Strategjisti Republikan në SHBA, Peter Lumaj, shprehet se Partia Demokratike ka lidhje me administratën e Presidentit Trump, por varet se si i përdor këto lidhje.
Në një intervistë me gazetarin Basir Çollaku në Shijak Tv, Lumaj tha se me keqardhje mund të them se PD nuk është prezente në diasporë, megjithëse ne e kemi kërkuar që ajo të jetë më e fuqishme.
“Unë jam i djathtë, i kemi kërkuar PD që të jetë më prezente në diasporë, kemi kërkuar t´a ndihmojmë, madje i kemi kërkuar të ketë një degë të saj në SHBA, në mënyrë që të ketë një person të mandatuar që të diskutojë me administratën Trump. Fatkeqësisht difekti është në Tiranë, është në PD dhe ne nuk mund të themi se pse është zgjedhur kjo metodë”, tha Lumaj.
Në vijim ai u shpreh se në Shqipëri duhet një lëvizje anti-establishment, e ngjashme me atë të Presidentit Trump, i cili para se të bëhej President nuk kishte bindje, nuk ishte Republikan.
“Nëse do të dalë një individ i tillë ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë. S´ka nevojë për të pasur 5 apo 50 parti, mjafton një lëvizje e cila të ngjallë besim. Unë shikoj që ish-komunistët, që sot kanë ndryshuar emrin në socialistë, kanë ndikim shumë të madh në Shqipëri. Ndaj duhet një lëvizje, e cila duhet të ngjallë besim dhe duhet të ketë një fuqizim të konservatorëve, apo të së djathtës”, tha Lumaj.
Lidhur me personat që përfshihen në listat e zeza të DASH, Lumaj tha se ato do të vazhdojnë të jenë pjesë e pushtetit në Shqipëri, nëse nuk vihen para përgjegjësisë nga qytetarët.
Lidhur me ndikimin e administratës Trump në Tiranë, Lumaj tha se “mendoj se deri më tani ende nuk ka mbërritur një telefon nga administrate e tij, vijon të jetë telefonata e Soros, pasi të jeni të bindur që kur të mbërrijë telefonata nga Trump në Shqipëri do të ketë ndryshime për mirë për popullin shqiptar”.
Vizitat e Xhorxh Soros ne Shqipëri dhe Kosovë kanë qenë të shpeshta, ndikimi i tij te Rama, Thaçi, është i madh, është disi një vijë me Soros dhe jo me Trump në axhendën e tyre?
Shikoni. Administrata Trump është e shqetësuar për vizitat e Xhorxh Soros në Ballkan, është e shqetësuar dhe senatorët kryesisht republikanë por edhe demokratë, e kanë diskutuar diçka të tillë në senatin amerikan. Miliona dollarë shpenzohen sot ne Ballkan, për destabilizimin e Ballkanit dhe fuqizimin e Rusisë , ky do të ishte rreziku më i madh nëse kalon në ndikimin e Rusisë ashtu siç ishte gjatë luftës së ftohtë.
Si një republikan konservator dhe mbeshtetës i fortë i Trump a keni dijeni se sa politikanë shqiptarë dhe njerëz me ndikim në drejtesi janë në listat apo borderotë e Soros, pavarësisht se ne cilat parti janë?
Pritet të dalë një raport konkret nga Senati amerikan për këtë dhe nuk të bëj një koment rreth saj.
Ka një investigim?
Po ka dhe do të dalë. Eshtë e padiskutueshme.
Sipas publikimeve nga investigimeve amerikane ka pasur edhe ndikime në Ambasadën amerikanë në Tiranë nga ky grupim?
Ambasadorja që është sot në Shqipëri nuk e shoh se mund të kompromentohet në këtë drejtim, megjithatë me sa di unë, senati amerikan është në hetim të këtyre çeshtjeve dhe le të presim sapo të dalë raporti.
Si e shikoni ekspansionin e Soros në Shqipëri?
Të rrezikshëm. Jashtëzakonisht të rrezikshëm. Problemi është se vetë autoritetet shqiptare dhe të Kosovës nuk po mbajnë një qëndrim të prerë ndaj këtij njeriu dhe influencës që ka ai sot në Ballkan. Ndoshta ju intereson atyre për pikepamjet e tyre politike, por jo se do të tolerohet nga administrata Trump, të paktën për katër vitet e tjera që ai do të jetë President.
Mund të themi që ndikimi i tij politik në Shqipëri është horizontal në shumë subjekte politike, pasi në këtë mënyrë ai ka interesa ekonomike, politike, apo…?
Nuk shoh se ka interesa të tjera Xhorxh Soros, veçse edhe mbijetimit të pikepamjeve të tij socialiste dhe komuniste në Ballkan. Ata janë pikepamjet e tij. Ai po shpenzon miliona dollarë në Ballkan që të fuqizojë këto lëvizje. Kjo Shoqëri e Hapur e tij është në të gjithë vendet e Ballkanit, të cilat nuk janë të stabilizuara politikisht dhe ekonomikisht dhe ai do ti destabilizojë ato. Këtu është momenti që duhet të jetë një pozicion i prerë dhe i vendosur nga përfaqësuesit tuaj në Shqipëri.
Ka pasur kallezime mediatike publike me liste emrash, se ne Ambasadën Amerikane në Tiranë kanë qenë dhe janë të punësuar shumë ish punëtorë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, një njëanshmëri me ndikim?
Ambasada Amerikane në kohën që ka punësuar njerëz në Ambasadë, ka kërkuar njerëz të kualifikuar. Ishin këta të tillë apo jo nuk mendoj se ka pasur të bëjë me ideologjinë. Nuk mendoj se eshte ideologji, nuk mund ti themi Ambasadës Amerikane, mos e punëso një ish- agjent sigurimi, ndërkohë që sot agjentët e sigurimit, po drejtojnë Shqipërinë, po drejtojnë shtetin tuaj. Nëse populli ynë vendos ti këtë përsëri në drejtim të shtetit këta njerëz që shkatërruan shtetin, e çuan gati në luftë civile në vitet 90-të edhe sot janë në komandë dhe kontroll të shtetit, nuk e besoj se një punonjës në Ambasadën Amerikane është kërcënim për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri. Unë e shoh kërcënimin që vjen nga këta që sot drejtojnë Shqipërinë.
I shikoni komunistet të fortë në Shqipëri si në pushtet edhe në ekonomi?
Nuk i shoh të forte. Unë shoh opozitën që është shumë e dobët. Kur nuk ka opozitë është e lehtë për kundërshtarin të jetë i fuqishëm. Unë nuk e shoh që sot opozita, Partia Demokratike, që ka një fuqi t’a kundërshtojë Partinë Socialiste fort me baza dhe është dobësia e opozitës që ka fuqizuar pozitën.
Diaspora shqiptare ka potenciale njerëzore të jashtëzakonshme, pamë dhe këtë herë në periudhën e pandemisë, a duhet të jenë pjesë e elitës drejtuese të vendit tonë, Shqipërisë?
Në vitin 2005, kur Sali Berisha erdhi në pushtet dhe u bë kryeminsitër persëri, ishte një mashtrim total që iu bë diasporës në atë kohë. Në atë kohë ishte një ligj që do të ktheheshin shqiptaro-amerikanët e kualifikuar jashtë shtetit dhe në vendet e tjera, të punonin direkt për administratën e Berishës. Ata që u kthyen të punojnë për të, u kthyen të zhgënjyer edhe një herë tjetër këtu. Nuk është se Diaspora nuk do t’a ndihmojë Shqipërinë. Nëse unë nuk kam interes të ndihmoj Shqipërinë, Kosovën, e vendet ku flitet shqip, unë nuk e bëj as këtë interviste me ty. Unë jetoj në SHBA, jetën e kam këtu, por nuk do të thotë se andrrat nuk i kam në Shqipëri, Diaspora është e gatshme të bëjë çdo gjë që të ndihmojë Shqipërinë. Problemi është si priten këta nga administrata e tanishme, apo nga një administratë e ardhshme. Unë e shoh se Diaspora është e gatshme të bëjë çdo gjë për Shqipërinë dhe Kosovën.
Partia Demokratike me aq sa ju keni dijeni ka miqësi me administratën “Trump” dhe republikanët?
Ka. i ka lidhjet. Eshtë e vërtetë që i ka. Problemi është se si i përdor ato lidhje dhe nëse do ti përdorë ato lidhje në kuptimin e mire të fjalës, është mirë që të shfrytëzohen për një rikthim të shëndoshë të demokracisë në Shqipëri. Edhe ato nuk e di se sa po shfrytëzohen. Se ka lidhje, po, ka, është e padiskutuehme.
Në një intervistë së bashku vitin e shkuar, më keni thënë se PD është pak prezente në Diasporë dhe ju atje keni projekte dhe mbështetje të madhe për të djathtën, a ka zhvillime pozitive në këtë drejtim nga ajo kohë?
Jo. Asgjë. Në mënyrë kategorike, Partia Demokratike nuk ekziston sot, në lidhje me Komunitetin shqiptar në Amerikë. E kemi kërkuar një gjë të tillë, vazhdojmë t’a kërkojmë. Unë jam i djathtë dhe kam dëshirë të mbështes një kryeministër të ardhshëm të djathtë në Shqipëri. Nuk e di përse dhe për çfarë qëllimi, por është vendimi i tyre që nuk e kanë bërë këtë lidhje me komunitetin këtu.
Zoti Lumaj me aq sa ju keni dijeni, cili është shqiptari, apo shqiptarët, që janë më afër ekipit Trump dhe mund të ndikojnë në dobi të interesave të Shqipërise?
Shikoni. Ne shqiptarët e SHBA kemi interes primar Amerikën sepse ne jetojmë këtu. Së dyti kushdo shqiptarë, që të thotë se ka një marrëdhënie direkte me administratën e Trumpit, apo që të ketë ndikim nëpërmjet administratës për atë që ndodh në Shqipëri nuk ekziston. Sepse edhe vetë Trump, adminsitrata, rrethohet nga këshilltarët e tij, nga njerëzit e tij që analizojnë. Sygjerimet tona analizohen. Unë them një deklaratë dhe merret parasysh, jo ato analizohen. Shqiptarët kanë lidhje të veçanta me familjen e Trump, sepse ai vjen nga Neë York me familjen e tij, nga Quins, dhe ai njeh shumë shqiptarë që kanë punuar për të dhe që vazhdojnë të punojnë për të. Ai ka një respekt të veçantë dhe një adhurim të veçantë për shqiptarët. Problemi është sa mundemi ne ta shfrytrëzojmë këtë për një ndikim pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët e Ballkanit.
Ndjeshmëria e kësaj administrate, ata sektorë mbikqyrës, për zhvillimet në Shqipëri?
Nëse ai nuk do të kishte një interes për Shqipërinë dhe Kosovën, ai nuk do t’a njihte ushtrinë e Kosovës në mënyrë zyrtare, në kundërshtim me shumë vende evropiane. Eshtë i vetmi që ka emëruar dy vetë, Palmer dhe Grenell që të zgjidhin krizën në Ballkan, që tregon se është i investuar personalisht, që situata në Ballkan që nuk u zgjidh nga Klinton, nuk u zgjidh nga Obama, do t’a zgjidhim ne para zgjedhjeve të nëntorit të këtij viti. Dhe unë besoj se do të zgjidhet një gjë e tillë.
A mund të themi se lëvizja Trump është një lëvizje antiestablishment që dha impulse dhe energji pozitive në të gjithë botën?
Ajo egziston. Trumpi është një njeri që pavarësisht mendimeve ndryshe që mund të kesh ka prioritet fuqizimin dhe forcimin e Amerikës, qenien e saj të parën dhe unë e mbështes për pikepamjet që ai ka. Kur erdhi në fuqi nuk e parashikoi kush fitoren e tij. Ishin 15 republikanë garues. Të gjithë nga familje të njohura që kishin shumë vite në politikë,ai erdhi dhe i shkatërroi pothuajse. Nga ana tjetër, ajo që quhet establishment, që ka vite që janë aty, sot janë të shqetësuar. Sepse Trump nuk ka nevojë për këtë. Ai nuk hyri në këtë punë që të bëhet milioner. Ai ishte bilioner dhe shkoi aty ku sot nuk merr rrogë, pagën e tij e jep shoqatave bamirëse. Ky ka hyrë për atë që beson, që Amerika duhet të jetë përsëri e Para, të jetë shteti më i fuqishëm, të mbetet superfuqia e vetme në botë dhe të jetë superfuqia që të sjellë gjera pozitive për planetin. E në rradhë të parë për Amerikën dhe kjo është arsyeja që e mbështesin amerikanët.
Një shkrepje politike ndryshe dhe një përballje me administratën që hera herës ka dhe disa mbivendosje?
Sigurisht ndryshe. Kjo është e padiskutueshme. Me admisnitratën do të ketë konflikte sepse autoriteti kushtetues është që adminsitratën e krijon në bazë të pikepamjeve që ka presidenti dhe adminsitratorët që punojnë për të duhet ti shërbejnë pikepamjeve të tij. Ne mund të mos jemi në një mendje dhe kam të drejtë të jap dorëheqje të largohem por nuk kam të drejtë t’a kundërshtoj. Dhe kjo është disiplina që ka Trump. Obama përshembull kur erdhi në fuqi ka larguar 79 prokurorë të Përgjithshëm që ditën që ka bërë betimin. Trump nuk i largoi. Trump i tha drejtorit të FBI, ke për të punuar për interesin e amerikanëve dhe pikepamjet e mia. Nësë me kundërshton do të largohesh nga puna. Ai i tha John Boltonit të njëtën gjë, ti i kundërshton pikëpamjet e mia dhe e largoi nga puna. Këtu duhet të ketë të njëtën disiplinë dhe disiplina që ka Trump, është ajo që po forcon adminsitratën e tij dhe populli amerikan e respekton një gjë të tillë. Kjo është arsyeja që unë besoj se në nëntor zgjidhet përsëri.
Një mandat i dytë i Trump?
Deri në nëtor janë gjashtë muaj dhe çdo gjë mund të ndryshojë. Por duam apo nuk duam ne, sot Presidenti nga Shtëpia e Bardhë në ato konferenca që po bën për coronavirusin, është sikur po bën fushatë, por amerikanë e respektojnë, se shumë njerëz mund të mos jenë dakort por ai është i drejtpërdrejtë dhe thotë të vërtetën pa pikëpyetje pas. Kjo është diferenca mes Trump dhe atyre që donin të ishin president, por nuk u bënë. Ky është njeri që të del përballë të thotë të vërtetën , sheh interesin e Amerikës, fuqizon ekonominë e Amerikës, pa marrë parasysh tre javët e fundit, fuqizoi fuqinë blerëse të dollarit, u bë ekonomia më e fortë në botë në tre vite, papunësia e ul në shifra record, amerikanët e shohin një gjë të tillë dhe besoj se për këtë arsye, do ta respektojnë dhe japin përsëri votën në një mandate të dytë në 3 nëntor.
Do sjellë ndryshime të tjera?
Nëse nuk sjell ndryshime të tjera është mirë të ndjekë këto ndryshime dhe ti fuqizojë. Sepse është ajo që përmenda. Fuqizim i dollarit, fuqisë blerëse, kontroll dhe rënie inflacioni. Me më pak para blej më tepër produkte. Ka ndryshuar dhe rregulluar taksat si asnjëherë tjetër që nga koha e Reganit. Ka marrë disa masa që nuk janë popullore për libealët dhe disa republikanë,se jo të gjithë republikanët kanë qenë dakort se ka prekur interesat e tyre. Por i ka marrë këto masa, për interest e popullit amerikan dhe populli amerikan po e respekton për këtë që ka bërë.
Nga ajo që ju dini, shihni në Shqipëri një establishment të njëjtë prej tre dekadash?
Do të doja të shikoja një njeri si Trump, që të ishte apartiak, sepse Trump kur erdhi nuk ishte apartiak, nuk ishte republikan. Erdhi me atë pikepamjen që do të bëjë çdo gjë për Amerikën. Të shihja një kandidat në Shqipëri që më thotë se do të bëj çdo gjë për Shqipërinë, për popullin shqiptarë, nuk do i shihja pikepamjet politike për t’a mbështetur nga këtu, ose do të vija në Shqipëri të bëja fushatë për të. Ajo që bëri Trump, vuri interesin e Amerikës para gjithçkaje. Të shohim një kandidat të tillë në Shqipëri dhe do ta mbështesnim të gjithë.
Nuk e shihni një kandidat të tillë në tregun politik shqiptar?
Për momentin jo. Shqipëria ka shumë talente, nuk ka nevojë të importojë nga jashtë ose po të këtë nevojë t’a importojë, por për momentin unë shoh se Partia Socialiste ka një fuqi dhe një kontroll total të shtetit dhe nuk shoh një njeri me me shtyllë kurrizore që të marrë një lëvizje antisocialiste dhe antiestablishment. T’a marrë fuqinë dhe brenda dy vitevë të shohim rezultate. Nëse sheh diçka të tillë më thuaj se do t’a mbështes edhe unë.
Qeverisja Rama sipas jush, forcimi autoritar..?
Nuk është mire të bëj unë koment për Ramën sepse nuk jetoj në Shqipëri, nuk është kryeministri im. Unë jam i dhjathtë dhe jo i majtë. Pikëpamjet e mia janë të djathta dhe nuk i fsheh bindjet e mia të djathta. Nëse një levizje e djathtë nuk fuqizohet në Shqipëri, ekonomia nuk do të përmirësohet, Shqipëria nuk do të fuqizohet, Shqipëria nuk do t’a shohë veten në BE, Shqipëria nuk do t’a shohë veten në një bashkëpunim të sinqertë me SHBA-në, sepse çfarë ajo ju keni sot është thjeshtë një Parti Socialiste, saktësisht një Parti Komuniste që ka ndërruar vetëm emrin. Ka një abuzim të të drejtave që bëhen sot në Shqipëri që është flagrante. Kjo duhet t’ju shqetësojë ju si qyetarë shqiptarë së pari edhe mua që jetoj jashtë shtetit, se kam anëtarë të familjes që jetojnë atje. Por nësë nuk ka një kundërshtar me pikëpamje konservatore në Shqipëri që është i gatshëm të qëndrojë para popullit, tu thotë të vërtetën, ashtu si ne po e diskutojmë në këtë bisedë, nuk shoh se kam për të pasur entuziazëm. Kërkohet një gjë e re, një gjë që mund të pyesim veten nëse para katër viteve dhe sot ishim më mirë apo më keq. Nëse jemi më keq, çfarë nuk ka funksionuar, përse u dobësua ekonomia, pse u dobësuan të drejtat e njeriut, përse u fuqizua shteti, përse ne duhet të jemi të varur nga shteti? Personi, individi, kërkon të jetë i pavarur, nga shteti, sepse ashtu e ka krijuar Zoti, ndërsa ne sot jemi të varur nga shteti për çdo gjë. Ju diskutoni sot në Tiranë në disa vende që të vijë uji me çisterna. Kjo në shekullin e 21!! Kjo është pyetja që i bëjmë vetes, ia vlen që të ketë një levizje konservative ndoshta jo partiake por kushtetuese dhe patriotike!
Jo fort nga partitë?
Unë shoh nëse krijohet një lëvizje e tillë nuk do të jetë për vetveten, nëse ajo krijohet , duhet një lëvizje e besueshme, patriotike, proshqiptare që të zgjidhë problemet që përballemi ne sot, si ekonomia, të drejtat e njeriut, politika etj. Ne kemi dymijë vjet në Evropë dhe diskutojmë ende nëse duhet të jemi në Evropë. Ne jemi pjese e saj dhe ende kjo diskutohet. Evropa duhet të na pyese ne. Akoma i bëjmë telefon Evropës të na pranojë, kjo është tragjedi shqiptare, mungesa e lidershipit që nuk ekziston në Shqipëri.
Ka emra politikanësh e zyrtarësh shpallur non grata, ka një liste ende të pa dalë plotësisht, ndoshta pas gripit..?
Edhe nëse dalin, pyetja është çfarë ndikimi do të kenë në marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë, ata do të jenë në pushtet nëse qytetarët nuk i vënë para përgjegjësisë ata nuk do të dëmtohen për mungesën e një vize për të ardhur në USA. Civilizimet e mëdha vrasin veten dhe qyteterimi ynë dymijëvjeçar po na vret ne, jo të tjerët, ne po vrasim veten.
Por dhe këto zyrtarë prokuroria e Posaçme produkt aq i mbështetur dhe nga reforma e bujshme , sërish u lanë mënjanë dhe a janë të qetë?
Për çdo gjë që ndodh në botë, Amerikës i bie telefoni dhe duhet të marrë Amerika telefonin të përgjigjet. Amerika ka të drejtë të japë një rekomandim, se si mund ta bëni, por ngaqë Shqipëria është shtet i pavarur nuk kemi në të drejtë t’ia diktojmë Shqipërisë
Paskemi qenë me dy telefona një të Trump dhe një të Soros?
Unë dëgjoj dhe besoj atë të Trump, por me sa duket në Tiranë ka mbërritur ai i Soros. Por do të mbërrijë ai i Trump dhe pastaj do të shihni ndryshime që meriton dhe kërkon populli shqiptar . Do të ndodhin ato ndryshime.
Një pyetje si avokat për çështjet e emigracionit, për vendimet e marra në këtë situatë?
Eshte një periudhë e përkohshme 60 ditore në kuadër të pandemisë, si masë mbrojtje për virusin, por jo kundër emigracionit. Trump nuk është kundër, nuk ka urrejtje ndaj emigracionit, bashkëshortja e tij është emigrante. Të gjithë ata që kanë fituar llotarinë do të vijnë këtu. Nuk do të ndikojë në proceset e bashkimeve familjare, një afat 60 ditor, kalon shpejt.