Nga Selam Gebrekidan
Në Hungari, kryeministri Orban mund të sundojë tani vetëm me dekrete. Në Britani, ministrat kanë në dispozicion atë që një kritik e quajti pushteti i “vëzhgimit”, për t’i ndaluar njerëzit në çdo kohë, dhe për të mbyllur kufijtë. Kryeministri i Izraelit, ka mbyllur gjykatat e vendit, dhe ka filluar një mbikëqyrje të madhe të qytetarëve.
Kili ka nxjerrë ushtrinë në sheshet publike, që dikur ishin zënë nga protestuesit. Bolivia ka shtyrë zgjedhjet. Ndërsa pandemia e koronavirusit, ka bllokuar jetsën normale në shumicën e botës, dhe qytetarët në ankth po kërkojnë veprime urgjente kundër saj, udhëheqësit në të gjithë globin po shtojnë kompetencat e tyre, duke fituar një autoritet praktikisht diktatorial përballë një rezistence të paktë qytetare.
Qeveritë dhe grupet e të drejtave të njeriut, bien dakord që kjo kohë e jashtëzakonshme, kërkon edhe masa të jashtëzakonshme. Shtetet kanë nevojë për kompetenca të reja për të mbyllur kufijtë e tyre, për të zbatuar si duhet karantinën, si dhe për të zbuluar personat e infektuar.
Dhe konstitucionalitët thonë se shumë nga këto veprime mbrohen nga e drejta ndërkombëtare.
Por kritikët thonë se disa qeveri, po e shfrytëzojnë krizën e shëndetit publik, si një lloj justifkimi për të fituar kompetenca të reja, që kanë pak lidhje me pandeminë, dhe që janë pak siguruese se nuk do të abuzohet me to.
“Ne mund të kemi një epidemi paralele të masave autoritare dhe shtypëse”- shprehet Fionnuala Ni Aolain, raportuese speciale e Kombeve të Bashkuara mbi kundër-terrorizmin dhe të drejtat e njeriut. Ndërsa ligjet e reja e zgjerojnë mbikëqyrjen e shtetit në jetën e përgjithshme, ato i japin mundësi qeverive të ndalojnë njerëzit mbi baza të dyshimta, dhe të shkelin liritë e të shprehurit. Këto akte mund të diktojnë jetën urbane, politikën dhe ekonomitë për dekadat e ardhshme. Dhe pandemia e koronavirusit, është duke i ripërcaktuar tashmë këto norma. Sistemet e mbikqyrjes në Korenë e Jugut dhe Singapor, janë vlerësuar për ngadalësimin e infeksioneve.
Qeveritë që kritikuan fillimisht Kinën për vendosjen e miliona qytetarëve të saj nën karantinë, kanë ndjekur që atëherë të njëjtin shembull. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka autorizuar agjencinë e brendshme të sigurisë që t’i gjurmojë qytetarët duke përdorur një mekanizëm të fshehtë që përgjon të dhënave e celularëve, i krijuar fillimisht për të luftuar terrorizmin.
Duke gjurmuar lëvizjet e njerëzve, qeveria mund të ndëshkojë deri në 6 muaj burg ata që kundërshtojnë urdhrat e izolimit. Dhe duke urdhëruar mbylljen e gjykatave, Netanjahu vonoi paraqitjen e tij të planifikuar në gjyq, për t’u përballur me akuzat për korrupsion.
Në disa pjesë të botës, ligjet e reja të emergjencës kanë ringjallur frikën e vjetër nga ligjet ushtarake. Kongresi i Filipineve, miratoi javën e kaluar një akt normativ që i dha presidentit Rodrigo Duterte kompetenca të gjera, mes të cilave edhe drejtimin e sipërmarrjeve private. “Kompetencat shtesë, janë të barabarta me autokracinë”- u shprehën në një deklaratë aktivistë të shoqërisë civile, që rikujtuan se Duterte e kishte krahasuar dikur kushtetutën e vendit me një “copë letër higjienike”.
Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Drejtësisë i kërkoi Kongresit kompetenca të reja, përfshirë një plan për të eleminuar mbrojtjen ligjore për azilkërkuesit, si mundësinë për të arrestuar njerëzit pa një mandat arresti të firmosur nga gjykata.
Kur këto propozime, hasën në kundërshtimin si të republikanëve, ashtu edhe demokratëve , departamenti paraqiti një propozim më modest, për të liruar disa të burgosur, dhe për ta kryer pjesën tjetër të dënimit në shtëpi. Grupime të ndryshme të shoqërisë civile, thonë se qeveritë mund të vazhdojnë të marrin më shumë kompetenca, në një periudhë kur qytetarët e tyre janë të shpërqendruar.
Ata shqetësohen se njerëzit mund të mos i kuptojnë të drejtat që kanë humbur, deri sa të jetë tepër vonë për të kërkuar rikthimin e tyre. Në Hungari, një ligj i ri i ka dhënë kryeministrit Viktor Orban fuqinë për të anashkaluar parlamentin, dhe pezulluar ligjet ekzistuese.
Orban, që shpalli këtë muaj gjendjen e jashtëzakonshme, ka tani i vetëm kompetencën për t’i dhënë fund emergjencës. Kritikët, thonë se ligji i ri rrezikon që qeveria e Orban të dëmtojë më tej institucionet demokratike, të përndjekë gazetarët dhe anëtarët e opozitës.
Ligji do të ndryshojë në mënyrë të përhershme 2 nene të kodit penal, që do të kufizojnë më tej lirinë e shprehjes, dhe do të dënojë njerëzit për shkeljen e urdhrave të karantinës. Ndërkohë, ai pezullon të gjitha zgjedhjet dhe referendumet. Legjislacioni i ri, i jep kompetenca të zgjeruara prokurorit të përcaktojë se çfarë konsiderohet si informacion i shtrembëruar apo i rremë. “Projektligji është alarmues”- thotë Daniel Karsai, avokat në Budapest, që mendon se ligji i ri ka shkaktuar “një frikë të madhe” në mesin e hungarezëve, se “administrata e Orban do të jetë një diktaturë e vërtetë”. Por edhe demokracitë e fuqishme, po e përdorin gjithashtu pandeminë për të zgjeruar fuqinë e tyre.
Britania ka një histori të gjatë si vend demokratik. Por një projektligj i miratuar ditët e fundit me nxitim nga parlamenti, u jep ministrive të qeverisë kompetencën për të ndaluar dhe izoluar njerëzit për një kohë të pacaktuar, ndalimin e tubimeve publike përfshirë protestat dhe mbylljen e porteve dhe aeroporteve, të gjitha me shumë pak mbikëqyrje.
Ministri i Shëndetësisë, Met Hankuk, e quajti atë “një largim nga mënyra e sjelljes së shtetit në kohë paqeje”, ndërsa shtoi se këto masa do të jenë “rreptësisht të përkohshme dhe proporcionale me kërcënimin me të cilin po përballemi”.
Gjithsesi, kritikët thonë se ligji i ri i jep kompetenca gjithëpërfshirëse agjentëve kufitarë dhe policisë, gjë që mund të çojë në një burgim për një kohë të pacaktuar të emigrantëve. “Këto kompetenca, do të ishin të imagjinueshme në kohë paqeje në këtë vend”-tha Silki Karlo, drejtoreshë e “Big Brother Ëatch”, një grupim i të drejtave të njeriut.
Ajo i quajti masat “drakoniane”. Zonja Karlo druhet se Britania “do të kalojë nga kriza në krizë, nga paniku shëndetësor në atë shëndetësor, dhe më pas do të zbulohet se qytetarët kanë humbur shumë nga të drejtat e tyre”. “Ne rrezikojmë të gjendemi lehtësisht në një gjendje tjetër të jashtëzakonshme”- thekson ajo. / “The New York Times” – Bota.al