Një skenar i pretenduar për një pronar gjerman të 3.4 milionë eurove të sekuestruara në Durrës dhe ambicieve të tij për të blerë toka në bregdet rrëzoi hetimet e kryera në Shqipëri, Belgjikë dhe Gjermani për rrjetin e dyshuar të pastrimit të parave përmes importit të makinave “Toyota Auris” –pa u verifikuar as nga Prokuroria dhe as nga Gjykata.
Mbrëmjen e 13 marsit 2019, një qytetar gjerman i quajtur Carlo Rizzatto zbriti në aeroportin e Rinasit me një histori të pabesueshme në bagazh – ai pretendon se është pronari i rreth 3.4 milionë eurove të sekuestruara në portin e Durrësit dy vjet më parë, si pjesë e dosjes hetimore të njohur si “Toyota Auris”.
Ditën e dytë të qëndrimit në Tiranë, më 15 mars, 59-vjeçari nga Shtutgarti u shfaq vullnetarisht para një oficeri të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai u prezantua si biznesmen i përpunimit të floririt me ambicie për të investuar në fushën e turizmit në Shqipëri.
Rizzatto pretendoi gjithashtu se ishte burimi i shumës më të madhe të parave të sekuestruara ndonjëherë nga policia shqiptare.
“Këto vlera monetare janë të ardhura që burojnë nga ushtrimi i biznesit të përpunimit të metaleve të çmuara në adresën Friedrich STR, 29, Gjermani,” mësohet të ketë thënë Rizzatto në dëshminë e tij. “Ia kam dhënë cash Elvis Vladit për fillimin e një veprimtarie biznesi”.
Pas ndalesës së shkurtër në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, Rizzatto u nis sërish drejt Rinasit, prej nga u largua me një avion të orës 15:00 të linjës Austrian Airlines.
Në Tiranë, alibia e tij përmbysi rrjedhën e njërit prej hetimeve më të bujshme të viteve të fundit –e cila po shkon drejt gjykatës si një çështje e rëndomtë e mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dokumenteve gjyqësore tregojnë se hetimet e kryera në Shqipëri, Belgjikë dhe Gjermani për zbulimin e rrjetit të personave që qëndrojnë pas 3.4 milionë eurove u barazuan me zero në gjykatë –pas shfaqjes së skenarit të denjë për një film, që aludonte se paratë kishin si burim një biznesmen gjerman dhe si destinacion, blerjen e një sipërfaqeje toke në bregdetin e Shqipërisë.
Në funksion të këtij versioni, i akuzuari kryesor i çështjes, Elvis Vladi pranoi se kishte kryer shkelje që nuk i deklaroi paratë në kufi, ndërsa shkarkoi nga përgjegjësitë pesë të pandehurit e tjerë të çështjes.
Alibia e Vladit i ngjan qindra skenarëve që përdoren rëndom në gjykata për t’i shpëtuar drejtësisë. Megjithatë, një gjyqtar i Krimeve të Rënda e konsideroi atë të besueshme dhe pasi rrëzoi akuzat për pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, e urdhëroi Prokurorinë që të faktonte pretendimet e të pandehurve.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se Prokuroria nuk e verifikoi alibinë, ndërsa gjykata bëri një sy qorr ndaj hetimeve të mangëta, duke legjitimuar kërkesën e avokatëve mbrojtës për kualifikimin e veprës penale.
E pyetur për dështimin e hetimit, Prokuroria u përgjigj se ndryshimi i akuzave ishte diktuar nga vendimi i gjykatës. Në të kundërt, gjyqtari Fran Prendi fajëson në vendim Prokurorinë për hetime të paplota dhe mungesë provash ndaj të pandehurve.
Radovan Çela, avokat i të pandehurve Elvis dhe Alfred Vladi si dhe i Alban Mollaymerit i tha BIRN se “Prokuroria kishte zero prova përveç 3.4 milionë eurove”, ndërsa mburri vendimin paraprak të gjyqtarit Fran Prendi si një ndër më të mirët që kishte lexuar ndonjëherë.
Avokati Çela shtoi se alibia ishte mënyra e tyre për të treguar se kujt i përkisnin paratë, ndërsa ishte i paqartë për rrethanat e njohjes së Vladit me Rizzatton apo detajet e shkëmbimit të pretenduar të parave.
“Karlo m’u duk bindës, ai është në moshë madhore dhe mban përgjegjësitë e veta për atë që deklaron,” tha avokati.
Kapitullimi i akuzës
Më 23 shtator 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi të dërgojë çështjen në gjyq, ndonëse një pjesë e letër-porosive të ardhura nga Belgjika dhe Italia ishin ende të papërkthyera. Vendimi për t’iu drejtuar me urgjencë gjykatës u nxit edhe nga një udhëzim i ish-drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, i motivuar me limitet e afateve të paraburgimit për të pandehurit.
Në udhëzim, Prela arsyeton se prokurorët Musabelliu dhe Nakuçi kishin kryer veprime të konsiderueshme hetimore dhe kishin konkluduar me ngritjen e akuzave.
E megjithatë, hetimi kapitulloi në përballjen e parë me gjykatën.
Në seancën paraprake të zhvilluar më 29 tetor 2019, prokurorët pretenduan se pesë të pandehurit kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal me qëllim pastrimin e 3.4 milionë eurove përmes “fshehjes, mbulimit të burimit dhe zhvendosjes së pasurisë”. Prokurorët e justifikuan anën subjektive të veprës penale me tërësinë e veprimeve të të pandehurve dhe organizimin e tyre për të fshehur paratë, duke ditur paligjshmërinë e burimit të tyre. “Në të kundërt, do t’i kishin transferuar ato nëpërmjet formave ligjore, duke ekspozuar edhe burimin e tyre, gjë që nuk e kanë dashur,” argumentuan prokurorët.
Avokatët e të pandehurve pretenduan se katër klientët e tyre kishin kryer biznes të ligjshëm të transportit të makinave të përdorura nga Belgjika dhe se vetëm njëri prej tyre, Elvis Vladi, ishte në dijeni të parave. Ata kërkuan rrëzimin e akuzave për të pandehurit e tjerë dhe i sugjeruan gjykatës se vepra penale ishte ajo e “mosdeklarimit të të hollave në kufi” për Vladin.
Gjyqtari Fran Prendi i konsideroi hetimet të paplota dhe vendosi të kthejë aktet për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Sipas vendimit të Prendit, prokurorët nuk ofruan asnjë provë që të tregojë se të pandehurit kanë kryer ndonjë vepër penale në territorin e Shqipërisë ose jashtë saj, si rezultat i së cilës të jenë krijuar vlerat monetare të sekuestruara.
“Në kushtet kur nuk kemi një vepër penale ose një veprimtari kriminale e cila ka nxjerrë produkte kriminale, nuk mund të ekzistojë as vepra penale e pastrimit të produkteve të një vepre penale që nuk ekziston,” argumenton Prendi në vendim.
Pasi rrëzoi akuzat e Prokurorisë, gjyqtari e urdhëroi këtë të fundit që të marrë dhe të përkthejë të gjitha aktet e letër-porosive nga autoritetet belge, gjermane dhe italiane si dhe të bëjë një analizë të plotë të fakteve të tyre –veçanërisht nëse të pandehurit kanë kryer ndonjë vepër penale në këto vende që ka nxjerrë përfitime materiale.
Prendi kritikoi në vendim prokurorët se nuk kanë shqyrtuar pretendimet e mbrojtjes së Vladit dhe se nuk kanë dalë me qëndrim nëse versioni i tij “nuk është i vërtetë” apo që “nuk mund të provohet”.
Gjyqtari urdhëroi më tej prokurorët që të marrin në pyetje avokatin Bledar Fejzo dhe të administrojnë ekstraktet e studios të tij ligjore nga Qendra Kombëtare e Biznesit si dhe të identifikojnë dhe të marrin në pyetje të gjithë pronarët e e tokës. Pyetja kryesore në adresë të tyre, sipas gjyqtarit do të ishte nëse ishin në dijeni se kush ishte investitori që do të blente tokën e tyre.
Në seancën e dytë paraprake të zhvilluar më 10 dhjetor 2019, prokurorët u rikthyen para gjykatës vetëm me dëshminë shtesë të avokatit Bledar Fejzo –që konfirmonte versionin e Vladit.
Prokurorët thanë se kishin përkthyer letër-porositë, por “nuk kishte rezultuar ndonjë e dhënë e re në krahasim me aktet që janë administruar gjatë hetimit”.
Prokurorët konsideruan gjithashtu se pyetja e pronarëve të tokës ishte e panevojshme.
“[Bledar Fejzo] Pretendon se i përfaqësuari prej tij, Janaq Jorgo nuk ka qenë në dijeni të bisedave të kryera mes tij dhe Elvis Vladit, kështu që organi i akuzës ka vlerësuar se pyetja e tij është e panevojshme, pasi ai nuk ka qenë prezent në veprimet që janë kryer mes Bledar Fejzos dhe Elvis Vladit,” argumentuan prokurorët.
Seanca e 10 dhjetorit 2019 duket se u mbyll me kompromis mes avokatëve, prokurorëve dhe gjyqtarit -pasi përfaqësuesit e Prokurorisë i konsideruan të gabuara dhe të pasakta akuzat e ngritura më parë prej tyre.
“Bazuar në urdhërimet e vendimit 106, datë 29.10.2019, në kushtet kur nuk është bërë i mundur nga ana jonë plotësimi më tej i hetimeve për vazhdimin e akuzës në kushtet siç ishim, organi i akuzës çmon se jemi përpara rastit të nenit 332/d, paragrafi 3 për të proceduar me ndryshimin e akuzës…,” u tërhoq Prokuroria.
“Pra, mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve për të gjithë të pandehurit, me përjashtim të të pandehurit Agim Çeka, akuza e të cilit mbetet e pandryshuar,” shtuan ata –duke pranuar akuzën që parashikon dënime deri në 2 vjet burg.
Lehtësimi i akuzës i hap gjithashtu rrugën pretendimeve për 3.4 milionë eurot e sekuestruara.
“Kur ka mosdeklarim, nuk do të thotë që lekët kanë burim kriminal,” tha avokati Radovan Çela, ndërsa sqaroi se nuk kishte ende autorizim nga klientët që të merrej me paratë. “Nëse nuk ka vepër penale, paratë t’i kthehen të zotit,” përfundoi ai. /Marre me shkurtime nga BIRN/