Zbulohet të kujt janë 400 mijë dollarët e bllokuar sot

Sot në mesditë, Policia ka bllokuar një shumë prej 400 mijë dollarësh në llogarinë e një biznesmeni të njohur. Mediat raportojnë se bëhet fjalë për administratorin e një kompanie ndërtimi, të identifikuar si Aleksandër Gavoçi.

Shuma e parave është bllokuar në momentin që Aleksandër Gavoçi po përpiqej të bënte një transaksion për t’i nxjerë paratë jashtë vendit. Mësohet, se Aleksandri po i transferonte paratë të vëllait në Australi, të identifikuar si Ilir Gavoçi. Shuma e konsiderueshme e parave është bllokuar pasi biznesmeni nuk i kishte ato të deklaruara, sipas autoriteteve.

Kush është Ilir Gavoçi?

Duket se gjithçka lidhet me një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2005 në Tiranë, ku Ilir Gavoçi së bashku me bodigardin e tij, Ismet Oruçi, akuzohen se vranë 4 persona në lokalin “Olalba”.

Boldnews.al po rikthen kronikën e asaj ngjarje

Masakra e përgjakshme në qendër të Tiranës, ku humbën jetën 4 persona dyshohet të ketë si autorë pronarin e tavernës “Olalba” dhe bodigardin e tij. Burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit kanë pohuar, identifikimin e autorëve të këtij krimi të rëndë, të cilët janë biznesmeni Ilir Gavoçi dhe truproja i tij, Ismet Oruçi.

Pista e parë dhe më e besueshmja për grupin hetimor është ajo e vrasjes pas një grindjeje për motive banale, por drejtuesit e policisë dhe të prokurorisë pohuan se si autorët e këtij krimi ashtu edhe viktimat kanë qënë të implikuar në çështje te mëparshme, ç’ka lë vend edhe për drejtimin e hetimeve në pistën e larjes së hesapeve.

“Ne po hetojmë të gjitha versionet e mundshme të masakrës, por paraprakisht mendohet që krimi i rëndë ndodhi për shkak të një konflikti të çastit në mjediset e tavernës”,-pohoi për “Shekullin” një burim nga grupi hetimor. Ali Beqja, 29 vjeç, Altin Djepaxhia, 34 vjeç, ish- oficer në Ministrinë e Brendshme, Alban Kruja, 35 vjeç dhe Elvis Berberi, 25 vjeç, të katër nga Shkodra, mbetën të vrarë në mjediset e tavernës “Olalba” që ndodhet në afërsi të Gardës së Republikës.

Skema e vrasjes

Taverna “Olalba” ndodhet në bodrumin e një pallati në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, i ndërtuar nga pronari i saj, Ilir Gavoçi, i cili akuzohet si autori kryesor i masakrës.

Ky i fundit njihet nga policia dhe banorët si pronar i një firme ndërtimi dhe i një numri të konsiderueshëm automjetesh, një pjesë e të cilëve të markës “HUMER”. Burime nga grupi hetimor pohojnë se në tavernën e Gavoçit kanë qëndruar deri në orët e para të ditës së djeshme viktimat, të vetmit klientë të tavernës në atë orë të vonë të natës.

Mësohet se katër viktimat, nga Shkodra, kanë qenë duke pirë në një tavolinë që ndodhet në të majtë të hyrjes së tavernës. Grupi hetimor ka zbuluar si motiv të krimit ngacmimin e këngëtares së tavernës prej katër viktimave.

“Sipas të dhënave dhe dëshmive të mbledhura në vendngjarje, viktimat e këtij krimi të rëndë kanë qënë duke dëfryer në tavernë, por pak para mesnate kanë ngacmuar këngëtaren e tavernës”,-pohojnë burimet. I pari që ka ndërhyrë ka qënë pronari Gavoçi, i cili u është afruar shkodranëve dhe u ka kërkuar që të mos bezdisin këngëtaren e tavernës, por viktimat kanë vazhduar në të tyren.

“Gavoçi ka dërguar truprojën e tij, Ismet Oruçin që të “këshillonte” klientët, por këta të fundit kanë filluar ta shajnë dhe ta godasin me grushta. Pikërisht ky ka qënë momenti që ndezi gjakrat në konfliktin që përfundoi me katër të vrarë”,-shtojnë burimet nga grupi hetimor.

LEXO EDHE  5 punonjës të infektuar me COVID në Bashkinë e Kavajës

Viktimat

Njëri prej viktimave është gjetur nga policia pranë tavolinës ku ndodhej pronari i tavernës dhe truproja i tij, një tjetër në mes të lokalit dhe viktima e tretë ndodhej në tavolinën ku kishte qëndruar me miqtë e tij. Jashtë në oborrin e pallatit, sipas policisë është vrarë Elvis Berberi, i cili madje i eshte drejtuar policit privat që ruante objektin. “Më vranë”,- ka ulëritur ai, duke kërkuar ndihmë. Vetëm pak çaste më pas, mediat raportojnë se jashtë lokalit ka dalë Oruçi, i cili ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tij.

Nga ekspertimi mjeko- ligjor dhe nga këqyrja e trupave, policia ka vërejtur se tre prej tyre kanë marrë nga një plumb pistolete në kokë, ndërsa Elvis Berberi ka marrë dy plumba, një në kraharor dhe një në pjesën anësore të trupit.

Policia ka konstatuar se gjatë krimit të katërfishtë, autorët kanë përdorur dy pistoleta, njëra tip “TT”, si dhe një tjetër të një kalibri 9 mm, që sipas ekspertëve mund të jetë “Bereta”, ose “Zastava”.

Menjëherë pas krimit, një nga autorët është futur sërish në lokal, nëpërmjet derës së pasme të tij, ka hyrë në garazh dhe më pas ka marrë një automjet tip “Benz” pa targa. Në këmbë, sipas policisë mendohet të jetë larguar pronari i tavernës, Ilir Gavoçi, i cili ka hipur në automjet pak metra më tej.

Në vitin 2007, Ilir Gavoçi u dënua me 5 vjet burgim për këtë ngjarje, por ai nuk u arrestua asnjëherë nga Policia. Në vitin 2012, Prokuroria e Tiranës kërkoi shuarjen e vendimit të dënimit, për shkak se ai nuk u arrestua për 5 vjet. Kjo kërkesë u pranua nga gjykata dhe Ilir Gavoçi iu rikthye jetës si qytetar i lirë.

Njoftimi i Policisë mbi sekuestrimin e 400 mijë dollarëve të Aleksandër Gavoçit:

Tiranë

Vendoset sekuestro preventive për një llogari banke në shumën 400 mijë dollarë.

Sekuestroja preventive ndaj një llogarie bankare të administratorit të në një shoqërie SHPK, pas hetimit të nisur nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila regjistroi procedimin penal për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare”.

Në zbatim të këtij procedimi, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tirane, për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në funksion të procedimit penal të vitit 2020 dhe vendimit të sekuestrimit datë 26.05.2020, u bë sekuestrimi i llogarisë bankare në shumën 400 mijë dollarë, në emër të shtetasit A. G., administrator i një shoqërie SHPK, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare” .

Vendoja e sekuestros preventive, pas tentativës së bërë nga shtetasi A. G., për transfertën e shumës  jashtë vendit, në Australi, në llogari të vëllait të tij.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera dhe bashkëpunëtorët në këtë aktivitet kriminal.

LEXO EDHE: 

“Petro Nini”/ Vrau 4 veta në 2005, Gavoçi sot me Policinë në krah për të nxjerrë banorët jashtë