Komisioni Evropian vendosi që të mos hapë kufijtë me katër vende të Ballkanit Perëndimor, ndonëse rekomandimet e mëparshme ishin pozitive. Serbia dhe Mali i Zi përfitojnë.
Nga Marina Martinovic, Bahri Cani/ Deutsche Welle
Serbia dhe Mali i Zi janë dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor me të cilat Bashkimi Evropian ka rekomanduar hapjen e kufijve të jashtëm me 1 korrik. Në Bruksel është hartuar një listë prej 15 vendesh, e bazuar mbi të dhënat e dy javëve të fundit, ku thuhet se gjendja epidemiologjike me COVID-19 në këto vende është “e ngjashme” apo dhe më e mirë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian. Gjendja do të rishikohet çdo dy javë. Përveç Serbisë dhe Malit të Zi, në listën e vendeve me të cilat rekomandohet hapja e kufijve janë edhe Algjeria, Australia, Kanadaja, Gjeorgjia, Japonia, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Koreja e Jugut, Tajlanda, Tunezia, Uruguaji dhe Kina. Në këtë listë nuk janë pra Shqipëria, Kosova, SHBA, Turqia, Rusia…
”Për t’u futur në këtë listë është e nevojshme që numri i të infektuarve në 100.000 banorë, në 14 ditët e fundit, të jetë i njëjtë apo i ngjashëm me mesataren e BE. Njëkohësisht edhe lëvizjet e numrave të të infektuarve gjatë dy javëve të fundit duhet të jenë stabile ose në rënie. Ndërkohë që të dhënat duhet të jenë të sakta dhe të qëndrueshme”, thuhet në shpjegimin e Këshillit të BE.
Në kumtesë thuhet se këto janë rekomandimet e Këshillit të BE, “e jo obligime ligjore” dhe se vendet anëtare janë ato të cilat i zbatojnë apo jo këto rekomandime. Kjo do të thotë se vendet anëtare mund t’i zbatojnë këto rekomandime, por nuk janë të obliguara që të hapin kufijtë me vendet që janë në listë. Por kufijtë nuk mund të hapë asnjë vend anëtar i BE me vendet e treta, që nuk janë në këtë listë, pa një marrëveshje paraprame me vendet tjera të BE. Kështu Çekia menjëherë pas publikimit të listës ka bërë të ditur se do të hapë kufijtë vetëm me tetë vende nga kjo listë, përfshirë këtu edhe Serbinë dhe Malin e Zi.
Ndryshimi i listave
Lista do të rishikohet pas dy javësh dhe sipas të gjitha gjasave që tani dihet se gjendja do të komplikohet, pasi që ndërkohë në Bruksel kanë mbërritur edhe të dhënat e ditëve të fundit. Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton për rritjen e numri të të infektuarve me COVID-19 në pjesën e dytë të qershorit në të paktën 11 vende të Evropës.
OBSH ka bërë të ditur se në pjesën e dytë të qershorit gjendja është përkeqësuar në veçanti në Suedi, por edhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pra edhe në Shqipëri e Kosovë, me përjashtim të Serbisë dhe Malit të Zi.
Thuhet se në Maqedoninë e Veriut është shtuar numri i të infektuarve gjatë qershorit në mbi 100 persona në ditë, e shpesh kjo shifër ka mbërritur edhe në 200 raste. Autoritetet theksojnë se numri i të infektuarve ka filluar të rritet në momentin kur janë hequr kufizimet dhe se banorët i kanë injoruar rekomandimet e autoriteteve për kujdes, ruajtjen e distancës dhe ikjen e tubimeve.
Për shkak të mosrespektimit të distancës dhe masave të parashikuara, numri i infektimeve është rritur edhe në Shqipëri. Ndërkohë që masat nuk janë respektuar as në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, ku po ashtu është shënuar rritje e numrit të infektimeve, thuhet në shpjegimet e OBSH.
Të gjitha këto vende të Ballkanit Perëndimor kanë qenë në listën e vendeve me zhvillime pozitive në pjesën e parë të qershorit. Ndaj me 11 qershor rekomandohej që me 1 korrik të hapen kufijtë edhe me Kosovën dhe Shqipërinë. Por për shkak të përkeqësimit të gjendjes, ato janë larguar nga lista.
Në dokumentin e Qendrës Evropiane për Kontroll dhe Evitimi të Sëmundjeve thuhet se numri i të infektuarve është rritur shumë edhe në Serbi dhe B-H, por nga lista ka rënë vetëm B-H, ndërsa Serbia ka mbetur.
Në Këshillin Evropian thuhet se numri i të infektuarve në fillim të qershorit në shumë vende ka qenë më pak se 16 në 100.000 banorë. Ndërsa në pjesën e dytë në Serbi ka pasur 20, në Mali të Zi 19, Shqipëri 29, B-H 32, Kosovë 47, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ka pasur 98 të infektuar në 100.000 banorë.
Rekomandimet shëndetsore apo politike
Në Komisionin Evropian thonë se rekomandimet janë marrë për bazë tri elemente: gjendja epidemiologjike në një vend të tretë, mundësia e respektimit të masave higjenike gjatë udhëtimit dhe masat e reciprocitetit.
Ndër vendet e para me të cilat është rekomanduar hapja e kufijëve në mes të qershorit, kanë qenë pikërisht vendet e Ballkanit Perëndimor. Në Bruksel thuhej se kjo është në harmoni me raportet e ngushta me këto vende dhe politikën e integrimeve evorpiane në BE. Në Komisionin Evropian nënvizojnë se vendimi i fundit u takon vendeve anëtare, nëse duan të hapin kufijtë me ndonjë vend apo jo.
Plani i Brukselit parashikon që me 1 korrik të rivendoset në funksion të plotë zona Shengen për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave. Deri tani kontrolle kufitare për shkak të COVID-19 ka pasur Danimarka, Finlanda, Hungaria, Lituania dhe Norvegjia. Ndërsa në fazën e dytë duhet të hapen gradualisht edhe kufijtë me vendet e treta, të cilat i plotësojnë kushtet. Por shumë vende kanë rezerva.
Deri tani në BE lejohet futja pa kurrfarë pengesash e personave që kanë nënshtetësi të ndonjë vendi të BE, anëtarëve të familjeve të tyre dhe perësonave që kanë ndonjë leje qëndrimi në ndonjë vend të BE.
Të gjithë të tjerët duhet të informohen mirë para nisjes në rrugë, nëse një vend i caktuar ku duan të shkojnë lejon hyrjen apo jo.