Vetingu/ Dyshimet, Petrit Aliaj shleu borxhin 100 mijë USD për 3 vjet, vetëm me rrogën e gjyqtarit

Nga BoldNews.al

Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj, i cili pret të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, me shumë mundësi, duhet të përgjigjet për të paktën dy pyetje thelbësore, të cilat vendosin në pikëpyetje burimet financiare të tij.

Pyetja e parë mund të jetë-përse një jurist, avokat, që në 3 muaj ka fituar 47 mijë USD, pra të ardhura mujore mbi 15 mijë dollarë, vendos të punojë avokat me 10 mijë dollarë në vit?

Pyetja e dytë, e cila mund të rrëzojë çdo kalkulim matematik; si mundet të shlyesh 100 mijë USD hua për 5 vjet, kur të ardhurat vjetore janë 10 mijë dollarë?

Përballë këtyre pyetjeve, duket se gjyqtari Petrit Aliaj mund të dalë i humbur përballë procesit të Vetingut.

Ulje-ngritjet në karrierë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka njoftuar zhvillimin këtë të Premte të seancës dëgjimore me gjyqtarin e Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj, pas tre shtyrjeve të mëparshme.

Aliaj nuk ka pasur karrierë të lehtë në sistemin e drejtësisë. Ai ishte gjyqtar në Sarandë, kur në vitin 2004 u shkarkua nga detyra. Pas 15 muajsh, Aliaj rikthehet sërish në gjyqësor.

Në vitin 2017, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPKI) e kallëzoi penalisht për deklarim të rremë. Edhe kësaj here, gjyqtari doli pa pasoja, për shkak se Prokuroria e Elbasanit i pushoi çështjen.

Tashmë, Petrit Aliaj pritet të japë sqarime para gjetjeve administrative të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pikëpyetjet mbi pasurinë
Në deklaratën fillestare të pasurisë, dorëzuar në vitin 2004, gjyqtari Aliaj deklaron se ka në pronësi një shtëpi dhe një tokë 712 m2, për të cilat nuk ka shënuar vlerën e krijimit/blerjes.

Gjithashtu, ai deklaron edhe një huamarrje në vlerën 25 milionë lekë (e cila me shumë mundësi është shënuar me “lekë të vjetra”).

Në fund të vitit 2014, gjyqtari Aliaj shkarkohet nga detyra. Rikthehet në vitin 2015. Në formularin e radhës së pasurisë deklaron se ka përfituar 15 paga mujore si gjyqtar, si edhe ka përfituar 47 mijë USD nga avokatia, në periudhën janar-mars 2005.

LEXO EDHE  Nga falja e borxheve te mos-futja e familjarëve në burg, Basha: Çfarë u ofroi Rama deputetëve të opozitës së re

Pra, në 3 muaj, ai ka përfituar shumën e konsiderueshme, gjë e cila ngre pikëpyetjen e parë se përse këmbënguli të rikthehej si gjyqtar, pozicion me pagë shumë më të ulët se sa fitimet që kishte krijuar nga avokatia.

Në të njëjtën deklaratë, ai shënon se ka kthyer 60 mijë USD nga një hua 100 mijë dollarëshe, për të cilën nuk gjendet asnjë e dhënë në pjesën publikueshme të formularit të pasurisë.

Gjithashtu, nuk sqaron as se cili është burimi i shumës së shlyer 60 mijë USD, kur mbahet në konsideratë se shumën 47 mijë USD të përfituar nga avokatia nuk e ka shpenzuar në atë kohë, pasi e ka depozituar shumë vitë më pas në bankë.

Një vit më pas, gjyqtari Petrit Aliaj deklaron shlyerjen e 25 mijë dollarëve nga pjesa e mbetur e huasë, ndërkohë që deklaron vetëm 1 milionë lekë (10 mijë USD) të ardhura vjetore nga paga.

Në vitin 2008, ai deklaron se ka shlyer edhe pjesë e mbetur të huasë, 15 mijë dollarë, po nga të ardhurat e pagës, të cilat ishin sërish vetëm 10 mijë USD.

Nga borxhet tek apartamentet
Në vitin 2010, gjyqtari Aliaj deklaron se ka nënshkruar kontratë shkëmbimi për tokën 712 m2, duke ia ofruar një kompanie ndërtimi.

Në bazë të kontratës së shkëmbimit, gjyqtari Aliaj dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar 6 apartamente, një dyqan dhe 1 garazh, pas përfundimit të ndërtimit, në vitin 2017.

E, megjithatë, familja e gjyqtarit nuk i ndahet borxheve. Vajza e tij deklaron se ka marrë hua 35 mijë USD.

Ndërkohë, në deklaratën e pasurisë për vitin 2017, Petrit Aliaj rikujtohet se ka lënë pa deklaruar dy hua të marra shumë vite më parë.

Ai deklaron se në vitin 2008 i ka marrë hua, pa afat e pa interesa babait të tij shumën 25 mijë euro. Gjithashtu, Petrit Aliaj deklaron se në vitin e largët 1998 i ka marrë hua, pa afat e pa interesa vëllait të tij shumën prej 6 mijë dollarë amerikanë.

Gjyqtari deklaron se këto detyrime janë ende të pashlyera.