Shtyrja e këstit të kredive nuk vlen për mikrofinancën/ 30 mijë klientë duhet të pagesat në qershor

Ndërsa klientët e bankave kanë mundësi që të shtynë pagesat e kësteve të kredive edhe për tre muaj të tjerë, deri në 31 gusht, kjo nuk do të jetë e mundur për të gjithë ata që kanë marrë një mikrokredi nga institucionet financiare jo bankare. Klientët e këtyre të fundit duhet të rifillojnë pagesat e kësteve në qershor. Sipas të dhënave të mëparshme, mikrofinanca ka pasur 30 mijë kërkesa për shtyrje, me vlerë totale 70 mln euro.

Lajmin e bëri të ditur Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës, por konfirmohet për Monitor dhe nga Banka e Shqipërisë. Sipas burimeve të bankës nuk ishte e mundur të bëhej një tjetër shtyrje për këstet e tyre, pasi këto institucione nuk kanë burime të tjera likuiditeti përveç pagimit të kësteve, ndryshe nga bankat, që si burim kryesor likuiditeti kanë depozitat.

Banka e Shqipërisë miratoi dje disa masa, që mundësojnë shtyrjen e kësteve të kredisë edhe për 3 muaj të tjerë, deri në 31 korrik, por kjo është e vlefshme vetëm për bankat, ndryshe nga shtyrja e parë e kësteve (mars-maj), që vlente edhe për mikrofinancën.

Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës ka njoftuar klientët që institucionet e mikrofinancës nuk janë të përfshira në udhëzimin e Bankës së Shqipërisë për shtyrjen e dytë të kësteve të kredive deri më 31.08.2020, të cilat u janë lënë për aplikim dhe vendimmarrje vetëm bankave të nivelit të dytë. “Thënë kjo, i ftojmë gjithë klientët që të rifillojnë pagesat e kësteve pranë sporteleve të institucioneve ose nëpërmjet kanaleve alternative të pagesave dhe rrjeteve të agjentëve”.

LEXO EDHE  Përhapja e Covid-19 edhe në Libohovë, dyshime për një vatër familjare

“Dëshirojmë të sigurojmë klientët tanë që u jemi gjendur dhe do t’u gjendemi gjithmonë afër në këtë situatë të vështirë. Brenda mundësive dhe kapaciteteve tona, do të shqyrtojmë rasti pas rasti kërkesat për shtyrje të kredive për klientët që ndodhen në vështirësi, për t’u dhënë asistencën e nevojshme. Dera e mikrofinancës mbetet e hapur për fermerët, bizneset e vogla dhe individët, qofshin këta klientë ekzistues apo potencialë, me qëllim kalimin së bashku të kësaj sprove ekonomiko-financiare të krijuar nga pandemia COVID-19”, thuhet në njoftim.

Shoqata thotë se “Në kuadrin e Moratoriumit të Kredive të mandatuar nga Qeveria Shqiptare dhe Banka e Shqipërisë, për shtyrjen e ripagimeve të kredive deri më 31 maj 2020, institucionet financiare Anëtare të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, kanë shqyrtuar dhe procesuar më shumë se 30 mijë kërkesa për shtyrje me një vlerë totale prej afërsisht 70 milionë Euro. Pavarësisht goditjes në likuiditet dhe pamundësisë së rikuperimit të tyre me ndonjë mbështetje nga Qeveria Shqiptare në formë garancie apo financimi me kushte të favorshme, mikrofinanca ja doli të qëndrojë pranë klientëve të saj në këtë situatë të paprecedentë”. /Monitor/