Bankat tregtare në vend kanë nisur shpërndarjen e fondit të garancisë sovrane prej 11 miliardë lekësh nga paketa e parë e ndihmës financiare, kryesisht për bizneset e tregtisë, turizmit dhe fasonerisë. Por shumë biznese po ngurrojnë nga frika e shtetëzimit të biznesit, nëse nuk e shlyejnë huanë
Ilia Peri, i cili prej vitesh drejton kompaninë e prodhimit të veshjeve “Kristal” në Durrës, përfitoi nga fondi i garancisë sovrane që vuri në dispozicion qeveria shqiptare, nëpërmjet paketës së parë për bizneset që ishin në vështirësi për pagat e punonjësve. Z. Peri e arriti ta përfitojë një shumë kredie të mjaftueshme, për të paguar pagat e punonjësve për tre muaj.
Ai tha për Monitor se, huaja qe një lehtësim i madh për biznesin e tij, pasi i mundëson kompanisë të mirëmbajë fuqinë punëtore dhe të shmangë falimentin. Z. Peri tha se, pas një muaji ndërprerje, puna ka nisur me 70% të aktivitetit, duke respektuar distancat.
Por jo të gjitha bizneset kanë përfituar si z. Peri nga garancia sovrane. Kushtet për përfitimin e garancisë kërkojnë një historik të pastër krediti, që jo të gjitha bizneset në nevojë e kanë. Arben Shkodra, nga Shoqata e Prodhuesve, thotë se asnjë nga anëtarët nuk e ka përdorur deri tani këtë mekanizëm. Ai pohon se nuk po kuptohet ende mekanizimi, se si do të funksionojë.
“Është e pakuptueshme pjesa ku shteti të merr aksionet nëse nuk arrin ta shlyesh. Për më tepër që, pjesa më e madhe e bizneseve, kanë nevojë për ristrukturim të kredisë ekzistuese dhe jo një hua të re”, tha Shkodra.
Shumë biznese, edhe pse kanë nevojë të kreditohen nga fondi i garancisë, nuk po aplikojnë për shkak të frikës se, në rast mosshlyerje, shteti e konfiskon biznesin.
Qeveria miratoi me paketën e parë të muajit prill një shumë prej 11 miliardë lekësh, ose rreth 88 milionë euro, si fond garancie ndaj bankave tregtare për të kredituar pagat e bizneseve në vështirësi për tre muaj. Qeveria ka premtuar një shumë të ngjashme edhe në paketën e dytë, por ende nuk ka një vendim qeverie për ndarjen e saj. Vlera e huasë, e vënë në dispozicion nga Bankat për çdo biznes pjesëmarrës, mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga Biznesi, por duke mos e tejkaluar vlerën e 3 pagave mujore bruto të punonjësve të deklaruar prej
Biznesit, në përputhje me Legjislacionin Tatimor në fuqi, por në asnjë rast, vlera mujore bruto e pagës për punonjës nuk duhet të jetë më e lartë se 150 000 lekë.
Huaja duhet të kthehet për dy vite dhe me një marzh bono thesari 12-mujore, plus 0,5% interes, por asnjëherë më shumë se 2,85% interes. Por nëse kredia nuk kthehet në kohë, sipas përcaktimeve, atëherë qeveria do t’i konfiskojë këto biznese. Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, tha se nga bankat janë miratuar 72 aplikime të bizneseve të mëdha për mbështetje për pagat e punonjësve nga fondi 11 miliardë lekë i garancisë sovrane.
Bankat: Bizneset po përfitojnë nga huaja sovrane, por interesi pritej më i lartë
Bankat tregtare në vend pohuan se bizneset po përfitojnë nga fondet e garancisë sovrane, që vuri në dispozicion qeveria, sipas udhëzimeve dhe kushteve të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave. Burimet zyrtare nga Banka Kombëtare Tregtare treguan se, fondi i garancisë ka nisur shpërndarjen që nga java e kaluar. Aplikimet e marra po trajtohen me përparësi nga departamentet përkatëse, pohuan të njëjtat burime, duke shtuar se fondi i garancisë ka qenë i mjaftueshëm për të përballuar fluksin e kërkesës së klientëve të tyre. BKT sqaron se, kërkesa kanë ardhur nga të gjithë segmentet e biznesit, Mikro, SME dhe Korporata. Aplikimet kanë ardhur më së shumti nga bizneset që janë mbyllur, si pasojë e masave të marra nga vendimet e Qeverisë.
Këshilltarja përgjegjëse për riskun në ABI Bank, Gresa Panajoti, tha se “ritmi i kërkesave për garancinë sovrane deri tani ka qenë normal dhe jemi të sigurt që do të mund të procesohen brenda afateve të parashikuara në përputhje me termat e garancisë sovrane”.
Glenda Kurti, Drejtore e Divizionit të Korporatave, Anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Bankës Tirana Bank, tha se banka ka në dispozicion të saj një fond garancie prej 600 milionë lekësh të akorduar nga MFE, që mund ta përdorë për këtë qëllim, ndërkohë që fondi mujor i pagave i klientëve të biznesit, të paguara nëpërmjet bankës, e tejkalon këtë shumë. Ajo tha se për këtë arsye “vlerësojmë që ky fond garancie do të përdoret brenda afatit përkatës”. Znj. Kurti tha se, deri më tani kanë marrë kërkesa nga klientë që operojnë kryesisht në fushën e tregtisë, shërbimeve dhe të prodhimit, duke përfshirë këtu fasoneri, turizëm, shitjet me pakicë, etj. Kryesisht janë biznese të vogla dhe të mesme, por shihet se ka interes edhe nga bizneset e mëdha, aktiviteti i të cilave është ndikuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit.
Anila Hazizaj, Drejtore e Departamentit të Riskut në Credins Bank, tha se, nga kërkesat që kanë ardhur, peshën më të lartë në numër e zënë bizneset e mesme dhe në vlerë biznesi i madh (korporatat). Ndër sektorët që kanë aplikuar janë tregtia, fasoneritë dhe tregtimi i hidrokarbureve. Ajo u shpreh se përveç kësaj mase, që prej muajit mars, për të gjithë portofolin e kredisë, janë zeruar penalitetet për pagesat e kësteve në vonesë.
Ndërkohë Banka po trajton me përparësi kërkesat për kreditim të klientëve kredimarrës të cilëve nuk ju është pezulluar aktiviteti, por për shkak të kufizimeve në lëvizjen e lirë të njerëzve, iu është ulur ndjeshëm niveli i të ardhurave. Flutura Veipi, drejtore e përgjithshme e Union Bank pohon se kërkesa ka qenë më e ulët sesa pritej. “Deri tani kërkesat janë të pakta, gati 3% e limitit është në procesi aplikimi. Kur e aprovuam menduam që mund ta alokonim të gjithën, por në këto momente besoj që 30% e volumit mund ta alokohet”.
Prodhuesi: Nuk kemi aplikuar, frikë nga konfiskimii aksioneve
Arben Shkodra, nga Shoqata e Prodhuesve, thotë se asnjë nga anëtarët nuk e ka përdorur deri tani këtë mekanizëm. Ai pohon se nuk po kuptohet ende mekanizimi, si do të funksionojë.
Shkodra thotë se janë tre kategori kompanish:
Kategoria e parë e kompanive, që kanë një ecuri pak më të mirë, nuk kanë interes për fondin e garancisë, pasi kanë marrëdhënie direkte me bankat dhe këto të fundit, po u ofrojnë lehtësi direkte përmes kredive e overdrafteve me kushte të favorshme.
Kategoria e dytë e bizneseve, që po performojnë keq dhe nuk kanë mundësi likuiditeti, për shkak të ndërprerjes së kontratave apo vonesat në pagesa nga furnitorët dhe që kanë kredi të mëparshme. Ata gjenden para dy sfidave. Së pari, a do t’ia dalin të shlyejnë kredinë e tyre ekzistuese dhe, së dyti, çfarë do të ndodhë me analizën e riskut nga bankat, sepse këto të fundit analizojnë dhe kreditë e mëparshme.
Kategoria e tretë e kompanive, që janë të mbyllura dhe nuk e dinë se kur do të mund të hapen, pasi e ardhmja është e vështirë të parashikohet, nuk e marrin mundimin të rrezikojnë për të marrë hua nga fondi i garancisë.
Një tjetër pasiguri sjell dhe rreziku që shteti të merr aksionet nëse nuk paguan. “Shteti thotë të jap kolateralin, po nëse nuk performon mirë, të marr aksionet”, thotë Shkodra.
Nuk është i qartë procesi se si i merr aksionet, çfarë të drejtash ka, të merr aksionet e shumicës, apo pakicës, si do të vlerësohen asetet, duhet një ushtri administratorësh që të menaxhojë marrjen e kompanisë. Ai shton se Shoqata pritet t’i bëjë disa propozime qeverisë, ku në komponentin financiar, rekomandohet që shuma e parashikuar për të paguar interesa të shkojë te ristrukturimi i kredisë për huatë ekzistuese. /Marre me shkurtime nga Monitor/