Vetingu dhe kriteret ligjore/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet “shkrirë”

Foto nga mbledhja e KLP, 24 shkurt 2020

Nga BoldNews.al

Një vit pas krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, gjysma e anëtarësisë së saj është “rinovuar” për shkak të shkarkimeve nga Vetingu, duke konfirmuar në një lloj mënyrë paralajmërimet e hershme të “Boldnews.al” se ky institucion i rëndësishëm i Drejtësisë u konstituua në mënyrën më të keqe të mundshme.

Në Dhjetor 2018, qeveritarë të lartë shqiptarë vendas dhe partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë nxituan të përshëndetnin krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke refuzuar të pranonin se thuajse të gjithë anëtarët e tij, prokurorë e jo-prokurorë, kishin probleme të theksuara në një ose më shumë shtylla të integritetit, profesionalizmit e pasurisë.

Tashmë, kur llogariten rreth 14 muaj funksion, nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë larguar me shkarkim 4 anëtarë prokurorë, ndërkohë që pjesa më e madhe e atyre që kanë mbetur nuk duhet të ishin zgjedhur për shkak të probleme me kriteret ligjore.

Shkarkimet në seri
I shkarkuari i fundit në radhë nga anëtarët prokurorë të KLP-së është Arben Dollapaj. Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) njoftoi paraditen e kësaj të Enjte se kishte vendosur shkarkimin e tij nga detyra, për shkak të problemeve me pasurinë, siç u raportua gjatë seancave të zhvilluara nga shkalla e dytë e Vetingut.

Një javë më parë, shkalla e dytë e Vetingut shkarkoi nga detyra edhe Besnik Canin, i cili ishte në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, si i zgjedhur nga prokuroritë e nivelit bazë. Edhe në rastin e Canit, KPA deklaroi se kishte konstatuar probleme me pasurinë.

Largimi i Canit dhe Dollapajt e çon në katër numrin e prokurorëve anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë të shkarkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Para tyre, KPA kishte shkarkuar prokurorët e shkallës së parë, Antoneta Sevdari dhe Gentian Osmani, po për shkak të problemeve të konstatuara nga Vetingu me pasurinë.

“Boldnews.al” ka raportuar shumë herët se vendimmarrja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ishte e cënueshme politikisht, për shkak se 4 anëtarët e saj nuk ishin konfirmuar me vendim të formës së prerë.

Gjithashtu, “Boldnews.al” ngriti dyshimin në atë kohë se, anëtarët prokurorë që prisnin përballjen me shkallën e dytë të Vetingut, mund të mbaheshin “peng” derisa KLP-ja të zgjidhte Prokurorin e Përgjithshëm me mandat të plotë, si edhe anëtarët e SPAK-ut. Pasi të përfundonin këtë “mision”, ata do të shkarkoheshin.

Një pjesë e këtyre “parashikimeve” u përmbushën. Të katër anëtarët prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të cilët ishte dorëzuar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, tashmë janë të shkarkuar.

LEXO EDHE  VIDEO/ Shkeljet me leje-daljet, nga nesër s´ka këshillime/ Rama paralajmëron gjobat

Shkarkimi i tyre, përveç prokurores Sevdari, erdhi pak kohë pasi ata kishin marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorëve të SPAK-ut.

Megjithatë, e vetmja gjë që mund të pranohet në këtë moment është se ata, më së paku, u përdorën për të vënë në funksion “me urgjencë” një strukturë, e cila, siç rezultoi, ishte lehtësisht e cënueshme nga procedurat e Vetingut.

Pikëpyetjet mbi anëtarët e tjerë
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka në funksion të gjithë anëtarët e zgjedhur nga Parlamenti, pavarësisht pikëpyetjeve të forta mbi integritetin moral dhe profesional të tyre.

– Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, i njohur edhe si kunati i eksponentes së rëndësishme socialiste Mimi Kodheli, është zgjedhur në kundërshtim me përcaktimet ligjore, siç e ka konstatuar edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM).

– Zëvendësi i tij, Alfred Balla, gjithashtu nuk plotësonte kriteret formale ligjore për t’u zgjedhur në atë detyrë, sipas verifikimeve të kryera nga misioni i posaçëm i ONM-së

– Nurihan Seiti, e ardhur nga radha e Avokatëve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ka qenë një ish-prokurore e periudhës së komunizmit, e përfshirë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në procese politike.

– Tartar Bazaj, personazhi i shndërruar në “grotesk” falë kërkesave të tij të pavenda drejtuar kryetarit të KLP-së, ka qenë nën hetim për një kohë të gjatë për “falsifikim dokumentash” dhe “mashtrim”. Nuk ka asnjë informacion se si ka përfunduar ky hetim. Por, nuk është aspak çudi që të jetë mbyllur në favor të tij.

– Bujar Sheshi, i zgjedhur nga radhët e prokurorëve të Apelit, u konstatua si i përfshirë në dokumentat e Sigurimit të Shtetit nga Autoriteti i Dosjeve, me pseudonimin . Sheshi ndoqi rrugën ligjore dhe Gjykata e Apelit Administrativ e rrëzoi vendimin e Autoritetit.

– Vatë Staka, i zgjedhur nga radhët e prokurorëve të shkallës së parë, ka qenë gjithashtu nën hetim për dyshimet mbi falsifikimin e dosjeve që i ka dorëzuar strukturave të Vetingut. Nuk ka asnjë informacion për atë hetim.

Në detyrë janë aktualisht edhe dy anëtarët prokurorë, Kostaq Beluri e Esmeralda Cami (Keshi), si edhe juristi Sandër Beci.