Koronavirusi/ Rindërtohet skema e pandemisë që gjunjëzoi botën

‘Pacienti 0’ i pandemisë Covid-19 u infektua mes shtatorit dhe fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Deri më sot, rasti i parë njerëzor i koronavirusit Sars-CoV-2 është analizuar në një studim të botuar në revistën shkencore ‘Pnas’ nga studiues të Universitetit të Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga kolegë të tyre gjermanë, të cilët analizuan gjenomet e plota virale të sekuencuara, pasi u izoluan nga pacientët e prekur nga Covid, duke rindërtuar hapat e parë të epidemisë, e cila ka gjunjëzuar botën.

Në studim janë identifikuar 3 variante të ndryshme gjenetike të virusit: A, B dhe C, ky i fundit i përhapur në Europë, përfshirë Italinë, ku dyshohet se mbërriti nga Gjermania, aty ku në 27 janar u identifikuar rasti i parë, ndërsa një rrugë tjetër e parë e infeksionit italian, duket se ka të bëjë me një rast të importuar nga Singapori.

Shkencëtarët janë përpjekur të rindërtojnë “shtigjet evolucionare” të Covid-19 të rasteve të para, duke përdorur teknika që zakonisht përdoren për të hartuar lëvizjet e popullatave parahistorike njerëzore përmes ADN-së.

Peter Forster është një nga përfaqësuesit e studiuesve britanik dhe autor kryesor i studimit, ku janë analizuar 160 gjenomet e para të pacientëve me Covid në të gjithë botën nga 24 dhjetori deri në 4 mars, numër gjenomesh që sipas studiuesit, gjatë kësaj kohe arriti në 1001.

Dhe rezultatet e studimit, thotë Forster, sugjerojnë “që infeksioni i parë njerëzor ka ndodhur midis mesit të shtatorit dhe fillimit të muajit dhjetor”.

“Ka shumë mutacione të shpejta për të përcaktuar me saktësi një pemë familjare të Covid-19. Ne kemi përdorur një algoritëm matematikor për të vizualizuar në të njëjtën kohë të gjitha degëzimet e besueshme. Rrjeti viral që përshkruajmë është një fotografi e fazave fillestare të epidemisë para se rrugët e saj evolucionare të vendosen në hijen e shumë mutacioneve. Është pak a shumë si të kapësh një supernova, një shpërthim yjesh në momentin që ndodh”, thotë studiuesi.

Studimi mundësoi identifikimin e 3 varianteve të e dallueshme të koronavirusit të ri, të përbërë nga grupe të linjave të lidhura ngushtë mes tyre. Varianti A konsiderohet nga autorët si “rrënja e epidemisë”, më e lidhura ngushtë me virusin që u gjet dhe te lakuriqi i natës; varianti B rrjedh nga A, i cili dallon me dy mutacione, ndërsa C është nga “bijë” e B-së.

LEXO EDHE  Covid-19/ Rreth 7 milionë të prekur në gjithë botën dhe mbi 400 mijë viktima

Forster dhe kolegët e tij ‘hartografuan’ përhapjen e varianteve të identifikuara, pa hasur në ndonjë befasi: A ishte e pranishme në Wuhan, epiqendra e parë e pandemisë, por nuk ishte ajo që mbizotëroi. Ajo u gjet edhe tek qytetarë amerikanë të cilët kishin jetuar në Wuhan dhe tek shumë pacientë amerikanë dhe australianë.

Varianti më i shpeshtë në Wuhan ishte B-ja, e cila dominonte tek të sëmurët në Azi, por shumë pak tek të tjerët. Autorët sugjerojnë se duket sikur ka pasur një lloj rezistence kundër këtij lloji të virusit në zona të tjera të planetit.

Një shpjegim tjetër i mundshëm është që virusi B i Wuhanit mund të jetë adaptuar në një pjesë të madhe të popullsisë së Azisë Lindore, dhe për këtë arsye Sars-CoV-2 i duhej të ndryshonte për të hedhur rrënjë në zona të ndryshme të bota.

Jo më kot, arsyetojnë studiuesit, në fazën fillestare të epidemisë, u shënua një ngadalësim i mutacionit në Azinë Lindore, më shumë se sa gjetkë, shkruan noa.al.

Sa për variantin C, ai është më i zakonshmi në Europë dhe gjendet tek pacientët e parë të diagnostikuar në Francë, Itali, Suedi dhe Angli.

Duket se mungon në Kinë, por është vërejtur në Singapor, Hong Kong dhe Korenë e Jugut.

Sipas shkencëtarëve, të cilët vendosin në dispozicion software e përdorur për kalsifikimin e gjenomeve të analizuara pa pagesë, kjo analizë mund të përdoret në sekuencat më të fundit virale të marra në zonat e nxehta të ngjitjes.

Foster deklaron se një ekzaminim i rrjetit filogjenetik mund të ndihmojë në identifikimin e burimeve të padokumentuara të infeksionit të cilat duhet të futen në karantinë, për të pasur një pasqyrë më të qartë të përhapjes së mëtejshme të sëmundjes në të gjithë botën.