Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra kreun e Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci. Haluci nuk kaloi procesin e vetting për shkak të kriterit të pasurisë.
Gjyqtari Skënder Haluci u përball të martën në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Trupa gjykuese e KPK-së përbëhej nga Olsi Komici kryesues, Roland Ilia relator, Valbona Sanxhktari anëtare, si dhe Elka Ermenkova si vëzhguese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Sipas ILDKPKI -së subjekti i rivlerësimit nuk ka bërë deklarim të saktë dhe ka mungesë dokumentacioni provues për pasurinë e deklaruar.
Ndërkohë, hetimi i pavarur i KPK-së ka marrë në sitë pasuritë e tundshme dhe të patundshme të gjyqtarit dhe të familjarëve të tij, si dhe shpenzimet për shkollimin e vajzës në Bosnje dhe Shtetet e Bashkuara, duke i kaluara barrën e provës për mungesë burimesh financiare, deklarime të pasakta dhe balanca negative në analizë financiare.
Haluci e kundërshtoi analizën financiare të KPK-së si të gabuar, duke nënvizuar se vlerësimet e bëra për pasurinë e tij të patundshme ishin jo realiste dhe kërkoi rihapjen e hetimeve. Në mënyrë të veçantë ai kundërshtoi me forcë vlerësimet e KPK për shkollim e vajzës së tij në Bosnje dhe SHBA, duke nënvizuar me krenari se e bija kishte marrë një burse të plotë me vlerë 247 mijë USD, që ishte paguar nga taksapaguesi amerikan dhe nuk kishte pse t’i jepte llogari shtetit shqiptar.
Skënder Haluci ka punuar si komisioner i Avokatit të Popullit për gati një dekadë në vitet 2000. Ai u emërua gjyqtar në Gjykatën e Vlorës në vitin 2011 dhe në vitin 2014, u promovua si kryetar i kësaj gjykate.
Relatori i çështjes Roland Ilia deklaroi se sipas vlerësimit të ILDKPKI subjekti kishte mungesë burimesh financiare për apartamentin papafingo me sipërfaqe 242 m2 në Sauk, i cili ndodhej në një ndërtesë 3-katëshe, mbi një truall 1400 m2, me kosto ndërimi 2 milion lekë. Sipas Inspektoriatit për ndërtimin e kësaj banese subjekti nuk ka preventiv dhe as leje ndërtimi. Kosto e këtij objekti është deklaruar në deklaratën vjetore të interesave personale të vitit 2004 me vlerë 1.5 milion lekë dhe sipërfaqe ndërtimi 800 m2. Toka arë prej 1400 m2 ku është ndërtuar kjo banesë, gjithashtu nuk është deklaruar në deklaratë vjetore të vitit 2003. Sipas KPK-së sipërfaqja totale e ndërtimi është 842 m2 dhe jo 800 m2 dhe ndërtimi i banesës është bërë pa leje në një truall që në kohën ku është ndërtuar nuk ishte i regjistruar në emër të subjektit, raporton Birn.
Sipas KPK-së kosto e ndërtimit të kësaj banese është 24,793 lekë për m2 dhe ka një vlerë totale për 842 m2 që shkon në 20.8 milionë lekë. Sipas KPK nuk ka dokumentacion provues që kjo banesë të jetë ndërtuar nga vëllezërit e gjyqtarit dhe subjekti si rrjedhojë ka një balancë negative në analizën financiare për periudhën 1997-2002. Gjithashtu, sipas kontratës noteriale toka arë ku është ndërtuar banesa 3-katëshe është blerë në vitin 2015 me vlerë 140 mijë lekë. Gjithashtu Komisioni nënvizon kontradiktat mbi koston e tokës të deklaruar në pyetësorin e KPK-së, deklaratën vjetore 2004 dhe deklaratën veting. Sipas KPK-së nuk ka dokumentacion që kjo tokë është blerë në vitin 1997, ndërkohë që vlera e deklaruar e saj është nën koston e tregut për vitin 2015.
Sipas analizës financiare të KPK-së vlera e këtij trualli është 37.9 milionë lekë, duke sjellë një bilanc negativ për subjektin.
Gjithashtu, KPK u shpreh se në vitin 1999 bashkëshortja e subjektit ka blerë në tokë arë me sipërfaqe 8902 m2 dhe e ka shitur në vitin 2004. Kjo tokë nuk është deklaruar në deklaratën periodike vjetore 2003 dhe 2004 të gjyqtarit. Gjithashtu sipas analizës financiare bashkëshortja e subjektit ka pasur pamundësi financiare për blerjen e kësaj prone.
Sipas KPK-së subjekti ka bilance negative në analizat financiare për blerjen e një automjeti në vitin 2013, si dhe një mjeti tip Jaguar, për të cilin nuk është përcaktuar vlera e blerjes. Gjithashtu një mjet tip Benz-Mercedez është blerë në vitin 2012 me vlerën 200 mijë lekë dhe është shitur në vitin 2016 me vlerë 500 mijë lekë. Gjithashtu, ky mjet nuk është deklaruar në vitin 2012. Edhe për këtë aset subjekti ka një bilanc negativ në vitin 2012.
Sipas KPK-së në deklaratat vjetore të pasurisë subjekti nuk ka deklaruar shtimin dhe zvogëlimet në llogaritë bankare të bashkëshortes. Gjithashtu, sipas KPK-së në deklaratën vjetore të vitit 2016 nuk janë deklaruar kursime kesh me vlerë 1.5 milionë lekë.
Subjekti ka deklaruar në vitin 2004 blerjen e një apartamenti banimi me vlerë 1.6 milionë lekë dhe sipërfaqe 106 m2 në Rr. Luigj Gurakuqi në Tiranë nga subjekti F.V. Sipas KPK-së ky çmim ishte preferencial sepse i njëjti apartament ishte blerë në vitin 2000 nga F.V me vlerë 4 milionë lekë. Gjithashtu, apartamenti ishte blerë nën vlerën mesatare të tregut dhe për këtë transaksion subjekti kishte mungesë burimesh financiare dhe bilanc negativ.
Në vitin 2000 bashkëshortja e subjektit ka blerë një apartament 65 m2 me vlerë 3 milionë lekë, i cili nuk ka certifikatë pronësie nga subjekti TID. Në deklaratën vjetore të vitit 2004, vlera e këtij apartamenti është deklaruar 27,000 USD. Burimi financiar që ka shërbyer për blerjen e këtij apartamenti është një kredi nga banka ‘Intesa San Paolo’ me vlerë 40 mijë USD. Në datë 16.02.2004 rezulton se ndaj kompanisë TID është bërë një transfertë për apartamentin me vlerë 39,064 USD. Ndërkohë, sipas administratorit të kompanisë TID, pagesa për banesën me vlerë 3 milionë lekë është bërë me këste nga viti 2000 deri në vitin 2003. Sipas KPK për këtë pasuri subjekti ka bërë deklarata kontradiktore për kredinë dhe vlerën, si dhe në analizë financiare ka një bilanc negativ.
Subjekti ka deklaruar gjithashtu shitjen në vitin 2003 të një Bar Kafe në rrugën Nikolla Tupe me vlerë 1.9 milionë lekë dhe ka paguar një kredi me vlerë 34,965 USD, që ishte marrë për blerjen e dyqanit nga Banka Islamike Arabe. KPK vë re se midis çmimit të shitjes dhe vlerës së mbetur të kredisë ka diferencë të theksuar. Edhe për këtë pasuri KPK shprehet se subjekti ka bërë deklarim të pasaktë dhe ka një bilanc negativ financiar.