Një ngjarje e turpshme ka ndodhur sot në Kategorinë e Parë. Bëhet fjalë për një episod dhune në takimin mes Tërbunit dhe Egnatias.
“Panorama Sport” mëson se në momentin e vërshëllimit të gjyqtarit, për përfundimin e sfidës me rezultatin 1-1, janë sulmuar futbollistët dhe drejtuesit e skuadrës rrogozhinase nga një tifoz dhe një polic privat, të cilët janë shoqëruar në komisariat.
Miqtë janë ngujuar në dhomat e zhveshjes, teksa është dashur ndërhyrja e policisë së shtatit për të shmangur precipitimin e dhunës. Ndërkohë që situata ka qenë e agravuar, madje janë kërkuar edhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejt nga qyteti i Shkodrës.
Gjithashtu mësohet se ka pasur edhe përplasje mes lojtarëve dhe drejtuesve të cilët kanë shkuar drejt dhomave të zhveshjes së skuadrës mike.