Nga Çlirim Gjata
Kur nazistët po largo heshin nga Parisi, vodhën shumë vepra arti të muzeve të tij. Kjo madje u konsiderua si një moment historie, në morinë e ngjarjeve të mëdha të LDB dhe forcat aleate fituese ndërmorën një hetim të posaçëm. Shumë u gjetën, shumë të tjera nuk dihet edhe sot ku janë. Mbetet e famshme thirrja e asaj gruas parisiene, drejtuar oficerit gjerman kur po ikte me makinën e mbushur me piktura, “unë të pashë çfarë ke marrë” (i fiksuar kaq bukur ky çast edhe në art). Kur ushtarakët e Tiranës shembën Teatrin Kombëtar, në protesta doli një parullë: “Ne ju pamë, ju e shembët Teatrin”. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Dëshmia. Ne jemi dëshmitarë. Dhe jo dëshmitarë të rremë, siç rëndom konsiderohen për shkaqe të ditura. Por një shoqëri dëshmitare për krimin e ndodhur publikisht. Dhe kur shoqëria bëhet dëshmitare e krimit, ajo nuk mund ta falë atë.
Qytetaria shqiptare ishte dëshmitare edhe për krimet e komunizmit, por sot ka një ndryshim. Qytetaria nuk është pjesëmarrëse në krim as aktivisht, as me heshtje dhe as me frikë. Përkundrazi, është dëshmitare kundërshtuese. Kjo është dhe thembra e Akilit e krimit, që drejton sot Shqipërinë. Mafia italiane humbi, jo dhe aq nga drejtësia, se sa kur qytetaria e Italisë së Jugut u deklarua kundër saj.
Siç e thotë edhe profesori i njohur Fitim ZEKTHI, “sundimtari mundohet me çdo mjet që shoqërisë t’i imponojë metodat e tij, në mënyrë që ta inkriminojë totalisht atë dhe ta bëjë bashkëfajtore në krim”, pak a shumë kjo ka ndodhur në komunizmin shqiptar, që ne e njohim shumë mirë.
Këtë po mundohet tash sa vjet të bëjë Edi Rama. Madje, jo që kur mori qeverinë, por që kur hyri aktivisht në politikë këtu e 22 vite më parë. Janë ngjarjet ato që e zbulojnë faktin se, ai e ka studiuar shumë mirë metodën e sundimit të Enver Hoxhës dhe me mjeshtrit e tij e ka përshtatur në kushtet e sotme. Thjesht një shembull. Në periudhën e sundimit enverist, babai dilte dëshmitar kundër djalit në gjyq, kur ky kishte tentuar të arratisej, ose anasjelltas, duke mbrojtur “vijën e Partisë”. Sot, Edi Rama nuk mund ta bëjë këtë, por nuk nguron të përdorë sëmundjen e djalit të tij për përfitime politike. Ja përshtatja në kushtet e sotme.
Ai është munduar gjithë këto kohë, që të paktën në një element e gjithë shoqëria të inkriminohet, në fenomenin korrupsion, në mënyrë që me këtë të mbulojë krimin e tij shumëplanësh. Kjo nuk bëhet dot vetëm, pa bashkëpunimin me krimin, jo dosido, por atë të organizuar; me kontrolluesit e parave, që nga bankat e deri parelinjtë oligarkë; me administratën shtetërore, e cila për këto shkaqe vjen një moment detyrues e nga ligjore kthehet në ushtarake. Dhe hyn në spiralen krim për të mbuluar krimin, pafundësisht.
Këtu shtohen edhe elemente të reja, siç është Ushtria e paguar e rrjeteve sociale për t’u konsideruar opinion publik, që nuk është gjë tjetër veçse “kolektivat”, që duartrokisnin dënimet e intelektualëve nëpër mbledhje a gjyqe në vitet para `90-s.
Trajnimi që i bëhet kësaj ushtrie është se një pjesë e mirë e atyre duhet të paraqiten si radikalë të djathtë, janë “kundër qeverisë”, por shajnë vetëm opozitën dhe shkojnë deri aty sa përmendin pushkët. Këta që paraqiten si radikalë të djathtë e tradhtojnë veten në një fakt fare të thjeshtë që iu ka shpëtuar. Janë shumë llafazanë. Flasin më shumë se duhet. Radikalët e vërtetë të djathtë (unë nuk jam i tillë, por i respektoj) nuk flasin gjatë, por veprojnë. E pra, kjo është në ADN-në e tyre, veprimi, jo fukarallëku i fjalëve. Ndërsa këta të “FB”-së, përdorin gjithmonë të njëjtat teza, të cilat kanë dalë nga zyrat e lali Erit dhe Edi Ramës. Ndaj, të gjithëve atyre që shajnë nga pozita e radikalit të djathtë, po ju them vetëm një gjë: bëjeni vetë atë që na e kërkoni ne dhe që ne, për arsye “tradhtie”, nuk po e bëkemi dot. Ose lëpini pështymën që hidhni.
Tjetër inkriminim në bashkëpunimin me Ramën, vjen edhe nga të ashtuquajturit persona publikë, të nënshtruarit e përjetshëm, që i kanë gati shkrimet, menjëherë sapo ndodh ngjarja, dhe gjithmonë kundër më të dobëtit e maksimumi asnjë fjalë lëvduese kundër qeverisë, nën formulën e famshme politically correct, që në shqip përkthehet “të lash atë… me këtë…”. Edhe në rastin e Teatrit, këta personazhe flasin e shkruajnë me postulate ex catedra, që në shqip do të thotë “si nana e Zeqos, majë thanës”, gjithmonë dhe të gjithë me një tezë: “Po opozita, pse nuk e mbrojti?”. Se mos guxojnë të thonë: “Po qeveria pse e prishi?”. Për qeverinë ka vetëm heshtje, si një larje duarsh. Ka dy mijë vjet, që nuk po na ndahet larja e duarve.
Pikërisht kjo qenie ka qenë historikisht armiku i vërtetë. Kështu silleshin këta para ’90-s, kështu sillen edhe tani. Ushqimi kryesor i politikës së pushtetit. Edhe një gjë. Kur të vij PD-ja në pushtet, këta janë gati të shërbejnë njësoj. Kjo shtresë e meriton shtypjen e nënshtrimit.
Shikoni Këshillin Bashkiak Tiranë. Çfarë inkriminimi. Rama i ka korruptuar të gjithë në disa poste pune dhe borde drejtuese ku marrin deri në 7 apo 8 rroga të larta (ka këshilltarë që vetëm nga rrogat fitojnë 10 mijë euro në muaj). Normal pastaj, që janë të gatshëm ta shembin Teatrin me e-mail. Ata nuk mund t’i kthejnë Ramës 7 rrogat mujore ndër vite, se s’po them ndonjë gjë tjetër. Për sa i takon burgut? “Shohim e bëjmë, me kismet! Po shkoi Rama, do gjejmë zgjidhje”. Kjo është logjika e tyre, më pragmatistja në histori.
Këtu nuk po përmend gazetarë që marrin një rrogë në media dhe dy në shtet. Normal që nuk e ngrenë zërin kur tentohet të mbyllet “Ora”, apo kur rrihet paq nga Policia gazetari Lela. Uroni, o të mjerë, që Rama të rrëzohet shpejt, ndryshe do t’ju vijë radha edhe ju për t’u rrahur nga ai. Në diktaturë, radha të vjen gjithmonë.
Edhe artistët?! A u inkriminuan? Kurrë nuk kam, sharë jo e jo, folur ndonjëherë kundër ndonjë artisti. Janë racë ndryshe, ndaj nuk do flas as sot kundër tyre. Por,ai peticioni, ai peticioni është shumë i dhimbshëm. Pasi u shemb Teatri, firmosën peticionin për shembje. E tmerrshme deri ku shkon diktati. Kjo do dhëmbi shumë gjatë. Nejse. Ka menduar Zoti edhe për këtë. Ata artistë që udhëhoqën qëndresën dhe u masakruan nga trupat policore kanë shpëtuar moralin edhe të kolegëve të peticionit. Ironia e forcës së gjërave.
A ja ka dalë Rama ta realizojë inkriminimin total? Patjetër që jo. Kur nuk e realizuan dot as Hitleri, Stalini, Mao, Enver Hoxha, s’do t’ia dalë dot surrogatoja i tyre, Edi Rama. Teatri Kombëtar është ngjarja që e provon këtë. Dy vjet e tre muaj protestë dhe qëndresë qytetare, më e gjata në histori (po e përsëris: E denjë për GUINNESS) sfiduan mbi të gjitha edhe inkriminimin korruptiv të Ramës.
Fakti që u detyrua që nëpërmjet një operacioni ushtarak dhe me armë zjarri, të ndërhynte për shtypur qëndresën, flet jo thjeshtë për dobësi, por për dështimin e tij në sundim. Janë pikërisht këta qëndrestarë, qytetarë, aktivistë, të rinj e të reja, të angazhuar apo të pa angazhuar, deri dhe praktikantë fetarë dhe më kryesorja artistët, që bërtitën: “Ne e pamë kush e shkatërroi Teatrin Kombëtar”. Njësoj si francezja oficerit nazist për pikturat.
Kjo nuk është pak. Qëndresa tregoi se qytetaria nuk është inkriminuar, nuk është korruptuar, përkundrazi është dëshmitare e vërtetë kundër krimit shtetëror. Atëherë, ku jemi këtu? Në një luftë midis qytetarisë, që ekziston në emër të vlerave dhe vandalëve primitivë, që shkatërrojnë në emër të modernitetit.
Gjithsesi, nazistët nuk e shkatërruan Parisin. Komandanti gjerman i trupave në momentin e fundit anuloi urdhrin direkt të Hitlerit, për hedhjen në erë të qytetit. Megjithëse ai kishte vrarë dhe zhdukur me mijëra njerëz në atë kasaphanë, në fund të fundit, diçka i kishte mbetur si vlerë, që e detyroi të mos shkatërronte atë qytetërim, të cilin e kemi edhe sot.
Ndërsa Erion Velia e zbatoi me shpejtësi urdhrin e Edi Ramës për shembjen e Teatrit. Kaq thellë ka hyrë inkriminimi te ky njeri, sa nuk gjente te vetja as atë vlerën e fundit të komandantit nazist të Parisit.
Por njerëzit e panë. Ndaj dhe deklamojnë me zë të lartë: Edi Rama dhe Erion Veliaj, ju e shembët Teatrin Kombëtar. Ne ju pamë.