Nga Boldnews.al
Në një mëngjes të korrikut 2019, dy inxhinjerë austriakë, me origjinë kroatë, përfaqësues të një kompanie pajisjesh mjekësore, me seli në Austri, ngjitën shkallët e Ministrisë së Shëndetësisë. Ata kishin vetëm një çantë, brenda së cilës kishte lap-top.
Në 4 orët e ardhshme, ata u shpjeguan, nëpërmjet figurave në power-point, disa punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë se çfarë kapacitetesh kishte kompania që ata përfaqësonin.
Zyrtarë të pranishëm në atë takim, thonë për “Boldnews.al” në kushte anonimati se biseda u ishte dukur më shumë si një fushatë e pakuptimtë promocionale për aftësitë e asaj kompanie për të mirëmbajtur pajisjet mjekësore.
“Na treguan se si mirëmbanin pajisjet mjekësore në një spital në Zagreb, i cili, për nga përmasat dhe kapaciteti, ishte disa herë më i vogël se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shprehen të njëjtë nëpunës.
Në vlerësimin e zyrtarëve të të Ministrisë së Shëndetësisë që dëgjuan për rreth 4 orë dy inxhinjerët e rinj austriako-kroatë, çështja e mirëmbajtjes së pajisjeve mjekësore në Shqipëri kishte arritur në një moment konsolidimi.
Autoritetet shtetërore, prej vitesh, kishin krijuar një raport bashkëpunimi me kompanitë shqiptare, të cilat janë distributorë zyrtarë të kompanive të njohura ndërkombëtare në fushën e prodhimit të pajisjeve mjekësore.
Në 20 vjet bashkëpunim, autoritetet shëndetësore nuk kanë pasur ankesa për kompanitë shqiptare.
Madje, zyrtarët e QSUT dhe qendrave të tjera shëndetësore kanë vlerësuar angazhimin e shoqërive shqiptare, të cilat kanë përdorur profesionalizëm të lartë, si edhe kanë punuar çdo ditë të javës për të përmbushur nevojat e spitalave për riparimin e aparaturave mjekësore në çdo ditë të javës.
Zyrtarë të QSUT-së, kanë pranuar “off-record” për “Boldnews.al” se kompanitë shqiptare, jo vetëm kanë qenë korrekte, por, për hir të bashkëpunimit të vazhdueshëm, kanë riparuar aparatura mjekësore edhe falas, sidomos në rastet e prishjes së tyre në fillim-viti, kur QSUT ende nuk kishte siguruar buxhetin vjetor.
Po ashtu, kompanitë shqiptare, me përvojë të konsoliduar tashmë në tregun e pajisjeve mjekësore, kanë të punësuar pranë tyre edhe staf inxhinjerik, të çertifikuar pikërisht për riparimin dhe mirëmbajtjen e atyre aparaturave që janë në funksion në Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.
Zbulohet “enigma”
Por, ajo që i bëri zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë të mblidhnin supet në Korrik 2019, u kuptua pas disa muajsh, në Shkurt 2020, kur Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shpalli tenderin, rreth 7 milionë euro, për “ mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore” për 4 vitet e ardhshme.
“Mjegulla” e krijuar në takimin “promocional” të Korrikut 2019, nisi të “davaritej” kur QSUT zgjodhi të kryejë tenderin me një procedurë, tërësisht të ndryshme nga ajo që kishte zhvilluar në vitet e mëparshme.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët se QSUT, me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm, Enkelejd Joti, vendosi që tenderi të jetë i llojit “Marrëveshje Kuadër”, në bazë të të cilës, fituesi i merr të gjitha.
Dhe ky fitues, do të nënshkruante një kontratë 4-vjeçare, shumë më ndryshe nga procedurat e mëparshme, të cilat kishin afat 1-vjeçar.
Në tenderin, i cili po mbahet i hapur për mbi 3 muaj, mësohet se kompania që bëri “promocionin” në zyrat e Ministrisë së Shëndetësisë, është një ndër aktorët për të qenë pjesë e fituesit të tenderit 7 milionë euro.
Duket se gjithçka është paracaktuar një vit më parë dhe tashmë pritet të luhet akti i fundit i një teatri “me tendera”, një lojë që rrezikon seriozisht jo vetëm pajisjet mjekësore në QSUT, por, mbi të gjithë shëndetin e pacientëve që kanë nevojë jetike për to.
Dyshimet
“Boldnews.al” ka raportuar më herët mbi rreziqet serioze që i kanosen të gjithë rrjetit spitalor të QSUT në bazë të parashikimeve të këtij tenderi.
Në vijim, redaksia ka siguruar informacione të tjera, të cilat forcojnë dyshimet, jo vetëm për një tender të paracaktuar, por, mbi të gjitha për problematikat e mprehta që do të shkaktohen nëse projekti i firmosur nga Enkelejd Joti do të marrë jetë.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët u detyruan të dëgjonin “promocionin” e inxhinjerëve austriakë në verën e vitit 2019, japin një detaj interesant.
“Kompania që ata përfaqësonin nuk kishte kontrata me distributorë zyrtarë për riparimin apo për pjesë këmbimi të aparaturave mjekësore. Ata, për mirëmbajtjen e pajisjeve në një spital të Zagrebit, kishin nënshkruar kontrata me kompani lokale, të cilët ishin distributorë zyrtarë të pajisjeve nga kompani të ndryshme”.
Për këta zyrtarë, përfaqësuesit e kompanisë austriake “ishin në rolin e menaxherit, jo të inxhinjerit”.
Por, detaji, i përmendur si batutë nga bashkëbiseduesi i “Boldnews.al”, dëshmon për një problematikë të madhe në kompaninë që duket se është paracaktuar për fitimin e tenderit.
Kompania e huaj nuk ka kontrata me distributorë zyrtarë. Gjë që do të thotë se ajo, në rast se shpallet fituese e tenderit për QSUT për mirëmbajtjen e aparaturave, do të jetë e detyruar që të nënshkruajë kontrata me kompanitë lokale (shqiptare), të cilat janë distributor zyrtarë të markave prodhuese ndërkombëtare.
Po çfarë ndodh nëse kompanitë lokale, që janë edhe distributor zyrtarë, nuk pranojnë që të nënshkruajnë kontratë me fituesin e tenderit?
Logjika më normale është që, në mungesë të kontratave me kompani prodhuese e distributorë lokalë, fituesi “i paracaktuar” do të përmbushë detyrimet kontraktuale me QSUT-në, duke përdorur pajisje nga “varrezat teknologjike”, të cilat nuk kanë asnjë garanci për mirëfunksion dhe jetëgjatësi.
Natyrisht, një kompani, e cila siguron pajisje në “varreza teknologjike”, logjikisht ofron edhe çmimin më të ulët në tender. Dhe, duke ndjekur logjikën e ftohtë të tenderave, kush jep ofertën më të ulët, shpallet fitues.
Por, në rastin konkret, oferta më e ulët do të thotë pajisje jo-origjinale, të cilat më pas shndërrohen në rrezik potencial për aparaturat mjekësore dhe shëndetin e pacientëve që kanë nevojë jetike për to.
“Loja me inxhinjerët”
Mungesa e kontratave me prodhuesit, pasohet edhe me mungesën e inxhinjerëve të specializuar dhe të çertifikuar nga kompanitë ndërkombëtare.
Këtë detaj duket se e ka “kapur” drejtori i QSUT-së, Enkelejd Joti, i cili ka bërë një modifikim në dokumentat e tenderit.
Në dokumentat fillestare, të publikuara në Shkurt 2020, kërkohet që “shoqëria e kontraktuar duhet të ketë staf teknik/inxhinierik të autorizuar nga prodhuesi dhe/ose të çertifikuar sipas Direktives së Pajisjeve Mjekësore MDD 93/42/EEC…”.
Por, pak kohë më vonë, drejtori Joti vendos modifikimin e dokumentave të tenderit, ku, ndër të tjera, përcaktohet se shoqëria e kontraktuar të ketë “jo me pak se 30 (tridhjete) punonjës ku jo më pak se 30% e tyre të jetë staf teknik (inxhinierë) për pajisjet mjekësore”.
Pra, nga kërkesa fillestare për inxhinjerë të çertifikuar, QSUT vendosi të “ndryshonte mendim” dhe të kërkojë vetëm “inxhinjerë për pajisjet mjekësore”, duke shmangur termin “të çertifikuar”.
Në këtë mënyrë, i siguron kompanisë që duket se është “e paracaktuar” që të mos penalizohet për shkak të mungesës së inxhinjerëve të çertifikuar nga ana e kompanive prodhuese.
Por, nga ana tjetër penalizon rëndë kompanitë shqiptare, të cilat janë të konsoliduara në tregun e aparaturave mjekësore dhe që janë distrubutorë zyrtarë të markave prodhuese ndërkombëtare.
Aktualisht në Shqipëri janë të paktën 13 kompani që kanë objekt të punës së tyre riparimin, mirëmbajtjen dhe furnizimin me aparatura mjekësore.
Secila prej tyre ka të paktën nga 10 inxhinjerë të çertifikuar për mirëmbajtjen e pajisjeve të prodhuara nga kompanitë ndërkombëtare dhe që janë në funksion aktualisht në QSUT.
Pra, kompanitë shqiptare, kanë jo vetëm përvojën, por edhe personel të trajnuar, pikërisht për ato pajisje që ka në përdorim Qendra Spitalore Universitare.
Qasja, aspak normale, e QSUT-së dhe e Ministrisë së Shëndetësisë karshi kompanive shqiptare, pritet të nxisë inxhinjerët e specializuar që të largohen prej tyre, në kërkim të një punësimi më të përshtatshëm.
Largimi i inxhinjerëve të specializuar do të jetë një humbje e madhe, jo vetëm për kompanitë shqiptare që i kanë sot pjesë të stafit të tyre, por edhe të Shqipërisë, e cila po vuan prej vitesh atë që quhet “largimi i trurit”.
Rreziku për pacientët e aparaturat
Një kompani, pa kontrata me prodhuesit e pajisjeve origjinale dhe pa inxhinjerë të çertifikuar prej tyre, vendos në rrezik mirëfunksionimin e pajisjeve dhe, më seriozja, jetën e pacientëve që duhet të marrin shërbimin spitalor prej aparaturave.
Ka një detaj teknik- pajisjet mjekësore, si çdo aparaturë teknologjike, ka nevojë për azhornim (update) të herë pas hershme.
Soft-et teknologjike, të prodhuara nga kompanitë ndërkombëtare të aparaturave, u jepen vetëm distributorëve zyrtarë dhe aplikohen vetëm nga inxhinjerët e çertifikuar prej tyre.
Në mungesë të azhornimeve, pajisjet mjekësore jo vetëm që nuk kryejnë si duhet funksionin e tyre, por, mbi të gjitha, ato do të shkatërrohen ose mund të shndërrohen në një rrezik potencial për jetën e pacientëve që kanë nevojë imediate për aparaturat.
Një azhornim i pajisjeve, nëpërmjet soft-eve të licensuara, i shndërron automatikisht kompanitë prodhuese dhe distrubutorët zyrtarë në përgjegjës për sigurinë e aparaturave dhe, njëkohësisht, për jetën dhe shëndetin e pacientëve.
Por, në rast se një kompani, e cila nuk ka të drejtën për të siguruar soft-et e nevojshme për jetëgjatësinë e aparaturave, atëherë pasojat mund të jenë fatale për të sëmurët, ndërkohë që përgjegjësia do të mbetet “pa autor”.
Pesha e prangave
Në fakt, çështja e azhornimit të pajisjeve është një shqetësim i stafit inxhinjerik të QSUT-së. Por, duket se “paracaktimi” i fituesit të tenderit, ka vënë në “përballje” qendrën më të madhe spitalore në vend dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
“Boldnews.al” ka mësuar se, QSUT, së fundmi, ka kërkuar një opinion nga Ministria e Shëndetësisë, lidhur me çështjen e inxhinjerëve dhe azhornimit të pajisjeve spitalore.
Të njëjtat burime deklarojnë për redaksinë se Ministria e Shëndetësisë është mjaftuar me një përgjigje të thatë: “Zbatoni ligjin”.
Duket si një lojë “hidh e prit” mes dy strukturave të Shëndetësisë, për të “ngecur përgjegjësinë” tek njëra-tjetra.
Është e qartë që ky tender ka hapur shumë siklete për institucionet e Shëndetësisë. Nga njëra anë qëndron dyshimi për “fitues të paracaktuar”, nga ana tjetër qëndron frika se “fituesi i paracaktuar” mund t’u hapë dyert e qelive atyre që sot kanë mundësinë e firmosjes së kontratës.
Të dhënat e siguruara nga “Boldnews.al” krijojnë dyshime se “fituesi i paracaktuar” është një kompani shqiptare, e cila ka nevojë për një “rekuizitë” të huaj, një kompani që të sigurojë logon fiktive me termin “ndërkombëtar.
Kompania që ka sjellë dy inxhnjerët e saj në Ministrinë e Shëndetësisë, në Korrik 2019, mund të jetë një prej atyre që mund të luajë rolin e “rekuizitës së huaj”.
Por, nëse plotësohet kjo skemë, pra që tenderi t’i jepet një fituesi, i cili nuk përmbush kriteret minimale për pajisje e inxhinjerë të licensuar për aparaturat që janë në funksion në QSUT, atëherë nënshkruesi i kontratës, Enkelejd Joti, mund të jetë “viktimë” e zgjedhjes së tij, para ligjit penal.
Tenderi 7 mln euro i QSUT/ Çfarë fshihet pas shkatërrimit të pajisjeve mjekësore