Champions/ Atalanta shkatërron Valencian, Lajpcing mund Totehamin në Angli (VIDEO)

Atalanta shkatërron Valencian me rezultatin 4-1, ndërsa Lajpcing mund në transfertë 0-1 anglezët e Toteham. Këto ishin rezultatet e ndeshjeve të mbrëmjes së kësaj të mërkure në Champions League.

Atalanta 4- 1 Valencia

Duhet të ishte një mbrëmje historike, ka dhuruar më shumë se sa kaq! Në “San Siro” nuk luan as Interi dhe as Milani, por Atalanta e Gasperinit, që e shtyrë nga 40 mijë zëra që ishin në tribuna për të mbështetur “Dea”-n, dhuron spektakël. Plot katër gola të shënuar ndaj Valencias, që shihej si favorite deri përpara një muaji, por që sonte do të ndërrojnë mendim edhe për Atalanta.

Ajo që bie në sy është se skuadra bergamaske shënoi me tre futbollistë jo sulmues. Ishte narta e Hans Hateboer (i blerë 1 mln euro nga Groningen). Holandezi me dy gola ndezi tifozerinë, ndërsa edhe Freuler realizoi një supergol, ashtu si Ilicic vulosi pjesën e parë 3-0. Valencia u zgjua me Cheryshev, duke gjetur golin e 4-1 dhe duke mbajtur sadopak ndezur një fije shprese për ndeshjen e kthimit, ku skuadra andaluze duhet të fitojë 3-0 për të pretenduar kualifikimin! Kjo Atalantë është spektakël dhe jo më kot edhe sivjet ndodhet në vend të katërt dhe synon për të dytin vit radhazi kualifikimin në Champions!

LEXO EDHE  Gasperini: Keqardhje për eliminimin por asgjë nuk e largon kënaqësinë e kësaj përvoje!

Toteham 0-1 Lajpcing

Lajpcing ka marrë një rezultat të mirë në Tottenham Stadium teksa ka fituar 1-0 ndaj Spurs në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Champions League.

Ishte një sfidë e dominuar nga Gjermanët për 75′ minuta, skuadra e Nagelsman ka zhvilluar një futboll modern duke sulmuar me shumë forca dhe duke bërë presing kur nuk e kishte topin në zotërim.

Vendasit e kishin shumë të vështirë të dilnin përpara dhe mungesa e Son Heung-Min dhe Harry Kane binte goxha në sulm teksa Lucas dukej u humbur.

Pas shumë mundësive të shpërdoruara, Timo Werner ka zhbllokuar rezultatin në minutat e para të pjesës së dytë. Ai ka shdërruar në gol një penallti të shkaktuar nga Ben Davies.

Tottenham u mundua të reagonte, dhe në fund falë lojtarëve të hyrë në lojë në pjesën e dytë kanë rrezikuar gjermanët, por pa arritur të gjenin golin e barazimit.