Wuhani ishte vendi i parë që përshkoi të dyja anët e lakores së COVID-19, dhe mënyra si do të ndryshojë pas kalimit të virusit, do të na tregojë shumë për të ardhmen në pjesën tjetër të botës
Çdo ditë, në fabrikën Lenovo në periferi të Wuhan-it, ku prodhohen tableta dhe telefona celularë, punonjësit që mbërrijnë kontrollohen nga një mbikëqyrës për të bërë kontrollin e parë nga katër kontrollet e temperaturës, shkruan The Economist.
Rezultatet futen në një sistem të mbledhjes së të dhënave të hartuar nga stafi. Çdokush me temperaturë mbi 37.30C (99.1F) shënohet automatikisht dhe më pas hetohet me kujdes nga një “forcë pune antivirusi”, shkruan Bloomberg.
Rutina e përditshme në fabrikë, e cila u rihap më 28 mars pas pezullimit të aktivitetit për më shumë se dy muaj, për shkak të pandemisë së koronavirusit që u përhap për herë të parë në këtë qytet në Kinën Qendrore, ka ndryshuar tërësisht për të zvogëluar rrezikun e infeksionit. Para se të ktheheshin në punë, anëtarët e stafit duhej të testoheshin për virusin dhe për antitrupa që tregojnë sëmundje të kaluara, si dhe duhej të prisnin rezultatet e tyre të izoluar në një konvikt të posaçëm.
Pasi u vërtetua se ishin të shëndetshëm, ata u rikthyen në punë, ku kapaciteti i zyrave të mbledhjeve të modeluara për gjashtë veta tashmë ishte reduktuar në tre dhe tavolinat e kafeneve më parë të vendosura pranë, ishin ndarë nga barriera vertikale të mbuluara me postera që u kujtonin njerëzve të shmangnin bisedat mes tyre.
Shenja të vendosura gjithandej tregojnë se kur janë dezinfektuar zonat për herë të fundit, dhe janë përdorur robotë për të transportuar furnizime, për të ulur sa më shumë numrin e njerëzve që duhet të zhvendosen nga një vend në tjetrin. Edhe ashensorët tashmë i përkasin së kaluarës; të gjithë duhet të përdorin shkallët, duke ruajtur distancën gjatë gjithë rrugës.
Nga mesi i prillit, personi përgjegjës për të gjitha këto masa ishte Shi Jue, drejtuesi i operacioneve në Wuhan për Lenovo Group Ltd. Shi, 48 vjeç, me flokë të prerë shkurt dhe një fizik të fortë, ndodhej për vizitë në qytetin e tij të lindjes, Tianjin, në veri të Kinës, kur qeveria vendosi të izolojë Wuhan-in nga pjesa tjetër e vendit, më 23 janar. Ai arriti të rikthehej në Wuhan, vetëm në 8 shkurt, pasi bleu një biletë treni për në Çangsha, më në jug të Kinës, dhe iu lut ekuipazhit që ta linte të zbriste në Wuhan. Detyra e tij ishte të rikthente ngadalë fabrikën në normalitet duke u treguar sa më i kujdesshëm. “Detyra parësore është mbajtja e virusit larg fabrikës, ndërsa sasia e prodhimit është dytësore”, tha ai.
Shi është një nga miliona njerëzit në Wuhan që po përpiqen të kuptojnë sesi do të duket jeta ekonomike dhe sociale pas pandemisë më të keqe në një shekull. Në disa aspekte, situata duket e mirë. Përhapja e virusit në provincën Hubei arriti kulmin në mes të shkurtit, dhe sipas statistikave zyrtare tani nuk është regjistruar pothuajse asnjë infeksion i ri (megjithëse qeveritë e tjera kanë hedhur dyshime mbi shifrat zyrtare të Kinës).
Por shkencëtarët paralajmërojnë se koronavirusi i ri është i fshehtë dhe i fortë, dhe një valë e re është ende e mundur derisa të jetë gjetur një vaksinë e besueshme. Qeveritë në të gjithë botën do të përballen me të njëjtën dilemë të frikshme që po përballet qeveria kineze: si ta ekuilibrojë këtë rrezik me nevojën për të rihapur një qendër industriale prej më shumë se 10 milionë njerëzish.
Deri tani, Wuhan është përgjigjur duke krijuar një version normaliteti që do të dukej krejtësisht i huaj për njerëzit që jetojnë në Londër, Milano ose Nju Jork – të paktën për momentin. Rutina e përditshme ka rifilluar kryesisht, por gjithsesi mbeten kufizime të konsiderueshme për një numër të madh aktivitetesh, nga funeralet deri te pritja e mysafirëve në shtëpi. Në sajë të mbikëqyrjes së fortë të shtetit kinez, edhe ndërveprimet më të thjeshta janë subjekt i një infrastrukture të gjerë të monitorimit publik dhe privat, që synon të sigurojë që infeksionet të zbulohen brenda disa orëve.
Por sado që qytetarët mund t’i rikthehen jetës normale që kishin para janarit, nuk është e qartë nëse e duan me të vërtetë këtë gjë, pas asaj që kanë kaluar. Qendrat tregtare dhe dyqanet janë përsëri të hapura, por kryesisht bosh. E njëjta gjë është e vërtetë për restorantet; në vend që të dalin për të ngrënë, njerëzit e porosisin ushqimin. Stacionet e metrosë janë të qeta, por po shiten mjaft automjete: ngecja në trafik është e bezdisshme, por të paktën ruhet distanca sociale.
Shi mendon se ai është në anën e duhur të këtij riekuilibrimi ekonomik. Janë rritur shumë kërkesat për tableta tani që shkollat në mbarë botën po e kryejnë mësimin online dhe kompanitë që në të ardhmen kërkojnë të investojnë në kryerjen e punës nga shtëpia, nuk kanë të ngjarë ta kufizojnë buxhetin e teknologjisë. Që nga rifillimi i veprimtarisë së fabrikës, Shi ka punësuar më shumë se 1.000 punëtorë, duke e çuar totalin në mbi 10,000 persona, dhe linjat e prodhimit po funksionojnë me kapacitet të plotë.
Megjithatë, ai tha se ishte i vetëdijshëm se sa shpejt do të ndalte puna sikur edhe një punonjës i vetëm të infektohej. “Në takimet me stafin, unë u them gjithmonë: ‘Mos u hallakatni, mos u hallakatni. Nuk mund të lejojmë asnjë aksident’”.
Më shumë se 80% e 84,000 rasteve të konfirmuara në Kinë me COVID-19, dhe më shumë se 95% e 4600 vdekjeve të konfirmuara, kanë qenë në Hubei, rajon ku Wuhan është kryeqyteti dhe qyteti më i madh. Kontrolli i shpërthimit të virusit në këtë zonë kërkoi një përpjekje të jashtëzakonshme, sidomos pas një sërë gabimesh nga qeveria e presidentit Shi Xhinpin, i cili fillimisht e minimizoi rrezikun e transmetimit mes njerëzve dhe nuk arriti të parandalonte përhapjen e infeksionit tek personeli mjekësor.
Më shumë se 40,000 mjekë dhe punonjës të tjerë të stafit mjekësor u dërguan në Hubei nga rajone të tjera të vendit për të ndihmuar spitalet më të rënduara dhe për të punuar në spitale në terren, të ndërtuara brenda vetëm 10 ditësh. Kompanitë e makinave dhe elektronikës u nxitën për të prodhuar veshje mbrojtëse. Njerëzve që dyshohej se ishin të infektuar u kërkohej të shpërnguleshin në konvikte dhe hotele të përdorura si ambiente izolimi, dhe lejoheshin të shkonin në shtëpi vetëm pasi të ishin shëruar plotësisht.
Hubei ishte rajoni i fundit i Kinës që iu rikthye normalitetit. Masat e izolimit u hoqën në mënyrë progresive nga fundi i marsit deri në 8 prill, më shumë se tre muaj pas fillimit të epidemisë. Qeveria e shpalli këtë moment si një fitore vendimtare – pjesë e një përpjekjeje gjithëpërfshirëse për të portretizuar ecurinë e virusit si një triumf të Partisë Komuniste, në kontrast me përhapjen e tij katastrofike në demokracitë perëndimore.
Udhëtimet
Në orët e vona të 7 prillit, turmat filluan të mbërrinin në Uçang, një nga tre stacionet më të mëdha hekurudhore në Wuhan. Pas javësh të tëra bllokimi, treni i parë do të nisej nga Wuhan drejt Guangzhout, në orën 00:50, i ndjekur nga një orar i dendur nisjesh të tjera drejt shumë qyteteve kryesore të Kinës. (Në sajë të pozicionit të qytetit si vendndodhje ku kryqëzohen rrugë kryesore hekurudhore dhe rrugore, dhe prodhimit të tij industrial, Wuhan shpesh është krahasuar me Çikagon).
Policë të veshur me uniforma të zeza dhe maska mjekësore duket se janë përhapur ngado. “Skanoni kodin tuaj!” u bërtisnin udhëtarëve që u afroheshin portave të nisjes. Sistemi publik-privat i “kodit shëndetësor” që hartoi Kina për të menaxhuar COVID-19, i cili mund të aksesohet në aplikacionet Alipay dhe WeChat, por që është i lidhur ngushtë me qeverinë, i cakton çdo qytetari një nga tre statuset e rrezikut viral – i kuq, i verdhë ose i gjelbër. Është një mjet i fuqishëm me potencial të qartë për abuzime.
Një kod i gjelbër QR, i cili tregon një rrezik të ulët për mbartjen e virusit, është statusi i përgjithshëm, ndërsa kontakti me një person të infektuar mund të shkaktojë një kod të verdhë dhe një karantinë të detyrueshme. Kodi i kuq tregon një rast të mundshëm ose të konfirmuar.
Për të udhëtuar në një qytet tjetër, është i nevojshëm kodi i gjelbër. Zeng Xiao, 22 vjeçe, megjithëse ishte me kod të gjelbër dhe ndihej mirë, ishte nervoze para hyrjes në tren. “Gjithsesi ka mundësi që të më ndalin nëse kam temperaturë të lartë”, tha ajo ndërsa po i afrohej zonës së nisjes. Para se të shkonte në stacion, Zeng kishte kontrolluar vazhdimisht nëse kishte temperaturë, duke u shqetësuar se edhe po të ishte pak e ngrohtë, nuk do të lejohej të nisej për në Guangzhou, ku ajo punon si mësuese. “U bënë gati tre muaj që nuk e kam parë macen time”, tha ajo. Nuk kishte pse të shqetësohej. Skanimi i temperaturës ishte normal dhe shumë shpejt ajo mundi të hipte në tren për t’u nisur drejt jugut.
Një tjetër pasagjer do të udhëtonte në ditën e parë të nisjes së trenave. Shin Xian, 26 vjeç, kishte ngecur në qytet që kur filloi bllokimi. Ai ishte me pushime në Wuhan kur u vendos karantina në Hubei dhe pavarësisht lutjeve, nuk e lejuan të nisej më parë me tren. Nga mesi i shkurtit, ai e siguronte jetesën falë kredive në internet. “Çdo vakt haja makarona”, tha. Më pas arriti të siguronte një dhomë në një konvikt të ndërtuar nga qeveria vendore për njerëzit që nuk mund të largoheshin.
Ai gjithashtu fitonte para duke bërë punë të rëndomta në Spitalin Leishenshan, një nga spitalet e përkohshme të ndërtuar për të trajtuar pacientët me koronavirus. Xian e humbi punën e rregullt në një kompani në provincën Jiangsu që prodhonte robotë, sepse nuk mund të kthehej, dhe tani do të nisej për në Guangdong për të kërkuar një tjetër dhe për të takuar familjen. Nuk u kishte thënë prindërve se ku kishte qenë gjatë gjithë kësaj kohe; ata thjesht mendonin se kishte udhëtuar për punë. “Nuk do t’u tregoj që kam qenë në Wuhan”, tha Shin.
Jeta e përditshme
Në agim, jeta e përditshme nis sërish në Wuhan, gjithmonë duke treguar kujdesin më të madh. Parukeritë janë ndër bizneset e para që frekuentohen. Në rrugë është rritur trafiku dhe punonjësit janë rikthyer në zyrat në qendër të qytetit. Por këto liri të reja janë të kufizuara.
Në hyrje të çdo qendre tregtare ose ndërtese publike, qëndrojnë roje duke mbajtur skanera të temperaturës, të gatshëm për të larguar këdo që mund të jetë i dyshimtë. Kodet e gjelbra, që janë të nevojshme edhe për të udhëtuar me metro, janë bërë tashmë aseti më i çmuar në qytet, dhe një aset që mund të humbë fare lehtë. Mjafton të vizitosh të njëjtën ndërtesë që është vizituar nga një person që më vonë zbulohet se është i infektuar, dhe kodi yt bëhet i verdhë. Pronarët e godinave të hyrjeve me qira, ende rezervojnë të drejtën për të mos i lejuar banorët të largohen nëse aty raportohen raste të reja, siç vepronin gjatë periudhës së karantinës.
Edhe në qytetin ku u përhap virusi për herë të parë, rreziku mbetet i lartë, pavarësisht përpjekjeve më intensive në historinë e shëndetit publik. “Rastet asimptomatike dhe rastet e importuara janë ende të rrezikshme”, deklaroi Vang Xinghuan, presidenti i një prej spitaleve kryesore të qytetit dhe spitalit Leishenshan, në një konferencë për shtyp para mbylljes së këtij të fundit. Dhe shumë banorë janë ende të rrezikuar. Spitali i drejtuar nga Vang testoi për antitrupa të gjithë stafin prej 3.600 personash, dhe më pak se 3% dolën pozitivë – një rezultat që tregon se “nuk ka imunitet në masë në Wuhan”. Ka vetëm një mënyrë për të mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme popullsinë, tha ai: një vaksinë.
Bizneset
Bizneset e Wuhan megjithatë shpresojnë se konsumi do të rikthehet në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë. Disa ditë para se qyteti të riniste aktivitetin ekonomik, ekipi i shitjeve në një zyrë lokale të kompanisë Audi, u mblodh për takimin e përditshëm. Ishin rreth 20 persona, të gjithë të veshur me kostume të errëta dhe maska për fytyrën, duke qëndruar më shumë se një metër larg njëri-tjetrit, siç tregonin shenjat e distancimit.
Teksa menaxheri i informonte për planet e ditës, një koleg hyri në mes grupit dhe nisi t’i spërkaste personat një nga një me dezinfektues; secili rrotullohej për ta përhapur dezinfektuesin në të gjithë trupin. “Klientët mund të mos ju tregojnë nëse nuk ndihen mirë, kështu që përpiquni të mos i fusni brenda në dyqan”, tha menaxheri. “Vetëm bisedoni te hyrja nëse është e mundur”.
Pasi u rihap më 23 mars, dyqani ka shitur rreth shtatë makina në ditë, një shifër e ngjashme me vitin e kaluar, pavarësisht gjithë kufizimeve. Shumica ishin automjete relativisht të lira, si A3, e cila shitet për rreth 200,000 juan (28,000 dollarë) – një lloj makine që zakonisht blihet nga familjet si rezervë krahas një modeli më të madh e të shtrenjtë.
“Njerëzit nuk janë të gatshëm të përdorin transportin publik në Wuhan”, tha drejtori i marketingut, i cili kërkoi të identifikohej vetëm me mbiemrin, Pan. “Dhe nuk guxojnë të lëvizin duke përdorur platformën Didi” – aplikacioni i kudondodhur i transportit. Sipas Pan, tani fokusi i kompanisë ishin njerëzit që kishin shprehur interes për të blerë një automjet Audi në të kaluarën, por që nuk e kishin blerë ende. Ata mund të jenë gati për të shpenzuar. Dyqani po kërkonte të zgjeronte stafin aktual prej rreth 150 personash, dhe së shpejti punonjësit do të merrnin pagën që kishin humbur gjatë karantinës. Një shitës tjetër shtoi, “është si një bum në shitje”.
Vështirësitë e kaluara
Megjithatë, ky nuk është realiteti për shumë biznese në Wuhan. Beni Xiao është drejtori i operacioneve ndërkombëtare të kompanisë Boyuan Paper & Plastic Co, në Wuhan, e cila prodhon mallra jo tepër cilësorë por thelbësorë, që ende përbëjnë shtyllën kurrizore të industrisë kineze. Kompania prodhon gota plastike njëpërdorimshme, të cilat ua shet linjave ajrore amerikane dhe japoneze, si dhe klientëve të tjerë.
Xiao punon në një zyrë brenda një kompleksi të vjetër banimi, dhe, i veshur me një xhaketë të thjeshtë ngjyrë gri mbi një këmishë jeshile, nuk të krijon aspak përshtypjen e një tregtari ndërkombëtar. Por ai fliste me krenari të madhe teksa tregonte kabinetin prej xhami në zyrën e vet, të mbushur me modele të krijimeve të kompanisë së tij, nga gotat e holla plastike për pije joalkoolike të klasës ekonomike, deri tek një kupë e fortë për pije që ishte përpjekur pa sukses t’ia shiste kompanisë Starbucks.
Muajt e parë të pandemisë ishin mjaft të vështirë për Xiaon, si për të gjithë banorët e Wuhan-it. Gruaja e tij, e cila tani ka dalë në pension, kishte punuar gjithë jetën si mjeke në spitalin Xiehe, një nga të parët që raportoi raste të sëmundjes që më vonë u identifikua si koronavirus, dhe që në janar kishte dëgjuar kolegët e saj të flisnin për krizën e afërt.
Banorët e sëmurë qëndronin të rreshtuar jashtë spitalit Xiehe deri në orën 22:00, në mes të të ftohtët, “shumë prej të cilëve ishin njerëz të moshuar që mezi qëndronin në këmbë”, kujton Xiao. “Pacientët kërkonin dëshpërimisht ndihmë”. Ai dhe e shoqja grumbulluan rezerva ushqimesh para se të fillonte izolimi, por pas tre javësh nisën të mbaronin.
Ndryshe nga Europa dhe SHBA, banorët e Wuhan-it e kishin të vështirë të dilnin nga shtëpitë edhe për të blerë ushqime, duke u detyruar të mbështeteshin në porositë online, ndihmat e qeverisë dhe fqinjët që mezi e siguronin lejen për të dalë. Një herë, Xiaos iu desh të paguante 26 juan (rreth 4 dollarë) për një lakër, më shumë se trefishi i çmimit të zakonshëm. Disa nga perimet që mundësonin zyrtarët lokalë thuajse nuk haheshin.
Ai u rikthye në punë në fund të marsit, duke gjetur një kompani në telashe të rënda. Porositë në gjysmën e parë të vitit pritet të arrijnë një rënie prej 50%, duke qenë se kërkesat për dërgesa ushqimore nuk mund të kompensonin efektet katastrofike të rënieve të mëdha të udhëtimeve ajrore. Qeveria vuri në dispozicion ndihmë financiare, por Xiao nuk është i sigurt nëse do të jetë në gjendje të shmangë pushimet nga puna. “Në janar dhe shkurt, prisja që gjërat të normalizoheshin në prill,” tha ai. “Por sot në mëngjes i telefonova bankës për ta lajmëruar se nuk mund të paguaj interesin për kredinë”.
Tronditja e panjohur ekonomike
Për një vend që ka përjetuar një lulëzim të vazhdueshëm ekonomik në kujtesën e çdo njeriu më të ri se 50 vjeç, kjo tronditje e gjerë ekonomike është e panjohur për shumë kinezë. Ekonomia kineze u tkurr me 6.8% në tremujorin e parë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që ajo do të rritet vetëm 1.2% në vitin 2020, performanca më e ulët që nga viti 1976. Papunësia urbane, një tregues i papunësisë së përgjithshme, arriti një rekord prej 6.2% në shkurt para se të ulej paksa në mars. Dhe nuk është e qartë si do të jetë e ardhmja e modelit të biznesit të Kinës në një botë ku Europa, SHBA dhe tregjet e tjera me rëndësi kyçe për ekonominë kineze, duket se po anojnë drejt një depresioni.
Xiao është 64 vjeç, pjesë e një brezi kinez që ka përjetuar vështirësi edhe përpara se të shfaqej koronavirusi. Por atij nuk i kujtohej të ketë përjetuar ndonjëherë ndonjë ngjarje më dramatike se kjo, përveç zisë së urisë gjatë lëvizjes “Hapi i Madh Përpara” kur ishte fëmijë. “Kjo është kriza më e madhe e jetës sime”, tha ai.
Trajtimi i jetëve të humbura
Në hyrje të varrezave Biandanshan të Wuhan-it ndodhet një portë e madhe prej guri, me një çati të stilit të faltoreve dhe me një dragua madhështor të gdhendur në ballë. Por gjatë javëve të fundit, kjo pamje është zënë nga një sërë barrierash të verdha të vendosura përpara hyrjes për kontrollin e turmave, rrethuar me gardhë metalikë dhe të ruajtura me kujdes nga policia. Pothuajse askush nuk lejohet të hyjë deri më 30 prill, madje edhe pas kësaj date, hyrja ka të ngjarë të kontrollohet rreptësisht.
Zyrtarisht, në Wuhan nuk po vdesin më pacientë nga COVID-19, por trajtimi i atyre që kanë ndërruar jetë mbetet ende një temë tepër e ndjeshme. Në Ditën e Fshirjes së Varrit në fillim të prillit, kur familjet kineze kanë si traditë që të mblidhen për të nderuar paraardhësit, varrezat e Wuhan-it mbetën të mbyllura. Funeralet janë ndaluar të paktën deri në fund të muajit, dhe familjarët e të vdekurve kanë raportuar se janë nxitur nga qeveria për të mbajtur zi për një kohë sa më të shkurtër dhe në heshtje.
Sipas qeverisë, këto masa merren thjesht për arsye të shëndetit publik, sepse mbledhjet familjare mund të kthehen në vendburime për përhapje infeksioni. Por këto kufizime gjithashtu e ndihmojnë Pekinin, duke shmangur që funeralet të kthehen në vende grumbullimesh ku njerëzit mund të shfryjnë dufin mbi mënyrën si është përballuar epidemia nga qeveria, ose të bëjnë pyetje të pakëndshme në lidhje me tema si numri i vërtetë i vdekjeve në Kinë.
Cilado qofshin arsyet e mbajtjes së kufizimeve, disa ekspertë të shëndetit mendor në Wuhan, kanë shprehur frikën se paaftësia për të vajtuar siç duhet njerëzit e dashur, do të ketë pasoja të thella dhe të gjata psikologjike. Banorët e Wuhan-it ishin të parët që iu nënshtruan izolimit të pashembullt shoqëror që po përjetohet tashmë në të gjithë botën, dhe është e sigurt se kjo ngjarje do t’i ndikojë shumë prej tyre për një kohë të gjatë, sidomos nëse shoqërohet edhe nga një rënie e zgjatur ekonomike.
Rikthimi i vështirë në normalitet
Jao Jun është një ndër personat e shumtë e cila po has vështirësi në përballimin e situatës. 50-vjeçarja shtatshkurtër është themeluesja dhe menaxherja e përgjithshme e Wuhan Welhel Photoelectric Co, një kompani që prodhon kaska dhe maska mbrojtëse, të cilat i eksporton në Francë, Gjermani dhe SHBA. Ajo u rikthye në punë në 13 mars, pasi mori miratimin nga katër nivele qeveritare, përfshirë komitetin e lagjes lokale, që iu desh 15 ditë për të vlerësuar se kompania Welhel kishte aftësinë për të parandaluar infeksionet.
“Nuk mund t’i lejojmë vetes asnjë rast infeksioni”, tha Jao në një intervistë në fabrikën e saj. Çdo ditë, funksionimi i linjës së prodhimit është i rëndësishëm: Welhel po përpiqet të kryejë porositë që nuk ka qenë në gjendje të përmbushë në muajt e parë të vitit, edhe pse Jao nuk është e sigurt nëse klientët në tregjet e jashtme të mbyllura do të jenë në gjendje të marrin dërgesat. Ajo nuk e kishte idenë se kur do të rritej fitimi i biznesit, duke pasur parasysh çka po ndodh me ekonominë globale.
Me gjithë paqartësitë, Jao po mundohej të përqendrohej më tepër te puna sesa te vështirësitë që po kalonte qyteti. “Nuk i shoh dot lajmet për punonjësit e mjekësisë pa qarë”, tha Jao, me sytë e përlotur teksa fërkonte me gisht gurin zhade të lidhur pas zinxhirit të celularit. Ngjarjet e panumërta për vdekjen e mjekëve dhe infermierëve të infektuar me COVID-19, e kishin turbulluar thellë dhe e kishte të pamundur të flinte.
“Unë nuk i njoh këta njerëz, por nëse dikush më thotë se çfarë i ka ndodhur dikujt, më rëndon jashtë mase. Këto vdekje nuk janë thjesht shifra ose emra të çuditshëm për mua. Ato janë jetë të humbura”. Ajo besonte se shumë nga fqinjët dhe kolegët e saj po përjetonin emocione të ngjashme, por mund të mos ishin të gatshëm ose të aftë të flisnin për to. “Shumë njerëz të tjerë janë të traumatizuar, por nuk mund ta identifikojnë problemin ose të shprehin ndjenjat e tyre”, tha ajo.
Pandemia e nxiti Jaon të reflektonte mbi jetën e saj. Pjesën më të madhe të vitit të kaluar, ajo e kaloi duke udhëtuar, shpesh duke vizituar klientë jashtë shtetit. Tani, ajo tha se dëshironte të shpenzonte më tepër kohë në shtëpi, pranë familjes. Në shkurt, djali i saj duhej të kthehej në Australi për studime, por nuk ishte e mundur, për shkak të rrethanave. Jao nuk donte që ai të shkonte.
Edhe pas ngjarjeve që duken katastrofike, natyra njerëzore sërish e gjen mënyrën për t’iu rikthyer zakoneve të vjetra. Në javët pas 11 shtatorit, komentatorët parashikuan fundin e globalizmit, të qiellgërvishtësve, të hekurit – të cilat sigurisht që vazhduan. Pak vite pas krizës globale financiare, bankat dhe blerësit e shtëpive nisën sërish vendosjen e hipotekave të rrezikshme, dhe të pasurit iu rikthyen shpenzimeve të tepërta të para vitit 2008.
E ardhmja
Është e arsyeshme të mendosh që kësaj here do të jetë ndryshe. Njerëzit në të gjithë globin nuk kanë përjetuar ndonjëherë ndonjë pandemi të këtyre përmasave dhe problemi thelbësor që ajo ka krijuar – fakti që kushdo, qoftë mik, familjar, apo i huaj, mund të jetë i rrezikuar nga një infeksion vdekjeprurës – pengon ndërveprimet e përditshme nga të cilat varen shtetet dhe ekonomitë.
Një vaksinë efektive mund të krijohet të paktën pas një viti, por duke pasur parasysh që një patogjen i ri mund të izolojë sërish gjithçka, as vaksina nuk mund t’i kthejë gjërat siç kanë qenë më parë. Wuhani ishte vendi i parë që përshkoi të dyja anët e lakores së COVID-19, dhe mënyra si do të ndryshojë pas kalimit të virusit, do të na tregojë shumë për të ardhmen në pjesën tjetër të botës.
Shumë prej metodave të përdorura nga ky qytet nuk do të jenë të zbatueshme në mënyrë universale. Pak qeveri të tjera mund të vënë në veprim mbikëqyrjen gjithëpërfshirëse antivirale që po përpiqet të ndërtojë Kina, edhe sikur të donin ta bënin këtë. Edhe më i pakët është numri i popujve që do ta toleronin një gjë të tillë. Por sido që të jenë taktikat, mësimi kryesor që na jep Wuhani është se çmimi për mposhtjen e virusit është vigjilenca e pafund dhe riorganizimi i përparësive, të cilat do të jenë të vështira për t’u pranuar nga shumë njerëz.
Në një lokal Starbucks, në një nga rrugët më të frekuentuara të Wuhan-it, Ma Renren, një sipërmarrës 32-vjeçar, i cili drejton një agjenci të vogël marketingu, foli për përvojën e tij gjatë kësaj situate. Dyqani ishte i hapur, por shërbente vetëm pije për t’u marrë me vete dhe klientët mund të uleshin vetëm në tavolinat jashtë lokalit.
Rojet e sigurimit patrullonin rreth e qark dhe herë pas here ndërprisnin bisedat për t’i kujtuar njerëzit të vinin maskat pas çdo gllënjke dhe të mos uleshin shumë pranë njëri-tjetrit. Ma, i cili kishte veshur një palë syze të mëdha të modës, një kapele të zezë bejsbolli dhe sigurisht, një maskë mjekësore ngjyrë bojëqielli, ishte zhvendosur në apartamentin e prindërve më 24 janar, për t’u kujdesur për ta.
Por së shpejti nisi të dyshonte se mund të ishte i sëmurë. Ishte një kohë vërtet e tensionuar: Askush nuk e dinte shkallën e vërtetë të vdekjeve, dhe njerëzit në Wuhan shihnin lajmet nëpër mediat sociale që tregonin për spitalet e mbingarkuara me kushte tepër të këqija. “Një natë, vendosa t’u them lamtumirë prindërve dhe të nesërmen të shkoja në spital i vetëm”, kujton Ma. “E dija se nëse do të shkoja, nuk ishte e sigurt se do të kthehesha më”.
Ai ndryshoi mendje në çastin e fundit dhe pas disa kohësh u ndie më mirë, megjithëse efektet psikologjike vazhduan. Vuante nga sulme paniku, vështirësi në frymëmarrje dhe rrahje të shpeshta të zemrës. Pasi kontrolloi simptomat në internet, arriti në përfundimin se po përjetonte stres post-traumatik. Ma thotë se përvoja që ka kaluar, do t’i bënte shumë njerëz të reflektonin mbi gjendjen e tyre dhe të përqendroheshin te njerëzit e afërm. “Do të gjejmë më shumë kohë për veten dhe familjet tona dhe për marrëdhëniet e tjera që na kanë mbajtur të fortë gjatë krizës”, tha ai. “Fatkeqësia teston sinqeritetin e miqësisë”.
Tani Ma po përpiqet të rimëkëmbë kompaninë e tij. Së fundmi, qeveria i kishte mundësuar një ulje taksash, si pjesë e masave stimuluese, por kjo nuk ishte ndonjë ndihmë e madhe. Turizmi ka rënë krejtësisht dhe shumë pak klientë kanë para të mjaftueshme për promovim. “Nuk na mbetet rrugë tjetër veçse të vazhdojmë përpara”, tha ai. Pa pasur zgjidhje tjetër, Ma i ka ulur pritshmëritë e veta dhe kjo gjë nuk e shqetëson aspak. “Ne kemi punuar pa u ndalur për vite të tëra, duke ndjekur nga pas çdo mundësi”, tha ai. “Tani, të gjithë njerëzit që njoh, kanë vetëm një qëllim për vitin 2020. Të mbijetojnë”. /Monitor/