Nga Ilir Kalemaj
Gjithnjë e më tepër po flitet për rritjen e demokracisë iliberale ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet dhe Shqipëria. Ka disa kuptueshmëri të këtij termi por ato që njihen më rëndom janë se ky term i referohet “një sistemi qeverisës në të cilin megjithëse zhvillohen zgjedhjet, qytetarët janë të kufizuar nga njohuritë në lidhje me aktivitetet e atyre që ushtrojnë fuqi reale për shkak të mungesës së lirive civile” ose një tjetër që i referohet kufizimeve të imponuara nga politikat që janë miratuar (ose propozuar) nga partitë politike në qeveri me qëllim të qëndrimit në pushtet pafundësisht duke mbajtur zgjedhje konkurruese.
Ky term që studjues të ndryshëm i janë referuar dhe me terma të ngjashëm, si “autoritarizëm elektoral” (Schedler 2013), “autoritarizëm konkurrues” (Levitsky and Way 2010) apo “demokraci me cen” (Merkel 2004) në fakt tregon se si duke përdorur teknika të ndryshme elektorale, autokratët e kësaj qosheje të Europës Juglindore kanë mundur të rezistojnë për dekada të tëra në pushtet. Manifestime të kësaj janë qëndrimi për mbi dy dekada në pushtet i Gjukanoviqit në Mal të Zi, i Vuçiqit në Serbi, Gruevski që qëndroi mbi një dekadë në pushtet në Maqedoninë e Veriut, Edi Rama në Shqipëri që në total i bëhen rreth 22 vjet në pushtet (lokal dhe qëndror) etj.
Shembuj empirikë të politikës iliberale që synojnë përbërësin elektoral të demokracisë, të identifikuar në vendet e Evropës Juglindore, përfshijnë ndër të tjera: kufizime ligjore ose fizike, të miratuara në pjesë të popullatës, të cilat kufizojnë të drejtën e tyre për të votuar ose për të kandiduar për detyra; ndryshime në rregullat elektorale në mënyrë që ata favorizojnë detyra; pengimi i regjistrimit të votuesve dhe shkelja e listave zgjedhore; zonat elektorale të rregulluara në mënyrë të tillë që prodhojnë një rezultat elektoral që qartazi favorizon njërën palë; kontrolli i partive politike i komisioneve zgjedhore; frikësimi dhe kufizimi i partive opozitare dhe kandidatëve të pavarur, qoftë ligjërisht, financiarisht ose fizikisht, dhe mbajtja e tyre nga votimi; ligje ose rregullore që penalizojnë kritikën e qeverisë publike ose diskutojnë tema të caktuara; ndalimet ose kufizimet e asamblesë dhe shoqatave publike dhe kufizime të tjera për lirinë e shprehjes; politikat dhe veprimet që synojnë pavarësinë editoriale, financiare dhe të personelit të mediave dhe gazetarëve dhe që censurojnë median ose çojnë në vetë-censurim; përdorimi i fondeve qeveritare për qëllime partizane dhe fushata; dhe preferencat e alokimit buxhetor që përputhen ngushtë me qëllimet partizane dhe strukturat e partisë, sic ka argumentuar së fundmi Damir Kapidzic në një artikull shkencor që analizon vendet e rajonit.
Ndërsa këto janë vënë re nga matjet sasiore dhe cilësore në terren në vende si Serbia, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja-Herzegovina apo Mali i Zi, në rastin e Shqipërisë e cila bashkë-ndan shumëçka u nënvizua më sipër, mund të shtojmë dhe përdorimin masiv të administratës së papolitizuar publike, forma të shitblerjes së hapur të votave apo infiltrim të paarave të pista dhe të trafiqeve për tjetërsim të rezutltatit të votimit. Apo edhe forma të votimit familjar e të tjera dukuri deformuese.
Mungesa e gjykatave kushtetuese dhe të lartë, mungesa ose mangësia e institucioneve të tjera të rëndësishme ligjzbatuese, mungesa e pavarësisë reale të institucioneve të pavarura, atrofia e një pjese të madhe të së ashtuquajturës shoqëri civile dhe fragmentarizimi mediatik, krijojnë gjithashtu kushtet për shpërpjestimin iliberal të demokracisë shqiptare ende në pelena.
Pa pushtet të tretë dhe pushtet të katërt të dobët, pushteti ekzekutiv kalëron omnipotent mbi një legjislativ sa formal aq edhe fiktiv dhe jo vetëm që nuk mund të flasim për kontroll dhe balancë pushtetesh por as për një ndarje formale mes tyre. Aq më pak që jemi në kushtet kur pushteti qëndror dhe lokal janë njëngjyrësh. Në këto kushte, të bërit gjasme sikur garohet është garancia e vetme se gara do jetë e paracaktuar të prodhojnë një rezultat të caktuar. Pa qenë nevoja të bëjmë Kasandrën.