Puna dhe sakrifica e bërë për të arritur një objektiv shpërblehet gjithmonë. Ky është rasti i Esat Malës, djaloshit nga Prizreni i cili në moshën 14-vjeçare u largua nga shtëpia, duke bërë një zgjedhje shumë të vështirë për një fëmijë, që do të duhej të përballonte jetesën i vetëm. Sakrificë e bërë për të vetmin objektiv që ai kishte në kokë: të bëhej futbollist dhe një ditë të vishte fanellën e ekipeve kombëtare shqiptare.
Objektivi i fillimit tashmë është arritur, shumë të tjerë janë përpara për të futbollistin e talentuar të Partizanit dhe Kombëtares U-21. Në intervistën për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Mala rrëfen ëndrrat e tij dhe rrugëtimin e bukur të futbollit.
– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?
– Që në moshë shumë të vogël kam ndjekur shumë futboll me vëllain dhe babain. Më duhet të pranoj se përjetoja emocione shumë të forta kur shikoja ndeshjet, dhe nga ato emocione më pas filloi dhe pasioni im për futbollin, duke vemdosur të provoj veten time dhe të stërvitem me një skuadër.
– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
– Ka qënë vëllai im. Ai është 5 vite më i madh se unë dhe gjithmonë që në moshën më të hershme më ka marrë të luajë me shokët e tij dhe më ka afruar shumë me futbollin. Siç e theksova edhe më lart, më pas ka qënë babai ai që ka shtyrë të ndjek futbollin profesionist. Babai dhe e gjithë familja më ndihmojnë vazhdimisht në punën time, duke më inkurajuar dhe qëndruar pranë çdo moment, kjo ka ndodhur që nga fillimet e deri më tani.
– Si stërvitesh, si punon?
– Të gjithë trajnerët dhe njerëzit që kam pasur afër që në moshë të vogël më kanë shtyrë që të ul kokën dhe të punoj fort. Stërvitjen individuale, palestrën, e alternoj në mënyrën më të mirë me orarin e stërvitjes që zhvilloj me skuadrën. Kam qenë gjithmonë i përulur dhe kam punuar shumë.
– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?
– Sakrifica më e madhe që kam bërë, mund ta them me bindje të plotë, është qëndrimi larg familjes vetëm që nga mosha 14-vjeçare kur kam ardhur në Tiranë dhe jam regjistruar te Shkëndija e Tiranës.
Çfarë synimi ke për të ardhmen?
– Synimet e mia për të ardhmen janë të fiksuara fort në mendjen time. Dua që të arrij të luaj në një nga kampionatet më të forta në Europë dhe të arrij të jem pjesë e Kombëtares A të Shqipërisë dhe ta përfaqësoj denjësisht atë fanellë.