Ish-Kryeministri Aleksandër Meksi në një analizë të gjatë ka bërë disa propozime lidhur me përballimin e pandemisë dhe pasojave të saj.
Meksi shkruan se Qeveria duket se është tifoze e teorisë së “imunitetit të tufës”.
“Sa më shumë teste (si ato me tamponë ashtu dhe ato për imunitetin, përfshirë kontaktet që detyrimisht duhet të evidentohen); pajisja me maska, doreza, e veshje mbrojtëse (rrezikshmëria e punës cakton tipin e tyre) sa më parë e të gjithë qytetarëve që lëvizin në vende publike, e sidomos e në radhë të parë e atyre që punojnë në shërbime biznesi për njerëzit, po ashtu policia dhe ushtria, dhe sidomos pajisja me gjithçka që siguron mbrojtjen e plotë të punonjësve të mjekësisë të angazhuar me vetëmohim në shkallën më të lartë të rrezikut për jetën, të cilëve duhet t’ju shprehim mirënjohjen. Duhen plotësuar sa më parë spitalet me të gjitha aparaturat, mjetet dhe medikamentet që lipsen për këtë “luftë”, po aq dhe farmacitë, për sot e nesër”, shkruan Meksi.
Sipas tij, shembulli i Gjermanisë që ndjek e merr me përparësi teste nga të gjithë personat që kanë patur kontakte me të infektuarit besoj se mjafton.
“Çdo hapje apo lehtësim i karantinës për kategori të caktuara veprimtarish duhet të bëhet me kujdes, sipas sugjerimeve të ekspertëve, përvojës të të tjerëve dhe gjithnjë shkallë shkallë e duke vlerësuar rezultatet dhe rrezikun.
Me “hapje” duhet të kuptojmë jo vetëm lejen për të hapur dyqanin, zyrën apo filluar punën në një njësi prodhimi, por dhe sigurimin e rreptë të kushteve të plota të mbrojtjes nga infektimi prej bartësve eventual të virusit, pra përhapjen e tij, kontrollin shtetëror për respektimin e këtyre kushteve, në radhë të parë gjendjes shëndetësore, si nga ofruesit e shërbimit por edhe për përfituesit e tij dhe gjithë punonjësit e një njësie prodhuese. Dhe në çdo rast një njësi e hapur duhet të ketë mundësit financiare për të zhvilluar aktivitetin ekonomik, që hapja të mos jetë fiktive për ta.
Qeveria shqiptare deri më datë 19 prill ka kryer vetëm 5542 teste me tamponë, një shifër indiferente në se e krahasojmë me ato të vendeve të tjera, dhe aspak sipas Udhëzimeve të OBSH. Këto ditë Italia kryen 50-60 mijë teste në ditë ndërsa gjithsej ka kryer 1.305.833 (raporti i popullsisë Al./It. është 21).
Po kështu kuptohet qartë se nuk po ndiqen hetimet dhe për kontaktet që çdo i prekur ka patur me të tjerët: familjarë, bashkëpunues, miq dhe kontakte rastësore. Duket qartë pra se Qeveria është tifoze e teorisë së “imunitetit të tufës”, por që njëherazi, për fatin tonë të mirë, ka vendosur me të drejtë një kufizim tejet të rreptë të daljeve përjashta dhe lëvizjeve të njerëzve dhe mjeteve, pra karantinë reale, e cila sigurisht që po jep rezultate në mos përhapjen e virusit”, shprehet ai.
Ish-kryeministri thekson se masat e marra deri më sot janë jo të mjaftueshme dhe me pasoja për njerëzit, që nuk ju mundësohet puna nga lockdown-i qeveritar, por edhe ndaj sipërmarrjes që rrezikon të falimentojë, në pamundësi pagesash të detyrimeve për sa kohë nuk punojnë.
“Kjo mangësi do riparuar sipas përvojës së vendeve evropiane dhe atyre ta rajonit tonë, sigurisht në përpjesëtim me popullsinë dhe raportin e PPP pro capita. Për ata që nuk mund të punojnë duhet të jepet jo lëmosh por ajo, që në Francë e Gjermani quhet, “pagesë papunësie e pjesëshme” (d.m.th. të shërbej si asistencë papunësie apo si Kemp) d.m.th. që për vendin tonë duhet të variojnë nga 30000 për pagën minimale deri 60000 për të tjerat (shifër kjo e fundit e diskutueshme) llogaritur qysh nga muaji mars deri në rifillimin e rregullt e të lejuar të punës dhe pa mbajtur detyrimet për sigurimet sociale e shëndetësore, si dhe detyrimet fiskale, një pjesë e të cilave mund të shtyhet në kohë në përputhje me mundësitë dhe kjo zgjidhet me bonuse e grante atyre që janë në pamundësi e bonuse atyre që dëmtohen.
Ndihma duhet të konsiderojë dhe të vetëpunësuarit ashtu dhe ata që përfshihen në ndihmën sociale dhe pensionet e ulta, madje dhe ata që nuk përfitojnë asnjërën nga këto dhe dihet që janë në vështirësi. Duhet të pranojmë se këto propozime si dhe të tjerat më poshtë kanë vend për diskutim…por veç nga ekspertët dhe bazuar mbi mundësit, jo nga administrata apo për interesa politike dhe në asnjë rast nuk duhet të konsiderohet lëmosh por si një e drejtë”, shkruan Meksi.
Sipas ish-kryeministrit, një aspekt tjetër i ndërhyrjes në fushën e veprimtarisë ekonomike është fillimi i punës në shërbimet e nevojshme dhe sipas kërkesave të prodhimit, por me masa të plota sigurie, për të kaluar, kur shkalla e infektimit ulet (ai reali, jo ai me shifrat që vendos qeveria), në shtimin e aktiviteteve prodhuese jo vetëm në shërbimet por dhe në prodhim me dy turne me orar të shkurtuar qoftë dhe të 7 ditët e javës ashtu dhe riaktivizimit të transportit të brendshëm e të jashtëm.
“Rreptësi do të thotë që duhen pranuar në punë ata që rezultojnë jo të infektuar…pra nga kontrolli rigoroz mjekësor i përditshëm, si dhe pa asnjë lëshim të sigurohet pajisja çdo ditë me masat mbrojtëse individuale e dezinfektimin e vendeve të punës dhe këto nuk janë pak,. Por në çdo rast duhen ndihmuar me likuiditet bizneset dhe sipërmarrjet që mbyllen ose kufizojnë në kohë veprimtarinë… riskedulim e shtyrje të afateve të detyrimeve (kontribute, tatime e taksa, këste të kredive, bonuse për qiratë, dëmshpërblim për veprimtari tërësisht të mbyllura si turizmi, bare e restorante e tj.) një pjesë e të cilave ndihma falas (grante) e kredi fare të buta e afatgjatë shlyerje për to(deri në 15-20 vite), përndryshe ato nuk do mbijetojnë, çka do jetë katastrofike dhe për punësimin e me pasoja afatgjatë për vendin dhe njerëzit”, shkruan Meksi.
Në vijim, ai konsideron si me rëndësi, por që çuditërisht nuk ka konsideratë për to nga ana e Qeverisë, shtimi dhe fillimi i menjëhershëm i investimeve publike në infrastrukturë nga buxheti i shtetit për rrugët, shkollat, spitalet, ujësjellës e kanalizime, e sistemin e energjisë, ku përparësi të ketë edhe rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit
Meksi shkruan se këto masa ndikojnë në rritjen ekonomike, duke shtuar edhe grante e investime për bujqësinë dhe agroalimentaret (fshati ka 40-50% të popullsisë) si dhe mundësi për tërheqjen e prodhimeve të stinës.
“Për këto veprime vendet e tjera po huazojnë jo pak për shpenzimet e nevojshme e për të investuar, por fillimisht rreth 10% të GDP. Qeveria shqiptare deri tashti ka rreth 1% të GDP, pra s’jemi gjëkundi me luftën ndaj tërmetit, epidemisë dhe investimet publike. Ato janë fonde që do përdoren për qytetarët shqiptarë, për të kapërcyer me sa më pak humbje jetësh e dhimbje e për të shmangur në vite pasojat katastrofike të mos mbështëtetjes së ekonomisë vendase”, shkruan Meksi.