Presidenti Ilir Meta prezantoi në një konferencë për mediat këtë të Premte, platformën që sipas tij synon përshpejtimin e integrimit në BE.
Propozimet kryesore të tij janë: përfundimi i Reformës Zgjedhore, shmangien e parlamentit për ndryshimet në Reformën në Drejtësi dhe kalimin e vendimmarrjes tek Këshilli Politik, plotësimi dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese, largimin e Dvoranit si gjyqtar dhe si kryetar i KED-it, tërheqja e qeverisë nga paketa anti-shpifje dhe nga ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese për betimin e anëtarëve të GJK-së.
Meta deklaroi se ia ka dërguar platformën e tij që më 8 prill kryeministrit Rama, por nuk ka marrë një përgjigje prej tij: “Në 8 prill i kam nisur kryeministrin Rama këtë projekt-platformë që po e bën publike sot, të cilën ua kam paraqitur dhe anëtarëve të BE dhe partnereve që janë të interesuar që Shqipëri të vazhdojë rrugën evropianë. Nuk kam marrë asnjë përgjigje.”
Reagimi i Ramës
Ndërkohë, Rama në një reagim, shprehet se: “Presidenti nuk më ka dorëzuar asnjë platformë, por jam gati të ulem në çdo moment me të, me opozitën brenda/jashtëparlamentare e me partnerët e Reformës në Drejtësi, që t’i vëmë pikat mbi “i” të gjitha pikave të të gjitha palëve në shqip/anglisht, se teatri ra, iku e na la”.
Problematikat
Në fillim të fjalës së tij, Meta listoi problematikat e hasura dhe më tej bëri propozimet:
“Duke patur parasysh objektivin kombëtar për një proces të besueshëm, të qëndrueshëm dhe të shpejtë të anëtarësimit në BE; Duke konsideruar se një qasje gjithëpërfshirëse është e domosdoshme për zbatimin e të gjitha kushteve që lidhen me zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare që çelin negociatat; Duke risjellë në vëmendje problemet serioze lidhur me zbatimin e duhur të reformës në drejtësi, dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë; Duke vërejtur me shqetësim të madh mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese për më shumë se dy vjet, e cila ka cenuar mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të individëve dhe e ka lënë veprimtarinë qeveritare dhe parlamentare jashtë kontrollit kushtetues; Gjithashtu, mos funksionimi i Gjykatës së Lartë që ka çuar rritjen e konsiderueshme të stokut të çështjeve të pashqyrtuara (më shumë se 36.000), duke u mohuar qytetarëve aksesin në drejtësi, duke shkelur kështu të drejtat themelore të njeriut; Duke kujtuar pasojat e shkaktuara nga bllokimi politik i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për dy vite rresht, 2017-2018, dhe aktivitetin e dyshimtë të KED gjatë vitit 2019, veçanërisht nga Kryetari i KED 2019; Duke theksuar domosdoshmërinë imediate për një sistem gjyqësor plotësisht funksional dhe efikas; Duke vërejtur nivelin e papranueshëm të përfaqësimit në Parlamentin shqiptar, dhe përbërjen e tij në mospërputhje me dispozitat kushtetuese, (neni 64/1); Duke kujtuar vlerësimin e pavarur dhe rekomandimet e mençura të Komisionit të Venecias, në draft Opinionin e tij të datës 6 mars 2020; Duke mirëpritur angazhimin e forcave politike në kuadrin e Këshillit Politik, si një mekanizëm i përshtatshëm për të çuar përpara reformën zgjedhore; Të gjitha palët duhet të ndërveprojnë përmes një dialogu konstruktiv, të dakordësohen dhe të ndërmarrin veprimet e mëposhtme”, tha Meta.
Propozimet
Më tej bëri propozimet:
- Mazhoranca dhe opozita (parlamentare dhe joparlamentare) të përkushtohen menjëherë për të përfunduar Reformën Zgjedhore, duke adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe përfundimet përkatëse të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të 25 marsit 2020 të Bashkimit Evropian;
- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë funksionimin, përfshirë ndryshimin e akteve nënligjore të tij, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias të draft-Opinionit të 6 marsit 2020. Për tre vakancat nën shqyrtimin aktual (2 nga Presidenti dhe 1 nga Parlamenti), KED duhet të vazhdojë me dorëzimin e listave të kandidatëve në secilin institucion sipas radhës kushtetuese – President – Parlament – President;
- KED duhet të lejojë pjesëmarrjen e Avokatit të Popullit në të gjithë kohëzgjatjen e veprimtarisë dhe vendimmarrjes së tij, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin;
- Mandati i Kryetarit aktual të KED përfundon në kontekstin e emërimit së fundmi të tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Kryetari aktual i KED menjëherë humbet të gjitha të drejtat për të vazhduar ushtrimin e këtij mandati, tashmë të tejkaluar, si anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe rrjedhimisht si Kryetar i KED;
- Parlamenti shqiptar të plotësojë menjëherë çdo boshllëk ligjor, në mënyrë që Presidenti ose Parlamenti të mund të hedhin shortin për plotësimin e vakancave të KED brenda vitit kalendarik;
- Parlamenti shqiptar të tërhiqet dhe të frenohet nga çdo nismë ligjore për ndryshimin e formatit dhe procedurës së betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe funksionarëve të tjerë të lartë të sistemit të drejtësisë;
- Parlamenti shqiptar të tërhiqet nga “paketa anti-shpifje” dhe të frenohet për çdo nismë të ngjashme ligjore në të ardhmen;
- Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues në lidhje me reformën në drejtësi duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik;
- Në kuadrin e Këshillit Politik, palët të bien dakord brenda qershorit të emërojnë Kryenegociator për anëtarësimin në BE, një Ekspert të Nivelit të Lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është reciprokisht i pranueshëm.
- Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të emërohen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe sa më shpejt që të jetë e mundur;
- Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të miratojnë menjëherë hartën e re gjyqësore të rishpërndarjes së burimeve njerëzore brenda sistemit gjyqësor të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të vazhdojnë me plotësimin e vakancave të krijuara për shkak të dorëheqjeve ose procesit të vetting-ut;
- Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet t’i japë përparësi vlerësimit të mbingarkesës së Gjykatës Administrative të Apelit dhe të propozojë masat e nevojshme që mundësojnë një proces të rregullt ligjor brenda afatit (1 muaj) në këtë Gjykatë;
- Parlamenti shqiptar duhet të shqyrtojë në një proces të drejtë, jashtë interesit politik, kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetar të Institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.