‘Velipoja’/ Klosi: Po prishen ndërtimet që u ngritën gjatë pandemisë. Ademi: Ato që thotë ministri janë ndërtuar në dijeni të policisë

Ndërhyrjen e IKMT në prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë vijës bregdetare të Velipojës, Ministri i Turizmit Blendi Klosi e konsideron normale.

Në një intervistë në Ora News me gazetaren Matilda Mcini, ai shprehet se ato ndërtime janë bërë gjatë dy muajve të fundit kur Shqipëria ishte ende nën masat izoluese anticovid.

Fakti se ato paguanin taksa në bashki, nuk i bën ato pronarë të këtyre hapësirave, shtoi më tej Klosi.

Klosi: Ndërtimet u bënë dy muajt e fundit. Pati investime abusive. Në vijën bregdetare, në investimet e bëra në vijën bregdetare dhe në investimet e bëra nga pushteti vendor, vija e ndarjes ka qenë Lungomare. Nëse do të kemi ndërtime edhe në zonën e rërës nga një shërbim i vogël në struktura të mëdha, jashtë higjienës dhe jashtë parimeve duke dëmtuar plazhin, normalisht që do të ketë ndërhyrje. Pyetja më e madhe është pse lejohen dhe pse ndërtohen. Janë disa abuzime që e çojnë deri aty ku nuk mbajnë më. Pagimi i taksave dhe tarifave në bashki nuk të bën posedues të hapësirës. Ajo është për çadra dhe shezlong. Fakti që kanë këtë nuk do të thotë që mund të ndërtojnë tjetër. Kur një hotel ka barin e saj dhe shërbimet deri në Lungomare nuk mund të bëjë dhe një bar tjetër matanë rrugës. Ky është kufiri dhe në 1 ose dy muaj izolim bëhet një qytet tjetër nga ana tjetër e Lungomares.

LEXO EDHE  Nga droga te përndjekja, 7 të arrestuar në Tiranë

Por në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma kryebashkiakja e Shkodrës mohoi  të jenë bërë ndërtime në bregun e rërës gjatë pandemisë.

Ajo tha se ndërtimet janë bërë jashtë rërës dhe në dijeni të plotë të policisë. Madje ajo shtoi se kishte vënë në dijeni të gjithë strukturat për këtë paligjshmëri.

Ademi: Dëgjova Ministrin Klosi  që thoshte sot se ka objekte që janë ndërtuar gjatë pandemisë. Në fakt në bregun e rërës nuk bëhet fjalë për të reja, bëhet fjalë për objekte të tjera që janë denoncuar nga bashkia e Shkodrës gjatë pandemisë për faktin se policia nuk duhet të linte të lëviznin dhe po flas përtej rërës, çuditërisht lejonte të ndërtonin.Këtë shqetësim ja kam përcjellë komisaritit të policisë, Drejtorisë së Policisë, Lamallarit dhe zëvendësministres së Brendshme me frikën që po lejohen paligjshmëri që do të na kthehen mbrapsht. Njerëzit investojnë për të mos prishur, më mirë është ta parandalosh sesa ta prishësh.Nëse ka vendime për prishje vendimet do të duhet të ishin për gjithë bregun, nuk janë. /Oranews