Kush ta bën pazarin ty zoti Rama?

Nga Boldnews.al

Kushdo që nga e hëna dhe në vazhdim do të dalë në rrugë për të bërë pazar, apo për të shkuar në farmaci, brenda orarit zyrtar 05.00-13.00 të leje-daljes, duhet të aplikojë në portalin e-albania (një krijesë propagandistike) e kryeministrit tonë virtual.

Ai që nuk futet në portalin e Ramës dhe që nuk nisin një sms, do kapen në rrugë, do gjobiten rëndë dhe nëse kanë një automjet, ai do i konfisoket. Kush kundërshton dru të mirë dhe plasje në komisariat. As mos e mendojnë qytetarët, gati është edhe gazi lotsjellës, një gisht larg ministrit që e ka aq shumë përzemër këtë “armë” të veçantë. Po një person që nuk ka as internet, por as telefon, çfarë do i sekustrohet? Fryma, shpirti!

Këto nuk janë masa kundër virusit, por formë represive të vendosjes së një diktature të ëmbël, si fillim në mënyrë virtuale dhe më pas edhe atë reale, ashtu ngadalë, duke shfrytëzuar edhe këtë kohë të lig, ku pandemia e “COVID-19” është kthyer në mjetin në duart e një qeverisje të papërgjegjshme dhe mbi të gjitha në rrezik të plotë në mohimin e lirive.

Në këtë kataklizëm imagjinar, kryeministri po vë në zbatim mohimin e lirive, ku sot qytetarët trajtohen si qenie të padenja, që pasi izolohen (me të drejtë, si masë për të mos përhapur virusin), ngarkohen me bomba imagjinare që vijnë si fillim në kokën kryeministrore dhe më pas shpërthejnë vrullshëm në televizione dhe mediat sociale të cilat i referohen rrjeteve sociale të Ramës.

Po juve kryeministër kush ua bën pazarin? Do marrësh leje si kryefamiljar në portalin “e-albania”? Nëse ju jo personalisht, se jeni fort i zënë, një anëtar i familjes patjetër që duhet. Me atë lejen në xhep, që me siguri do ta “aprovojnë” do shkosh në treg, a do i shihni çmimet sa janë rritur. Po hesapet për deri në fundin e muajit a do i bëni?

LEXO EDHE  Jaeld Çela në "izolim", ja shkaku

Ju jeni në hall dhe ne, qytetarët e tu, do të ta qajmë hallin, sepse ke përgjysmuar rrogën tënde dhe të ministrave. Paratë nuk do të dalin. Ndoshta edhe borxh do të kërkosh, nuk e dimë se ku, sepse edhe bashkëpunëtorët e tu ministra dhe deputetë kanë të njëtin “hall”. Me rrogë të përgjysmuar janë, sakrifica të mëdha po bëni në këtë kohën e kolerës së shekullit XXI.

Nuk mund të shesës për të “mbijetuar” as ata pikturat e tua me dragonj e kuçedra. Tregjet janë mbyllur, galeritë ku ekspozon punët e tua plot talent dhe me botë të thellë, kanë vënë kyçin e madh dhe nuk hapen deri në fund të kësaj situate.

Vështirë do e ketë kryeministri për të mbijetuar në këtë situatë, edhe pse e ka deklaruar se ha vetëm dy vafte në ditë dhe bën joga, për të mposhtur urinë, por edhe mbajtur kthjellët mendjen e tij, që deri më tani është kaq brilante sa ka vendosur ta “përçojë” nëpërmjet internetit tek kushdo qytetar.

Ai po na përgatit që të rrimë edhe dy apo tre ditë pa ushqim, “asnjë nuk ka për të vdekur nga urie”- thotë kryeministri. Për aq kohë sa kemi bollëkun e imagjinatës, ushqimi i trupit dhe i mendjes së tollovitur nuk është vetëm nga tregu në frigorifer dhe nga frigoriferi në tavolinë, por nga televizori dhe telefoni, që na “ngop” kaq shumë me propagandën kryeministrore.

Rama ia ka dalë deri më tani në eksperimentin masiv si fillim të izolimit dhe tashmë të injektimit të një tjetër jete, gjithnjë nën frikën jo vetëm të virusit, por të raprezaljes shtetërore dhe bombardimit me fjalët: gjobë, sekuestrim, burgim, dhunë, shpërndarje, gaz lotsjellës, ushtri, polici dhe në fund… Durim, Durim, Durim!