Shtatëdhjetë vjet më parë, një fermer i preu kokën një pule, por ajo refuzoi që të ngordhte. Mike, siç u quajt pula, mbijetoi për 18 muaj dhe u bë e famshme. Por si mbijetoi kaq shumë?
Më 10 shtator të vitit 1945, Lloyd Olsen dhe gruaja e tij, Clara, po prisnin pulat e fermës së tyre në Fruita, Kolorado.
Ai u priste kokat pulave, e shoqja i pastronte.
Por një nga 40 a 50 pulat e prera, nuk sillej si të tjerat.
“Ajo ishte akoma gjallë dhe ecte vërdallë,” thotë stërnipi i çiftit, Troy Waters, edhe ai fermer në Fruita. Pula shkelmonte dhe vraponte, dhe nuk ndalonte.
Ata e vendosën në një arkë të vjetër mollësh për të kaluar natën. Kur Lloyd Olsen u ngrit mëngjesin tjetër, për të parë se çfarë kishte ndodhur, “pa se ajo gjëja e mallkuar ishte gjallë akoma,” thotë Waters.
“Është pjesë e historisë së çuditshme të familjes sonë,” thotë Christa, gruaja e Waters.
Waters e kishte dëgjuar historinë kur ishte i vogël, kur stërgjyshi i tij erdhi të jetonte me familjen e tyre, pasi ishte i sëmurë.
I moshuari fliste për orë të tëra për pulën. Fjalët nisën të përhapen në mbarë zonën për mrekullinë e zogut pa kokë.
Një gazetë lokale dërgoi një reporter për të intervistuar Olsen dhe dy vite më vonë, një promovues cirku, Hope Wade, shkoi atje.
Ai kishte një propozim të thjeshtë: nxirreni në cirk dhe bëni para. Fillimisht ata vizituan Universitetin e Jutah, ku pula iu nënshtrua disa testeve.
Thuhej se shkencëtarët e universitetit ua prenë kokën shumë pulave të tjera për të parë nëse do mbijetonin.
Pikërisht këtu revista Life u njoh me historinë e pulës së mrekullisë Mike.
Ndërkohë Lloyd, Clara dhe Mike nisën një turnr në SHBA. Ata shkuan nga Kalifornia në Arizona dhe Hope Wade e mori Mike në turne në pjesën juglindore të vendit kur çifti duhej të kthehej në fermë për të korrurat.
Udhëtimet e zogut janë dokumentuar me kujdes nga Clara në një libër të ruajtur me armë sot nga Waters.
Njerëz nga mbarë vendi shkruanin letra për ta, jo të gjitha pozitive. Njëri i krahasonte ata me nazistët. Pas turit të parë, familja Olsen e dërgoi Mike në një shfaqje në Feniks, Arizona, kur goditi katastrofa në verën e vitit 1947.
“Këtu ngordhi, në Feniks,” thotë Waters. Mike ushqehej më ushqim të lëngshëm dhe ujë, të cilin ia derdhnin direkt në ezofag. Ata ia pastronin me kujdes mukusin nga fyti.
Ata e ushqenin me pikatore dhe ia pastronin fytin me shiringë. Natën që ngordhi, ata u zgjuan në dhomën e motelit nga zhurmat e zogut që po mbytej. Ata kërkuan me shpejtësi një shiringë, por e kishin harruar në cirk.
Olsen nuk tregoi kurrë se çfarë u bë me zogun e ngordhur.
Por si mbijetoi kaq gjatë?
Gjëja që e habit Dr. Tom Smulders, një ekspert pulash në Universitetin e Njukaswëllit, është fakti që zogu nuk nxori gjak.
Faktin që mund të jetonte pa kokë, ai e shpjegon lehtë. Një njeri mund të humbasë kokën dhe kjo nënkupton të humbasësh trurin.
Për një pulë është ndryshe.
“Do habiteshit po të shikonit sa të vogël e ka trurin”, thotë ai.
Ai është i përqendruar kryesisht prapa syve. Raportimet flasin se sqepi, fytyra dhe sytë e Mike ishin hequr me një të goditur.
Por Smulders mendon se rreth 80 për qind e trurit dhe gjithçka që kontrollon trupin e pulës, përfshi zemrën, frymëmarrjen dhe tretjen, mbeti e paprekur.
Në atë kohë u sugjerua se Mike mbijetoi për shkak se një pjesë e trurit i mbeti ngjitur me trupin.
Por përse nuk patën sukses ata që tentuan të rikrijojnë këtë rast? Duket se në rastin e Mike, prerja ishte fiks në vendin e duhur, duke krijuar një mpiksje që pengoi gjakderdhjen.
Thuhet se Olsen tentoi të ripërsërisë suksesin, por nuk ia doli. Kur u kthye në fermë, njerëzit i kërkon t’i qeraste me birra, pasi ishte bërë shumë i pasur.
Në fakt ai bëri pak para, bleu një korrëse bari dhe dy traktorë, duke zëvendësuar kalin dhe mushkën.
Po ashtu në atë kohë bleu edhe një kamionçinë Chevrolet. “Megjithatë pjesën tjetër të jetës e kaloi sërish si fermer,” thotë stërnipi i tij.