Lorenzo Tondo – The Guardian
Në kohën kur Italia po përpiqet ta ngrejë ekonominë nga kriza që e ka mbërthyer si pasojë e koronavirusit, Mafia po fiton mbështetjen lokale, duke shpërndarë ushqim falas për familjet e varfra që janë karantinuar dhe që u kanë mbaruar paratë.
Disa video të publikuara gjatë javëve të fundit, tregojnë anëtarë të bandave mafioze që shpërndajnë ushqime për familjet italiane të goditura nga kriza e koronavirusit, në zonat e varfëra të jugut të vendit si; Kampania, Kalabria, Siçilia dhe Puglia.
“Për më shumë se një muaj, dyqanet, kafenetë, restorantet dhe baret janë mbyllur”, tha Nicola Gratteri, hetuesi i antimafias dhe drejtuesi i zyrës së prokurorit në Catanzaro, për The Guardian.
Gratteri tha se miliona njerëz punojnë në ekonominë gri, çka do të thotë se ata nuk kanë marrë të ardhura më shumë se një muaj dhe nuk e kanë idenë se kur ata do mund të kthehen në punë.
Sipas tij, Qeveria po lëshon disa kuponë për të blerë ushqime në mbështetje të familjeve në nevojë, por nëse shteti nuk do veprojë shpejt për t’i ndihmuar këto familje, do jetë mafia ajo që do marrë përsipër gjithçka për t’i ndihmuar. Kështu, ajo, do të sigurojë shërbime, duke vendosur kontrollin e saj mbi jetën e njerëzve.
Ndikimi i bllokimit në Itali ka prekur rreth 3.3 milionë njerëz, të cilët punojnë të pasiguruar. Prej tyre, më shumë se 1 milion jetojnë në jug, sipas shifrave më të fundit nga CGIA Mestre, një shoqatë e biznesit të vogël me qendër në Venecia.
Ka pasur raporte për pronarët e dyqaneve të vegjël që janë nën presion për të dhënë ushqime falas, ndërsa policia po patrullon rreth supermarketeve në disa zona për të ndaluar vjedhjet.
Videot e njerëzve në Siçili, duke protestuar kundër masave të marra nga qeveria ose njerëzit që rrahin grushtet jashtë bankave në Bari për një kredi 50 €, janë bërë virale në rrjet dhe sigurisht do t’i hedhin karburant krizës; një zjarr që mafia është më shumë se e gatshme për ta ndaluar.
Nga sinjalet e para që u dhanë për rritjen e konflikteve sociale, ministrja e Brendshme italiane, Lucinana Lamorgese tha se mafia mund të përfitojë nga varfëria në rritje me qëllimin për të rekrutuar njerëz për organizatën e saj. Ose thjesht futen për të shpërndarë pako ushqimore falas, si makarona, ujë, miell dhe qumësht.
Përgjatë ditëve të fundit, në lagjet e varfëra të Napolit, policia ka vënë re praninë e shpeshtë të shumë personave të lidhur me Kamorën, mafien napolitane, të cilët organizojnë shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet e varfra.
Prokurorët kanë filluar tashmë një hetim kundër këtyre personave, të cilët shumë prej tyre u morën në pyetje se për çfarë arsye ata shpërndanin pako me ushqime falas për banorët e periferive.
Në Palermo, sipas La Repubblica, vëllai i një shefi të Cosa Nostra po u shpërndante ushqime banorëve të varfër të lagjes Zen, një zonë që kontrollohet nga mafia. Por, kur lajmi u publikua në media, ai u mbrojt në Facebook me pretendimin se diçka të tillë po e bënte thjesht për humanizëm, ndërsa sulmonte gazetarin që e publikoi lajmin.
“Mafia nuk është vetëm një organizatë kriminale”, tha Federico Varese, profesor i kriminologjisë në Universitetin e Oksfordit. “Ato janë organizata që aspirojnë të qeverisin territoret dhe tregjet. Komentuesit shpesh përqendrohen në aspektin financiar të organizatës, por ata priren të harrojnë se forca e tyre vjen nga krijimi i një baze lokale nga e cila do të operohet më vonë”.
Çështja e shpërndarjes së pakove ushqimore është një taktikë e vjetër sa vetë mafia, në jugun e Italisë bosët e mafias janë prezantuar gjithmonë si bamirës dhe ndërmjetës lokal, fillimisht pa kërkuar asgjë në këmbim.
“Krerët e mafias i konsiderojnë qytetet e tyre të shenjta”, tha Gratteri. “Shefat e dinë shumë mirë se për të qeverisur, ata duhet të kujdesen për njerëzit dhe territorin e tyre. Dhe ata e bëjnë këtë duke shfrytëzuar situatën në dobi të interesit të tyre. Në sytë e banorëve, një shef që troket në derë, duke ofruar ushqim falas është një hero. Një gjë të tillë, ai e di mjaft mirë, sot ndihmon ata banorë, që nesër të përfitojë mbështetjen e tyre. Për shembull, mafia, sponsorizon një politikan në zgjedhje, i cili më pas do të vazhdojë interesat e tyre kriminale”.
Kanë qenë të shumta hetimet në jugun e Italisë që kanë çuar në arrestime politikanësh, të cilët kanë ndihmuar dhe forcuar mafian dhe që janë zgjedhur me mbështetjen e këtyre mafiozëve lokal, ku këta të fundit, kanë detyruar qytetarët të votojnë për ta në këmbim të shërbimeve të ndryshme, apo siç mund të jenë thjesht, edhe këto pakot ushqimore.
“Këto ndihma që vijnë si dhuratë nga mafia për banorët e periferive, nuk vijnë nga dëshira e saj, pasi ajo nuk bën asgjë me zemër. Ato janë ca borxhe që të gjithë qytetarët duhet t’i paguajnë një ditë në një formë ose në një tjetër, duke ndihmuar ose mbrojtur një mafioz të arratisur, duke mbajtur armë, duke marrë drogë apo shumë gjëra të tjera”, tha Verese.
“Vlerësoni atë se çfarë ndodhi me El Chapo”, tha Gratteri. Ai trafikonte mijëra kg kokainë dhe porositi vrasjen e qindra njerëzve, por në qytetin e tij të lindjes ai ishte i njohur për dashamirësinë e tij, sepse njerëzit shpreheshin se u siguronte ilaçe për familjet dhe ndërtonte rrugë. E njëjta gjë po ndodh edhe në Itali”.
Zyra e prokurorit të antimafias në Itali, këtë javë, tha që bosët e mafias do të ofrojnë kapitalin e tyre të pafund për bizneset në nevojë me qëllimin për t’i përvetësuar ato, që më pas, ato biznese t’i përdorin për pastrimin e parave të fituara nga aktivitetet kriminale.
Varese mendon se mafia gjithmonë do të jetë në gjendje të përfitojë në shumë mënyra nga kriza aktuale dhe veçanërisht nga e ardhmja, kur italianët do të jenë në gjendje t’i rikthehen vendeve të punës, të shpenzojnë më shumë para dhe të marrin përsëri ekonominë e tyre në duar.
Por me siguri, shpjegon ai, historia e treguar e pakove ushqimore në Palermo dhe Napoli, tregon natyrën e tyre të vërtetë, gjithashtu edhe shkallën e rrezikshmërisë së këtyre organizatave.Americaneye