Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Valdete Hoxha u përball të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në një seancë dëgjimore ku u morën në shqyrtim të tre kriteret e rivlerësimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut përbëhet nga Lulzim Hamitaj kryesues, Genta Tafa Bungo relatore dhe Valbona Sanxhaktari anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tomçi Petkoviç.
Valdete Hoxha e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe Gjykatën Ushtarake të Apelit Tiranë. Ajo punon si gjyqtare e Apelit të Tiranës që prej shkrirjes së gjykatës ushtarake në vitin 2009.
Relatorja e çështjes, Genta Tafa Bungo tha se nuk ishin evidentuar probleme lidhur me një apartament parafabrikat të blerë në vitin 2007 kundrejt vlerës 2 milionë lekë. Në seancë u identifikua fakti se shtëpia e gjyqtares Hoxha përbëhej nga një apartament 1+1 me sipërfaqe 63 m2 dhe një shtesë 62 m2. Bungo sqaroi se shtesa rezultonte të ishte në proces legalizimi.
Nga hetimi ka rezultuar se familja e gjyqtares e ka blerë apartamentin nga motra e bashkëshortit të saj. Relatorja Genta Tafa Bungo pohoi në seancë se, shtesa është ndërtuar para se gjyqtarja Hoxha dhe bashkëshorti ta blinin apartamentin ku jetojnë dhe se nuk ishte konstatuar ndonjë problem me këtë gjetje.
KPK nuk ka gjetur probleme edhe në blerjen e një autoveture tip Ford Focus në vitin 2012 për vlerën 14 mijë euro, për të cilën gjyqtarja Hoxha ka deklaruar si burim 7 mijë euro kursime familjare dhe 7 mijë euro me financim leasing me interes 8%. Sipas trupit gjykues, subjekti ka pasur burime të mjaftueshme për blerjen e makinës.
Për dy depozita bankare një në vlerat 2.2 milionë lekë dhe 2 milionë lekë nuk u identifikuan probleme nga Komisioni. Gjithashtu, u vlerësuan të sakta dhe në përputhje me dokumentacionin edhe deklarimet për llogaritë rrjedhëse të pagave. Komisioni nuk evidentoi probleme edhe në deklarimin për pasuritë e trashëguara nga bashkëshorti pas vdekjes së babait, i cili rezulton bashkëpronar në një ndërtesë 110 m2 dhe 420 m2 truall.
Sipas Komisionit, familja e gjyqtares Hoxha ka pasur mundësi financiare dhe për krijimin e një gjendje cash 350 mijë lekë në janar të vitit 2017, që rezultonte të ishte akumuluar që prej vitit të kaluar.
KPK ka hetuar edhe shpenzimet për shkollimin e fëmijëve në Kanada dhe të ardhurat e krijuara prej tyre. Për shkollimin e vajzës në vitet 2012-2016 është deklaruar si burim vlera 9.1 milionë lekë e marrë hua nga motra e bashkëshortit që jeton në Kanada. Pjesa tjetër e shpenzimeve për shkollimin e vajzës kanë qenë të ardhura të përfituara nga ajo vetë prej bursës dhe nga punësimi sezonal.
Nga hetimi ka rezultuar se halla e vajzës së subjektit ka pasur burime të mjaftueshme për dhënien e huasë si edhe për shpenzimet e jetesës, duke qenë se familja e saj kishte krijuar 73 milionë lekë të ardhura të ligjshme. Komisioni konstaton se vajza e subjektit ka pasur mundësi për blerjen me kredi të një makine në vlerën 1.9 milionë lekë.
Edhe për shkollimin e djalit për periudhën 2016-2019, Komisioni ka konstatuar se gjyqtarja Hoxha kishte pasur burime të ligjshme. Gjatë periudhës 2012-2018 vajza ka siguruar të ardhura nga punësimi në vlerën 20 milionë lekë, ndërkohë që djali kishte fituar 4.1 milionë lekë gjatë viteve 2016-2019.
Profesionalizmi dhe figura
Gjyqtarja Valdete Hoxha u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe Komisioni konstatoi përshtatshmërinë e saj për vazhdimin e detyrës.
Po ashtu, Hoxha u vlerësua pozitivisht edhe për profesionalizimin. Relatorja Genta Tafa Bungo tha se nuk ishin gjetur indicie apo probleme në 33 denoncimet e kryera nga publiku ndaj gjyqtares Valdete Hoxha. E pyetur nga Bungo në fund të seancës dëgjimore nëse kishte ndonjë shpjegim lidhur me numrin e madh të denoncimeve, gjyqtarja Hoxha tha se çdo vendim që ka dhënë ka qenë profesional dhe në përputhje me ligjin.
Në fjalën e saj, gjyqtarja Hoxha tha se gjetjet e Komisionit ishin në përputhje me deklarat e saj. “Edhe pse punoj në një periudhë kur ka humbur besimi i publikut tek drejtësia, unë kam punuar me korrektësi e në zbatim të ligjit. E vlerësoj maksimalisht këtë proces dhe kërkoj konfirmimin tim në detyrë,” përfundoi gjyqtarja Valdete Hoxha.
KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 1 korrik, ora 10:15. /BIRN/