Artan Spahiu/ Rama emëroi vartësin e “Lal Qazimit” monitorues “të pavarur” të Reformës në Drejtësi

Nga Boldnews.al

Tashmë që partnerët ndërkombëtarë i janë rikthyer me forcë dhe kërkojnë përshpejtimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, “Boldnews.al” zbulon një fakt skandaloz, i cili forcon më tej dyshimet se institucionet e reja janë nën kontrollin absolut të Edi Ramës.

Artan Spahiu, ishte këshilltar i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, kur u zgjodh dy vjet më parë në Parlamentin e Shqipërisë si drejtues i Komisionit të Pavarur për Monitorimin e Ecurisë së Reformës në Drejtësi.

Ky fakt, i panjohur deri më tani, zbulohet nga “Biografia Profesionale” që ka dorëzuar Spahiu pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku ka kandidur për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilltar i “Lal” Qazimit

Artan Spahiu deklaron, ndër të tjera, se, që prej vitit 2015 e në vijim mban funksionin e Këshilltarit Juridik në Bashkinë e Elbasanit.

Për 4 vjet me radhë, 2015-2019, ai ka punuar nën varësinë e Qazim Sejdinit, ky i fundit i akuzuar fuqishëm nga opozita për lidhje të ngushta me eksponentë të krimit të organizuar.

Madje, këto akuza, si edhe të dhëna të shërbimeve partnere, duket se shënuan edhe fundin e karrierës së tij politike në vitin 2019, kur kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vendosi të mos e kandidonte për votimet e 30 qershorit.

LEXO EDHE  Kurti: Nuk i nënshtrohemi këtij Presidenti helaq

Megjithatë, pavarësisht se Sejdini u largua nga posti i kryebashkiakut, të dhëna të shumta dëshmojnë se ai është një nga njerëzit më të besuar të kryeministrit Edi Rama.

Në bazë të këtyre lidhjeve, duket se ka dalë në skenë edhe emri i juristit dhe ekonomistit Artan Spahiu.

Në vitin 2018, Artan Spahiu zgjidhet nga shumica socialiste në Parlament, në postin e Kryetarit të Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e  Zbatimit të Ligjit për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”.

Spahiu është ende në detyrën që i ka ngarkuar Parlamenti, ndërkohë që vijon të jetë Këshilltar Juridik edhe i Gletjan Llatjas, ish-bashkëpunëtor i ngushtë dhe tashmë pasardhës i Qazim Sejdinit në krye të Bashkisë së Elbasanit.

Kandidat për Kushtetuese

Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Qazim Sejdinit, Artan Spahiu, tashmë synon të emërohet në Gjykatën Kushtetuese.

Ai është një ndër 10 aplikantët që kandidojnë për vendin e lënë vakant në Kushtetuese, pas shkarkimit të anëtarit Besnik Muçi.