Pas disa javë protestash kundër racizmit, që morën shkas nga vdekja e një afrikano-amerikani në duart e një polici të bardhë në Minneapolis, Shtetet e Bashkuara po përballen me një betejë të re kulturore. Ajo lidhet me simbolet e Konfederatës, të 11 shtetet e jugut amerikan që donin të ruanin skllavërinë në Luftën Civile të më shumë se 150 vjetëve më parë, e cila gati e shkatërroi vendin.
Një statujë e presidentit të Konfederatës, Jefferson Davis, në Riçmond të shtetit Virxhinia dhe një statujë e gjeneralit më të nderuar të Konfederatës, Robert E. Lee në Montgomeri të Alabamës, u hoqën bashkë me dhjetëra monumente të tjera të Konfederatës. Disa simbole të tjera janë vandalizuar.
NASCAR, Shoqata Kombëtare e Automobilizmit, e cila mburret me rrënjët e saj jugore që nga themelimi 72 vjet më parë, njoftoi të mërkurën se do të ndalojë flamurin e Konfederatës në aktivitetet dhe mjediset e saj, duke deklaruar se “kjo bie ndesh me angazhimin për të garantuar një atmosferë mikpritëse dhe gjithëpërfshirëse.”
Automobili i pjesëmarrësit të garave Bubba Wallace ka një logo ku shkruhet Black Lives Matter në përgatitje për garat e serisë NASCAR të mërkurën.
Në një tjetër fushë të kulturës amerikane, shërbimi televiziv HBO Max, me arsyen e “paragjykimeve etnike dhe racore”, ka hequr nga repertori filmin “Gone With the Wind”, fitues i çmimit Oskar në vitin 1939, sepse përmban “përshkrime raciste” që “ishin gabim si atëherë ashtu edhe sot” tha kompania në një deklaratë. Filmi përshkruan jugun amerikan para luftës civile, kur në vend zbatohej skllavëria.
A sign for at Fort Bragg, N.C., is shown, Jan. 4, 2020.
Ndërkaq, 10 baza ushtarake që mbajnë emra oficerësh të Ushtrisë së Konfederatës, si Fort Bragg, Fort Hood dhe Fort Lee janë bërë objekt debati. Në fillim të kësaj jave, një zyrtar i Pentagonit tha se Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper dhe Sekretari i Këmbësorisë Ryan McCarthy, janë “të hapur për një diskutim dypartiak” për heqjen e emrave të Konfederatës nga bazat. Kjo vjen ndërsa Forcat Detare dhe Korpusi i Marinsave njoftuan se do të ndalojnë përdorimin e flamurit të Konfederatës në instalimet e tyre.
Të mërkurën, Komisioni i Senatit për Shërbimet e Armatosura i drejtuar nga republikanët miratoi një ndryshim në projektligjin e politikës së mbrojtjes të mbështetur nga senatorja demokrate Elizabeth Warren e shtetit Massachusetts, i cili i kërkon Pentagonit të heqë emrat dhe simbolet e Konfederatës nga të gjitha asetet ushtarake.
“Ka ardhur koha për ta bërë. Dhe mendoj se kjo dërgon mesazhin e duhur,” tha Mike Rounds, senator republikan i Dakotës së Jugut.
Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me veto, duke komentuar në Twitter se administrata e tij as nuk do ta marrë në konsideratë riemërtimin e “këtyre instalimeve ushtarake të mrekullueshme dhe të famshme”.
Më 10 qershor, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany lexoi tweet-et e Presidentit Trump në formë deklarate. “Këto baza monumentale dhe shumë të fuqishme janë bërë pjesë e një trashëgimie të shkëlqyer amerikane në historinë e fitoreve dhe të lirisë,” tha ajo.
Komentet e presidentit u bënë ndërkohë që Filonise Floyd, vëllai i George Floydit, dha një dëshmi emocionale përpara anëtarëve të Kongresit, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund racizmit. George Floyd vdiq më 25 maj ndërsa ishte në arrest policor pasi një oficer policie i kishte mbajtur gjurin mbi qafë për gati 9 minuta.
SIMBOLE TË PËRJASHTIMIT DHE TË SUPREMACISË SË BARDHË
Afrikano-amerikanët prej kohësh i kanë quajtur monumentet e Konfederatës si simbole të përjashtimit dhe të epërsisë së bardhë.
“Ka diçka shumë revoltuese kur shikon glorifikimin e njerëzve dhe simboleve që në fakt donin t’i shihnin njerëz si ju nën skllavëri, sikur të ishin pronë e tyre”, tha Steve Phillips, themelues i organizatës politike “Demokracy in Color”, e cila merret me çështjet e racës dhe politikës.
PËRKRAHËSIT E TRASHËGIMISË JUGORE MOHOJNË AKUZËN
Paul Gramling, komandant i përgjithshëm i grupit “Djemtë e Veteranëve të Konfederatës”, që mbron historinë e Konfederatës, e karakterizon reagimin kundër simboleve të Konfederatës si një “përpjekje e orkestruar për të zhdukur strukturën morale të vendit”.
“Na lini të qetë. Ne nuk po ju sulmojmë, nuk do të sulmojmë trashëgiminë tuaj, nuk do të sulmojmë simbolet tuaja,” tha ai. “Ndërsa ata thjesht duan të sulmojnë dhe shkatërrojnë, pikërisht këtë bëjnë grabitësit dhe rebelët.”
NJË DEBAT I HERSHËM
Debati mbi simbolet e Konfederatës përfaqëson është i vjetër në filozofinë publike amerikane, thotë James Davison Hunter, profesor i sociologjisë në Universitetin e Virxhinias dhe autor i librit “Luftërat Kulturore: Beteja për të Përkufizuar Amerikën”.
Në Deklaratën amerikane të Pavarësisë, e hartuar në 1776, thuhet se të gjitha qeniet njerëzore janë krijuar të barabarta, por historia tregon se barazia u është mohuar grupeve të ndryshme, në mënyrë të veçantë popullatës afrikano-amerikane.
Në mbarim të Luftës Civile në 1865, skllavëria u shfuqizua zyrtarisht me miratimin e Amendamentit të 13-të të Kushtetutës, por afrikano-amerikanët vazhduan të vuajnë efektet shkatërrimtare të diskriminimit.
Gjatë Rindërtimit, në vitet 1865-1877, shtetet jugore miratuan ligje kufizuese për të kontrolluar miliona skllevër të mëparshëm. Kufizimet u zgjeruan me miratimin e ligjeve të ashtuquajtura “Jim Crow”, të cilat përhapën ndarjen racore dhe kufizimet e votimit në shumë shtete veriore deri pas Luftës së Dytë Botërore.
“Edhe me suksesin e lëvizjes për të drejtat civile në vitet 1960, nën udhëheqjen e Martin Luther King-ut, pabarazitë racore vazhduan dhe vazhdojnë edhe sot,” thotë profesor Hunter. Ai shton se monumentet e Konfederatës përfaqësojnë “vazhdimin e kontradiktës midis barazisë të deklaruar, por të mohuar”.
Një sondazh i fundit i Universitetit Monmouth tregon se 76% e amerikanëve thonë se diskriminimi racor në vend është një problem i madh, nga 51% që e pohonin këtë në vitin 2015./VOA/