“Çfarë do të bënit ndryshe nga Rama?”/ Basha: Ja tre prioritetet e mia

Kreu i PD, Lulzim Basha, në një intervistë për mediat, i pyetur se çfarë do bënte ndryshe nga qeveria Rama në këtë situatë pandemie, tha se ka tre prioritete. Lideri demokrat theksoi se të nevojshme janë testimi masiv i qytetarëve, ndërprerja e parave që shkojnë në drejtime të ndryshme në përjashtim të shëndetësisë dhe mbështetja e ekonomisë.

Pyetje: Zoti Basha, çfarë do të bënit ju ndryshe nga qeveria Rama?

Lulzim Basha: Nuk kam folur në rrafshin e propozimeve hipotetike. Propozimet tona janë konkrete, janë të detajuara, janë të zbatueshme. Sot, mes dhjetëra gjërave që nuk janë bërë, 3 janë më kryesoret:

1. Testim masiv. I gjithë personeli shëndetësor duhet të testohet e të ristestohet në mënyrë të vazhdueshme. Testimi duhet të shtrihet tek njerëzit në risk, duke përfshirë ata që kanë kontakt me publikun, për shkak të detyrës, punonjësit e policisë, të forcave të armatosura, të shërbimeve tregtare, të medias.

Duhet nisur pa vonesë një proces masiv transparent gjurmimi dhe izolimi i personave të infektuar. Nëse nuk e bëjmë këtë, nëse nuk arrijmë të izolojmë dhe ndërpresim zinxhirin e transmetimit 3 javë apo 6 javë të mbyllur në shtëpi, nuk do të ketë efekt. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë, është testimi.

Shikoni sesi po rritet numri i testimeve kudo ku kriza është në progres. Aty ku numri I testimeve rritet, aty ku gjurmohen dhe izolohen rastet, aty ka edhe sukses strategjia e distancimit social. Edhe një herë, Kosova ka thenë kemi 7 mijë kite testimi. Sa kemi ne? Pse po vonohet? Çfarë fshihet pas kësaj? Nuk dua t’i zë besë, por kam dëgjuar gjëra të tmerrshme që edhe për testimin po mendohen skema për të favorizuar njerëz afër qeverisë.

LEXO EDHE  Soreca-KLGJ: Plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, përparësi kryesore

Kjo do të ishte e pafalshme. Nëse ka edhe arsyen më të vogël për të vonuar shtrirjen e testimit për të përfituar dikush, kjo do të jetë kriminale. Dhe për këtë do të mbajnë përgjegjësi. Shpresoj të mos jetë e vërtetë. Shpresoj të jetë thjesht çështje e paaftësisë, e vonesave, e moseficensës qeveritare që, gjthsesi është shumë e rëndë në këto kushte.

2. Duhen ndërprerë urgjentisht çdo qindarkë që shkon në drejtime të tjera me përjashtim të mbështetjes për shëndetësinë, mbështetjes për çdo familje në nevojë. Çdo familje në nevojë duhet të ketë mjaftueshëm cash, para për të siguruar bukën e gojës, pagesat minimale.

3. Mbështetje për ekonominë. Jo vetëm për 30 mijë biznese, por për të 99 mijë bizneset e vogla. Jo vetëm për bizneset e vogla, por për të gjithë aktivitetin prodhues apo të çfarëdolloj tjetër që ëhstë goditur rëndë nga kriza.

Këtu duhet të shkojnë paratë e administruara nga qeveria, qofshin paratë e taksapaguesve shqiptarë, qofshin këto para të marra borxh. Çdo shpenzi tjetër është i panevojshëm, është një harxhim i kotë, është i pafalshëm në këtë kohë krize.