Pas publikimit mbrëmë në emisionin “Opinion” të sms-ve të një diplomati të rëndësishëm ndërkombëtar që i kërkon Presidentit të Shqipërisë “marrëveshje-pazar” për të kaluar Arta Vorpsin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese pasi e do Edi Rama dhe se anëtaren tjetër Marsida Xhaferllarin ta firmosë herën tjetër sepse ka rënë dakort kryeministri Rama, tregon hapur se si ka përfunduar Reforma në Drejtësi.
Një skandal i madh ku janë përfshirë diplomatë, ambasadorë dhe kryeministri Rama, që po të ketë shtet normal dhe drejtësi duhej hetim urgjent nga SPAK si dhe largim të diplomatëve të huaj nga Shqipëria.
Të gjithë e duam Reformën në Drejtësi, të gjithë kërkojnë drejtësi e ndëshkim korrupsionit dhe krimit të organizuar, por jo një drejtësi e përcaktuar në zyrat e qeverisë.
Në lidhje me këtë skandal iu drejtuam Edi Palokës, nënkryetar i PD, dhe Fatmir Mediut, kryetar i PR me pyetjen:
Si e komentoni sms në anglisht të publikuar mbrëmë nga Presidenti Meta ku ndërkombetaret i kërkojnë Presidentit të tërhiqet për Arta Vorpsin sepse Kryeministri Rama ka ra dakort se Marsida Xhaferllarin do ta kalojë radhën tjetër!
Si komentoni rolin e disa ndërkombetarëve te Reforma në Drejtësi?
Edi Paloka, nënkryetar i PD:
PD e ka deklaruar prej kohesh se Rama po e përdor Reformën në Drejtësi për të kapur gjithë institucionet e drejtësisë. Ka qenë PD dhe Komisioni i Venecias që nuk lejuan që kjo “kapje” të sanksionohej dhe në Kushtetutë siç po kërkonte Rama të bënte.
Pas ndryshimeve kushtetuese, të miratuara me konsensus, Rama shkeli mbi gjithçka për të arritur qëllimin e tij që ishte vetëm një; kapja e drejtësisë . E filloi me miratimin e 7 ligjeve antikushtetues, vazhdoi me emërimin po antikushtetues të Prokurores, më pas shkatërroi Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Kështu vazhdoi duke e bllokuar dhe zbatimin e ligjeve që kishte miratuar vetë, sa herë i duhej të luante lojërat e tij politike në kurriz të reformës.
Për fat të keq në këtë lojë u keqpërdoren deri në abuzim dhe disa burokratë të huaj të cilëve Rama ua përdorte emrin sa herë i duheshin njësoj sikur ti kishte militantë partie.
PD e ka bërë të qartë mëse njëherë pozicionin e saj lidhur me reformen në drejtësi si një reformë e domosdoshme që duhet rikthyer në shinat e saj kushtetuese larg kapjes politike për t’ju dhënë shqiptarëve institucione drejtësie funksionale të pavarura e që në fund të fundit japin drejtësi!
Jam i bindur që dhe partnerët e miqtë tanë kërkojnë të njëjtën gjë e do të na ndihmojnë për ta arritur pavarësisht shtrembërimëve dhe bllokimëve të qëllimshme që i ka bërë kësaj reforme Edvin Rama, përsoni më i interesuar për të mos patur një drejtësi të bazuar mbi vlerat dhe parimet e demokracive perëndimore në Shqipëri!
Fatmir Mediu, kryetar i PR:
Respektimi i kushtetutës, pa pazare, është e vetmja rrugë për të garantuar pushtetin gjyqesor të pavarur. Për fatin e keq veprimi i njëanshëm i Rames në miratimin e ligjeve dhe vonesa e opozitës në përzgjedhjen e njerëzve që bëjnë vetingun ka sjellë probleme të mëdha. Ka sjellë mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë si dhe ndikim të Partise Socialiste në këtë proces. /Koha Jone/