Prej disa ditësh Kina i është rikthyer jetës normale, por pavarësisht kësaj ata janë të vetëdijshëm se kujdesi duhet të vazhdojë. Këtë na e konfirmon në një intervistë për TvT gazetarja e Radio “Ejani” pranë Grupit Mediatik të Kinës, Zhang Zhuo, emri shqip i të cilës është Besa. Ajo na tregon se kafet dhe takimet nuk janë të njëjta, por kushtet që ofron Kina e bën më të lehtë bashkëjetesën me virusin.
Intervistoi: Lisana Subashi
Pas tre muajsh izolimi ka rifilluar jeta në Kinë. Çfarë ka ndryshuar pas karantinës?
Mendoj se tani jemi mësuar me këtë mënyrë jetese, domethënë si të mbrojmë më mirë veten, si të lajmë duart, të mbajmë maskë etj. Me këto masa mund të jemi të përgjegjshëm për shëndetin tonë, por edhe të të tjerëve.
Na tregoni si është të konsumosh një kafe tani në Kinë?
Tregtia elektronike në Kinë është e zhvilluar dhe kemi shumë aplikacione në celular, ku klientët porosisin dhe ka postierë që u dërgojnë gjërat që kanë kërkuar. S’ka nevojë të dilni jashtë dhe mund të shijoni një kafe të shijshme brenda në shtëpi. Ose mund të porositni kafe në internet, dhe pastaj të shkoni ta merrni me vete. Sigurisht edhe mund të zgjidhni të uleni në kafene për të pirë, por duhet të zbatoni rregullat, si mbajtja e maskës dhe të mos uleni shumë afër të tjerëve.
Një drekë ose darkë me miqtë mendohet, apo është ende larg?
Tani në Pekin specialistët na këshillojnë që më mirë të mos mblidhemi shumë. Të gjithë qytetarët po e respektojnë këtë këshillë. Sepse mund të hamë çdo ushqim të shijshëm në shtëpi duke e porositur në internet, dhe mund të takohemi me miqtë. Prandaj, nuk ndiejmë ndonjë mungesë.
Vazhdon respektimi i radhës në markete?
Në markete mund të blini të gjithat gjërat që kërkoni. Furnizmi i mallrave është i mjaftueshëm. Kur paguajmë në supermarket, duhet të mbajmë radhë. Distanca midis dy klientëve në radhë është një metër.
Sërish po raportohen raste të reja me të infektuar, mendoni se përbën rrezik?
Tani rastet e reja të infektimit janë nga jashtë. Kështu për shembull, në Pekin, deri më 12 prill janë raportuar mbi 170 raste të ardhura nga jashtë. Ndërkohë, kryeqyteti nuk ka pasur asnjë rast të ri të transmetuar lokalisht për 20 ditë rresht.
Kina është një vend i madh dhe ka shumë pika kufitare. Për arsye që numri i të infektuarve në botë është rritur, qytetet kufitare kineze po përballen me presion të madh. Por qeveria kineze ka marrë masa përballë kësaj sfide. Dogana është vija e parë. Ata që ndalohen në doganë, bëjnë testim në institucionet e posaçme mjekësore. Vija e dytë është karantina 14-ditore pas mbërritjes. Ata që janë në periudhën e inkubacionit gjatë karantinës mund të shfaqin simptoma dhe të mjekohen në kohë.
Prandaj ka rrezik, por nëpërmjet përpjekjeve disamujore, Kina ka fituar shumë përvojë dhe ka besim se do ta kontrollojë rrezikun.
Kina ka marrë masa serioze në kontrollet digjitale, mendoni se dhe vendeve të tjera u duhen këto masa pas daljes nga karantina?
Tani në Kinë është vendosur rregulli i kodit të reagimit të shpejtë (QR) të shëndetit, që është një certifikatë elektronike me të cilin njerëzit mund të udhëtojnë në krahina të ndryshme të vendit. Ky kod është i bazuar në të dhënat reale dhe mund të kërkohet në uebsajtin përkatës të qeverisë nga ata që dëshirojnë të udhëtojnë në krahina të ndryshme të Kinës. Me këtë kod, në një anë mund të mbikëqyret gjendja shëndetësore e njerëve dhe, nga ana tjetër, ai edhe ofron mundësinë e rifillimit të punës. Tani çdo lagje banimi administrohet me mënyrën e izolimit, por me këtë kod, një pjesë e njerëzve që punojnë për shërbimet publike mund të hyjnë në lagje të ndryshme.
Pas fillimit të epidemisë, Kina ka mbajtur qëndrim të përgjegjshëm dhe transparent, duke publikuar shumë informacione dhe duke ndarë përvojën e vet kundër koronavirusit. Megjithëse çdo vend ka marrë masa të ndryshme, më e rëndësishme është që të ndahen informacionet mbi epideminë, masat e marra etj.
Ju gjatë kohës së pandemisë keni punuar, sa e vështirë ka qenë puna në këto kushte?
Siç e dini, unë punoj në radio “Ejani” pranë Grupit Mediatik të Kinës (CMG). Mund të dëgjoni lajmet më të freskëta çdo ditë në radion tonë. Prandaj puna jonë nuk është ndërprerë asnjë ditë. Ne punojmë me turne të ndryshme. Sigurisht CMG-ja na ka ofruar siguri të madhe në punë, duke na dhënë për shembull maska e dezinfektues. Edhe qeveria ofron përkrahje për kryerjen normale të punës. Për shembull transporti publik nuk ka pushuar asnjë ditë. Me Kodin QR dhe kartën e hyrjes mund të shkojmë në vendin e punës dhe lagjen ku banojmë.
Historia më e trishtë që keni dëgjuar në vendin tuaj për shkak të pandemisë?
Mendoj se edhe për masat popullore botë, dhe për masat popullore e Kinës, historia që po kalojmë është e trishtë dhe s’mund të harrohet. Lidhur me Kinën, në këtë luftë, çdo kinez ka dhënë kontributin e vet. Stafi mjekësor kinez ka bërë sakrifica të jashtëzakonshme. Në qytetin Wuhan të provincës Hubei, përqindja e shërimit arriti 94 %, dhe përqindja e shërimit të të moshuarve mbi 80-vjeçarë është 70 %. Ky është një rezultat shumë i mirë.
Në fund, dëshiroj të theksoj se jo vetëm brenda vendit, por edhe në mbarë botë, bashkimi dhe bashkëpunimi është rruga e vetëme për të fituar në këtë luftë.
A ndiheni të paragjykuar nga pjesa tjetër e botës, sepse ishit vendi i parë ku u shfaq pandemia?
Kina është vendi i parë që e njoftoi këtë epidemi, por nuk ka dëshmi se qyteti kinez Wuhan është burimi i koronavirusit të ri. Lidhur me këtë, mund të shikojmë më shumë studimet ndërkombëtare. Për shembull në ditët e fundit, revista e njohur shkencore ndërkombëtare “PNAS” botoi edhe një artikull të specialistëve të Universitetit të Kembrixhit dhe mund të shikoni një intervistë mbi këtë temë.
Kur fillon të përhapet epidemia në mbarë botë, një pjesë e politikanëve amerikanë për të fshehur paaftësinë e administrimit ka hedhur baltë ndaj Kinës. Ata dëshirojnë të drejtojnë vëmendje të masave popullore dhe të realizojnë qëllimin e tyre politik. Në fakt,pas fillimit të epidemisë, Kina ka ofruar informacione transparente, në kohë dhe në mënyrë proaktive ndaj publikut. Deri më 10 prill, Kina u dha 127 vendeve dhe katër organizatave ndërkombëtare, si OBSh-ja etj., ndihmë urgjente. Deri më 31 mars, Kina ka dërguar ekipe mjekësore në shtatë vende dhe ka zhvilluar mbi 30 videokonferenca me përfaqësues të mbi 100 vendeve për të ndarë përvojën në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë. Këto janë vlerësuar lart në komunitetin ndërkombëtar.
Bota është e lidhur ngushtë. Ne e dimë që njerëzimi është një bashkësi e fateve të përbashkëta dhe ndihma për të tjerët është edhe ndihmë për veten.
Kur mendoni se Europa dhe vendet e tjera do të arrijnë të dalin nga karantina?
Epidemia e kësaj herë është një prove të përgjithanshme ndaj vendeve të ndryshme, edhe vendeve në zhvillim edhe vendeve të zhvilluara. Mendoj se përgjegjshmëria e qeverive dhe bashkrëndimi i masave janë kyçe. E kemi parë përpjekjet e qeverive të ndryshme dhe të masave popullore të vendeve europiane dhe e kemi parë që me këto përpjekje po arrijnë rezultatet kundër epidemisë. Besoj se Europa mund të dalë shpejt nga kjo epidemi dhe do të rifillojë rendin e zakoshme shoqerore.
Jeni informuar mbi situatën në Shqipëri, si e komentoni menaxhimin që i është bërë pandemisë në vendin tonë?
E di se rendi shoqëror në Shqipëri është i qetë. Qytetarët qëndrojnë në shtëpi dhe po respektojnë në përgjithësi masat e parandalimit dhe të kontrollit. Sipas përvojës së Kinës, këto masa janë efektive, prandaj mendoj se shumë shpejt situata do të përmirësohet.
Tri këshilla të vlefshme se si mund t’ia dalim deri në fund?
Këshillat e mia janë: së pari, të respektojmë shkencën dhe patjetër të bëjmë mirë mbrojtjen e vetës; së dyti, lidhur me Shqipërinë, duhet të kemi besim te qeveria shqiptare, sepse deri tani mendoj se masat e Shqipërisë janë të efektshme; së treti, të bashkohemi, të ndajmë informacionin dhe të ruajmë shëndetin psikologjik./TvT.al/