Rritën çmimet e paketave, Konkurrenca nis hetimet për 3 kompani celulare

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimet për rritjen e çmimeve të paketave nga tre kompani celulare.

Burime zyrtare nga institucioni bëjnë me dije se është vendosur “ndërprerja e menjëhershme dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i këtij vendimi, të aplikimit të paketave të reja standarde 30 ditore me parapagesë (për të cilat janë rritur çmimet), për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom”, deri në përfundim të hetimeve.

Konkurrenca zbulon se hetimi nisi pas ankesave që i janë adresuar institucionit si dhe raportimeve në media. Dyshimet e Autoritetit janë se tre kompanitë mund të kenë kryer një marrëveshje mes tyre për rritjen e çmimeve, që është në kundërshtim me ligjin ‘Për Mbrojtjen e Konkurrencës’.

Komisioni vendosi që hetimi të përfshijë periudhën kohore nga 1 Nëntor 2019 deri në 31 Mars 2020, ndërsa raporti i hetimit duhet të paraqitet në Komisionin e Konkurrencës jo më vonë se 2 muaj nga data e sotme.

Ankesa

Sipas relacionit të Komisionit të Konkurrencës që mban datën e sotme, 14 Shkurt 2020, rezulton se: pranë Autoritetit të Konkurrencës ndërmarrja Albtelecom, datë 20.01.2020 dhe ndërmarrja Telekom Albania, me shkresat datë 29.01.2020 dhe datë 10.02.2020 kanë njoftuar Autoritetin e Konkurrencës mbi ndryshimet në çmim dhe përmbajtje të paketave të ofruara për programet me parapagesë (dhe ato me kontratë për individë, Telekom Albania). Lidhur me ndryshimet e paketave celulare 30 ditore me parapagesë, pranë Autoritetit të Konkurrencës, janë paraqitur edhe dy ankesa nga konsumatorë të telefonisë celulare, si dhe nëpërmjet shkresës datë 13.02.2020, është paraqitur një ankesë nga Qendra “Konsumatori Shqiptar” nëpërmjet së cilës pretendohet se kompanitë celulare kanë rritur çmimet në mënyrë të pajustifikuar, pa informuar konsumatorët e telefonisë celulare dhe në dëm të interesave ekonomike të këtyre konsumatorëve.

Çmimet e paketave të reja

Në relacion sqarohet më tej se, bazuar sa më sipër si dhe nisur nga shqetësimet në masmedia mbi rritjen e çmimit të paketave celulare 30 ditore me parapagesë me 200 lekë, Autoriteti i Konkurrencës vendosi të realizojë një monitorim në këtë treg në lidhje me çmimin e paketave mujore që hidhen në treg nga operatorët celular Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom. Nga monitorimi në terren pranë pikave të Vodafone Albania, Albtelecom dhe Telekom Albania, si dhe nga shqyrtimi dhe vlerësimi i shkresave dhe ankesave të paraqitura, u konstatua se:

Vodafone Albania më 7 Janar 2020 ka njoftuar në faqen e saj të internetit se nga data 11 Shkurt 2020, Vodafone Albania do të ofrojë paketat e reja 30 ditore me parapagesë. Gjithashtu duke filluar nga data 11 Shkurt 2020, për Vodafone vlera e re minimale për rimbushjeje do të jetë 200 lekë. Paketat që ofron Vodafone në treg për abonentët me parapagesë janë paketa standarde me minuta, SMS dhe MB: Vodafone Z, Vodafone Silver, Vodafone Talk Vodafone Combo dhe Vodafone Gold. Po ashtu Vodafone ofron edhe tre paketa të tjera me njësi të cilat shërbejnë si minuta, SMS dhe MB: YouMix S, YouMix M dhe YouMix L. Secila prej paketave rriten me 200 lekë, por ndryshime ka edhe në njësitë që përfitohen. Konkretisht paketa Vodafone Talk mbetet e pandryshuar, ndërsa paketat Combo, Z, Silver dhe Gold do të pësojnë rritje të njësive MB me 0.5 për paketën Combo dhe 1GB për katër paketat e tjera. Gjithashtu paketa Gold pëson një rritje me 40 minuta ndërkombëtare.

Albtelecom me shkresën datë 17.01.2020 si dhe në faqen e saj të internetit, ka njoftuar se të gjithë abonentët e tij të telefonisë së lëvizshme, duke filluar nga data 30 janar 2020 do të ofrojë pesë paketa të reja 30 ditore për pajtimtarët me parapagesë. Gjithashtu, Albtelecom njofton se duke filluar nga data 30 janar 2020, vlera minimale e rimbushjeve do të jete 200 Lekë. Nga krahasimi i paketave ekzistuese para këtij ndryshimi me paketat e reja vihet re një rritje në çmim me 200 lekë, si dhe një rritje e vlerës minimale të rimbushjes me 100 lekë (nga 100 në 200). Paketat e reja që ofron Albtelecom janë paketat Super 900 lekë, Super 1300 lekë, Super 1500 lekë, Gigastike 1500 dhe Super 2100 lekë. Sipas njoftimit të Albtelecom, në paketën Super 900 sasia e minutave, MB dhe SMS mbetet e pandryshuar. Paketa Super 1100 lekë që tani kushton Super 1300 lekë përmban 0,5 GB më shumë internet, Paketa Super 1500 përmban 1GB më tepër, Paketa Gigastike përmban 200 minuta kombëtare si dhe 1 GB më tepër; dhe Paketa Super 2100 e re ka 60 minuta ndërkombëtare plus dhe 2 GB më tepër.

LEXO EDHE  BE hedh “Minishengenin Ballkanik”, nën këpucët ortopedike të Ramës

Telekom Albania me shkresat datë 27.01.2020 dhe 06.02.2020 si dhe ne faqen e saj të internetit, ka njoftuar se duke filluar nga data 5 Shkurt 2020 do te ofrojë paketat e reja standarde 30 ditore me parapagesë: Paketa S/M/L/XL/Electronic Beats/FIT 4000/FIT 7000. Gjithashtu Telekom njofton klientët me parapagesë, se duke filluar nga data 5 Shkurt 2020, vlera minimale për një transaksion rimbushjeje do të jetë 200 lekë. Konkretisht paketat e reja të ofruara janë: Paketa Simple 1000 lekë; Beats Xtreme 1600 leke; Paketa Optimal 1400 lekë; Paketa Full 1600; Paketa Premium 2200 lelë; FIT 4000- 1400 lekë; FIT 7000- 1600 lekë. Nga krahasimi i këtyre paketave të reja me ato të vjetra vihet re një rritje prej 200 lekësh në çmim për të gjitha paketat. Paketa Optimal dhe Full kanë një rritje me 1 GB; Paketa Full një rritje me 1 GB dhe 200 minuta drejt rrjeteve fix; Paketa Premium një rritje me 2 GB, 40 minuta ndërkombëtare plus, 500 min plus drejt rrjeteve fix.

Rritja e çmimit me 200 lekë

Konkurrenca ka vlerësuar se rritja e çmimit në një periudhë kohore gati dy javore, mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar.

“Vihet re që të tre operatorët celularë kanë hedhur në treg paketat e reja standarde 30 ditore me parapagesë me një rritje në çmim prej 200 lekësh, si dhe kanë rritur vlerën minimale për rimbushjeje me 100 leke, nga 100 në 200 lekë, në periudhën kohore 30 Janar – 11 shkurt 2020, mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar. Si përfundim, referuar sjelljes se ndërmarrjeve Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, vlerësojmë se jemi përpara një rasti urgjence për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në këtë treg, pasi ka të ngjarë të ketë shkelje të ligjit ‘Për Mbrojtjen e Konkurrencës’, i ndryshuar”, theksohet në vendim.

Vendimi

Kështu, Konkurrenca vendosi:

  • Ndërprerjen e menjëhershme dhe jo me vonë se 5 ditë nga njoftimi i këtij vendimi, të aplikimit të paketave të reja standarde 30 ditore me parapagesë, për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom.
  • Masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore.
  • Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme, ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.
  • Në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore, deri sa ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom të veprojë në përputhje me vendimin për masat e përkohshme.

/BoldNews/