Rama i fasadës, sëpatës, rruspës dhe burgut!

Nga Boldnews.al

Ishte një personazh anonim. Një basketbollist stoli, piktor jo i dëgjuar, një publicist me hope, duke iu “lutur” Ben Blushit t’i botonin ndonjë shkrim në gazetën “Koha Jonë”, që gjithsesi ai gjithnjë ia linte hapësirën.

Askush nuk do e kishte menduar se do ngjitej në politikë në majën më të lartë. I harruar për disa vite si emigrant në Itali, ca më shumë në Francë dhe në fund një shkrepje mendjeje e ish-kryeministrit Fatos Nano do ta kthente në vitin 1998 Edi Ramën në Tiranë, aty ku u ngul, për të mos e shkulur më askush, as edhe me votë, pasi kjo e fundit doli në tregun Rilindje që e blenë për një thes miell!

Në kabinetin Nano iu la një ministri e dorës së dytë, fundja sipas profilit të shkollimit. Një piktor në Ministrinë e Kulturës i shkonte si zanat. Por Rama nuk u mjaftua. E nisi me fasada dhe do e mbyllë po me fasada. Leu me bojë ministritë. Bëri një rikonstruksion të jashtëm nën programin “kthim në identitet”.

Lau edhe shkallët e Pallatit të Kulturës, hoqi ca broshura që ngjiteshin nëpër mure sa të zinin sytë dhe përzienin stomakun në kakofoninë e servirjes. Nga kandidatë për deputetë, deri edhe broshura për seks nëpërmjet telefonit u pastruan me nismën e ministrit Rama, por gjithnjë vetëm në aksin Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”-tek Stacioni i Trenit.

Kaq mjaftoi për t’i “hipur lokomotivës” në Bashkinë e Tiranës ku fitoi mandatin e parë në vitin 2000, duke u akuzuar për manipulime masive që në provën e parë të tij me votën, por kjo nuk i bënte përshtypje piktorit kontrovers.

Në 11 vite në krye të Bashkisë së Tiranës Rama do mbahet mend për atë daljen me sëpatë në dorë, ku pasi kishte thirrur më parë mediat e shkruara dhe ato pak vizive, ofroi skeptaklin e prerjes me sëpatë të disa shtyllave elekrike, që sipas tij nuk e linin të ndërtonte rrugët e kryeqytetit.

La sëpatën si mjetin e parë të “dhunës politike” dhe gjeti një mjet tjetër, që ashtu ngadalë do shkatërronte ndërtesa, por do të ndërtonte udhën për të kapur edhe më shumë majat për veten. Nëpërmjet rruspës u bë protagonist në prishjen e ndërtimeve pa leje, kryesisht buzë Lanës dhe në Parkun Rinia. Në mesin e karrierës si kryebashkiak ,Rama groposi përfundimisht edhe njeriun që e ofroi në politikë, Fatos Nanon, pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005 nga ana e Partisë Socialiste.

Tetë vite në opozitë si kryetar partie provoi gjithçka, duke larguar në grup elitën drejtuese të PS-së dhe ofruar të singjashmit e tij, kryesisht të rinj që karrierën më të madhe kishin shfaqjen, llomotitjet pa fund dhe aktrimin politik që synonin thithjen e fondeve si përfaqësues të OJQ-ve (Organizatave Jo Qeveritare).

LEXO EDHE  Kavajë/ Plagosja e 29-vjeçarit, arrestohet autori, në kërkim dy bashkëpunëtorët (EMRI)

Ardhja në pushtet në krye të qeverisë në vitin 2013 i ndryshoi strategji kryeministrit, pas fasadës, sëpatës dhe rruspës erdhi burgu… Mijëra qytetarë provuan qelinë për shkak të mospagesës së energjisë elektrike dhe rilidhjes së saj. Në disa raste, fatkeqët që e pësuan varën edhe veten në qeli, për vetëm 30 mijë leke të vjetra “detyrim” shtetit të “fortë” që reklamonte Rama.

Burgu ishte kryefjala, gjoba ishte gjithashtu mjeti tjetër i dhunës dhe nënshtrimi i shtresave në nevojë të shoqërisë. Kjo formë u bë normë e qeverisjes së tij. Ndërsa burgosja nuk ishte vetëm si koncept izolimi në qeli, por e shtrirë në një frikë kolektive. Ato qeli të errëta nuk i kishin frikë grupe të fuqishme kriminale që në vitet 2016-2017 kanabizuan vendin në një histerizëm të tmerrshëm, aq sa u bë problem serioz edhe për vendet e BE-së që u mbytën nga kanabisi shqiptar.

Viti 2017 ishte “orgjia massive” e qeverisë me fjalën burg, gjoba, masa të forta shtrënguese të cilat në çdo rast binin mbi kryet e më të varfërve dhe të pambrojturve. Edhe pse në çdo raport ndërkombëtar konstatohen korrupsioni në nivele të tmerrshme nga maja politike deri në zyrtarucët e vegjël Rilindas, ata nuk i druheshin burgut, pasi ai ishte vetëm për qëytetarët e pambrojtur.

Pas kapjes së çdo institucioni të mundshëm të pavaruar, përfshi edhe sistemin e drejtësisë në mandatin e dytë, kryeministri Edi Rama e ka edhe më të lehtë të rigjejë konceptin izolim, pas hekurave të trashë të institucioneve të vuajtjes së dënimit. Me dënime po kërcënohet e gjithë një shoqëri që nga projekt-ligji i bërë publik ditës e sotme rrezikon deri në dhjetë vjetë burgim çdo qytetar që thyen karantinën. E thënë më thjesht, nëse të kapin në rrugë jashtë orarit zyrtar, qoftë edhe më një bidon ujë në duar, mund të përfundodh në qeli, në një burg të gjatë, fort të gjatë, edhe më të gjatë se dënimi i një organizate kriminale në trafikun e lëndëve narkotike.

Të paktën kështu do të pretendohet, por ka ende shpresë që kjo nismë të përfundojë në një kazan të madh mbetjesh, ashtu si shumë të tjera, që janë kundërshtuar nga Bashkimi Europian apo nga Komisioni i Venecias. Të gjitha këto në një kohë të përshtatshme, pasi nëse do qëndrojë gjatë virusi nëpër këmbë, frika nuk do jetë më nga pandemia, por burgu…!