekje për të marrë shtëpi si i pastrehë nga Bashkia Fier dhe dy vendime mosfillimi hetimesh, që pasi ishin kthyer pas nga gjykata, ishin pasuar me ndjekje penale.
Cani dhe avokati i tij mbrojtës, Eduard Halimi kundërshtuan ankimin e Komisionerit Publik dhe vetë trupën gjykuese, por qëndrimet e tyre u rrëzuan. Një kallëzim i Canit ndaj anëtarit të KPA, Luan Daci për falsifikim dokumentesh u bë shkak për pezullim të përkohshëm të këtij të fundit nga Gjykata e Posaçme. Vendimi u rrëzua në Apel, por ndaj tij është bërë tashmë rekurs nga prokuroria.
Besnik Cani e kaloi fazën e parë të vetingut më 27 nëntor 2018, ndonëse 4 çështje që lidheshin me etikën dhe profesionalizmin u dërguan për inspektim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi ankimin e vendimit përmes një rekomandimi të firmosur prej tre anëtarëve të tij, ndërsa Komisioneri Publik kërkoi në Kolegj shkarkimin e tij.
Në Kolegj çështja ndaj Canit u gjykua nga trupa e drejtuar nga Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdarin dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci dhe Sokol Çomo.
KPA kritikon transferimet e KPK
Kolegji rrëzoi pretendimet e Canit se katër çështje që ishin trasferuar nga KPK pranë organit kompetet për hetim disiplinor nuk mund të shqyrtoheshin në Apel dhe nuk mund të ishin shkak ankimi.
Cani i referohej në këtë pikë vendimit të Komisionit, që ndalon ankimin ndaj rasteve që trasferohen për hetim disiplinor, por KPA shprehet se kjo i referohej vetëm palëve në proces dhe jo Komisionerit Publik. “Kolegji arsyeton se kjo dispozitë nuk i shtrin efektet e saj edhe ndaj së drejtës kushtetuese të ushtrimit të ankimit nga Komisioneri Publik,” thuhet në vendim.
Aty sqarohet se specifikisht ankimi ndaj trasferimit për hetim disiplinor i ndalohej vetëm subjektit, pasi këtij të fundit i jepet e drejta të mbrohet dhe të kundërshtojë masën disiplinore, nëse një e tillë rezulton nga organi që kryen hetimin.
“Ky ndalim është proporcional dhe në balancë me të drejtat e subjektit, për sa kohë me transferimin e çështjes për shqyrtim organit kushtetues që gëzon juridiksionin disiplinor, subjekti i rivlerësimit do t’i nënshtrohet një tjetër procedure inspektimi disiplinor dhe vlerësimi eventual pranë organit kushtetues,” thuhet në vendim.
Nisur nga ky rast, Kolegji këshillon në vendim Komisionin e Pavarur të Kualifikimit që të ngushtojë rrethin e çështjeve që ua përcjell organeve të tjera dhe të marrë vendim shkarkimi, atëherë kur shkeljet profesionale apo çështjet e etikës janë të përsëritura.
“Si rrjedhojë e kësaj logjike, praktikat të cilat transferohen për inspektim në organet kompetente, në parim duhet të përmbajnë shkelje joserioze, pa pasoja të rënda procedurale për palët”, thuhet në vendim.
Në rastin e Canit bëhej fjalë për katër çështje, që përfshinin hetimin e kredive të buta të Bashkisë Fier në kohën kur bashkëshortja e tij kishte aplikuar për një kredi të butë dhe Cani drejtonte Prokurorinë e Fierit, marrëdhënien kontraktuale me kompaninë Kastrati dhe dy vendime mosfillimi hetimesh.
KPA arsyetoi se katër çështjet të çonin në përfundimin se Cani ishte i papërshtatshëm në kriterin e aftësive profesionale. Kjo është hera e parë që Kolegji shprehet për trasferimin e çështjeve prej KPK nga juridiksioni i rivlerësimit në organet për marrje të masave disiplinore, duke i kërkuar KPK-së që ta përdorë këtë mundësi vetëm kur shkeljet nuk janë serioze.
Praktika është cilësuar nga ekspertë dhe njohës të procesit si cënim i besimit te vetingu dhe si shmangie e KPK-së nga përgjegjësitë.
Kontrata “atipike”
Kolegji i Posaçëm i Apelimit gjeti të drejtë ankimin e Komisionerit Publik kundër vendimit të KPK-së për disa prej problemeve të identifikuara në kriterin e pasurisë së ish-prokurorit Besnik Cani.
KPA arsyetoi se deklarimi për burimin e pasurisë për një apartament 104 metra katrorë ishte i pamjaftueshëm, kryesisht sa i përket huave dhe disa shumave që rezultuan se ishin në dispozicion të tij më vonë se sa koha e nënshkrimit të kontratës.
Kolegji tha se disa deklarata noteriale të marra gjatë procesit të rivlerësimit nuk provonin të kundërtën e barrës së provës dhe ishin vetëm deklarative. Gjithashtu, KPA gjeti të provuar pretendimin e Komisionerit Publik se nga analiza financiare për vitin 2006 Canit rezultonte me bilanc negativ prej 127.000 lekësh.
Duke mbajtur parasysh shumën e vogël, Kolegji arsyetoi se ajo ishte shkarkuese nëse shikohej në konsideratë me shkelje të tjera. Të njëjtin qëndrim Kolegji mbajti edhe për një sërë shkeljesh të tjera të kësaj natyre. Duke iu referuar arsyetimit të KPK dhe pretendimit të Canit për proporcionalitetin e këtyre shkeljeve, Kolegji tha se ai ishte i gabuar pasi i kishte vlerësuar çështjet ndarazi.
“Sipas vlerësimit të Kolegjit, nuk qëndron pretendimi i subjektit të rivlerësimit në lidhje me aplikimin e parimit të proporcionalitetit dhe të objektivitetit, pasi në tërësinë e procesit të tij të rivlerësimit, subjekti i rivlerësimit Besnik Cani ka dështuar në disa aspekte, si: kontrolli i pasurisë (ku rezulton se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm) dhe në vlerësimin tërësor të tij rezulton se ka cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”, thuhet në vendim.
Shkelje u cilësua nga Kolegji edhe mosdeklarimi i një trualli 633 metrash në periferi të Tiranës në deklaratat fillestare të pasurisë. KPA shprehet se Cani “ishte i detyruar të deklaronte parcelën ndërtimore, edhe pse nuk e dinte se çfarë qëndrimi do të mbante shteti me informalitetin”.
“Nga analiza e mësipërme lidhur me pasurinë, “truall me sipërfaqe 633,8 m²”, Kolegji arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarime të ndryshme referuar deklarimeve në deklaratën vetting dhe në ato periodike e shpjegimeve gjatë procesit të rivlerësimit, sa i përket sipërfaqes së truallit dhe banesës mbi të, duke u përpjekur kështu të paraqesë në mënyrë të pasaktë këtë pasuri,” thuhet në vendim. KPA pranoi edhe analizën financiare të Komisionerit Publik duke arsyetuar se Cani rezultonte me bilanc negativ prej 2.1 milionë lekësh për periudhën 2010-2015.
Ndërkohë ndryshe nga sa pretendoi Cani dhe sa vendosi KPK, një kontratë me kompaninë Kastrati për të ndërtuar një karburant dhe një lavazh e kafene në pronë të tij, u gjet si shkelje nga Kolegji.
KPA arsyetoi se kontrata nuk ishte kontratë qiraje. “Për Kolegjin, nga pikëpamja juridike kjo kontratë nuk ka elementët tipikë të kontratës së qirasë dhe, pavarësisht se është cilësuar nga palët si kontratë qiraje, ajo është një marrëveshje sui generis, e cila ka për shkak kryesor funksionin ekonomiko-social”, thuhet në arsyetim.
Kolegji thotë se vetë përgjigja e kompanisë Kastrati, e cila në një letër për Kolegjin e cilësonte Canin si “partner në biznes” përforconte këtë qëndrim.
“Kjo është një marrëdhënie atipike, me një shkak të përbërë ose miks, që ka elemente të kontratës së shkëmbimit, si dhe në të njëjtën kohë, mbart në vetvete edhe veçoritë e saj”, thuhet në vendim. Aty po ashtu thuhet se Cani nuk kishte provuar që marrëdhënia ishte vetëm marrëdhënie qiraje.
Kolegji gjeti si cënim të besimit të publikut te drejtësia dhe tentativën për përfituar një kredi të butë nga bashkia e Fierit, në një kohë kur Cani ishte drejtues i prokurorisë dhe kjo kishte nisur një hetim ndaj zyrtarëve që miratonin kreditë e buta në Fier.
Edhe pse Cani nuk e përfitoi banesën, ai mori nga bashkia e Fierit pas aplikimit të bashkëshortes statusin e të pastrehut, që sipas Kolegjit ishte dhënë në shkelje të ligjit. “Ka ardhur si pasojë e përfitimit të padrejtë për shkak funksioni dhe bie ndesh me përmbushjen e standardeve të etikës profesionale”, thuhet në vendim. /BIRN/