Nga oborri i familjes Mirdita në fshatin Gjuricaj të njësisë administrative Ishëm, peizazhi i fushës së Rinasit është vërtet mbresëlënës; ndryshe banesa e tyre mezi mbahet në këmbë.
Stelina, vajza e madhe e familjes është studente dhe mëson për provimet e sezonit në çadrën që është ngritur në mes të oborrit
“Natën është ftohët, por mblidhemi në dyshekët në formë thesi,” tregon Stelina, duke shtuar se “mbrëmë dëgjohej shumë uturima e erës së fortë”.
Një nga të rinjtë që bëjnë krenar fshatin ajo është e përmbajtur dhe ka më shumë merakun e motrave më të vogla në moshë, por edhe të nënës që vazhdon të jetë e tronditur.
“Do të doja një shtëpi, jo shumë të madhe, por që ti kishte kushtet,” thotë Stelina. “Ëndërroj që edhe motrat e mija, Zana dhe Simona të studiojnë në degë të bukura, si mjekësia për shembull,” shton ajo.
Ngjashëm me familjen Mirëdita, dhjetëra familje në zonën e Ishmit – banesat e të cilave u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, vazhdojnë të flenë në çadra.
Era e fortë dhe e ftohët që fryn nga veriu i jep edhe më shumë ngjyrën gri maleve të Krujës përballë, të cilat gjatë natës kanë vënë kapelën e bardhë të borës.
“Fryn nga gryka e Milotit,” më tregon Sulejman Mezini, duke më shpjeguar, se kjo zonë e Ishmit nuk sheh nga deti dhe Kepi i Rodonit. “Ajo shikon fushën e Thumanës dhe ndodhet në kufi me rrethet e Krujës dhe të Kurbinit,” shpjegon ai.
Ndërsa javët kalojnë dhe ende nuk është hapur drita jeshile për rindërtimin e banesave, një grup vullnetarësh po koordinojnë veprimet për shpërndarjen e veshmbathjeve dhe pajisjeve të tjera me qëllim lehtësimin e jetesës së banorëve.
Njësia administrative në veri të Durrësit ndodhet shumë pranë epiqendrës së lëkundjes sizmike, që u mori jetën 51 njerëzve dhe që la të plagosur qindra të tjerë. Sipas listave të pushtetit vendor, mbi 270 familje janë strehuar në çadra që në ditët e para të dhjetorit në këtë njësi administrative.
Detyrë shpirtërore
Në një nga kafenetë në periferi të Durrësit, një grup donatorësh nga Koreja e Jugut, vullnetarëve vendas nga Ishmi si dhe disa misionarë të Kishës Ungjillore u mblodhën të enjten për të koordinuar veprimet mes tyre, përpara se të niseshin drejt fshatit kodrinor në veri të qytetit bregdetar.
Në dy furgona vullnetarët kanë ngarkuar ngrohëset, dyshekët izolues, xhupa, batanije, si dhe kutitë me ushqime, që do tu vijnë në ndihmë veçanërisht të moshuarve dhe fëmijëve.
“Do ta shohësh vetë se në çfarë gjendje janë ato familje,” më thotë Jusuf Shehu, një mësues në pension, të cilit ishmakët e thërrasin me respekt “profesor”.
Kur kortezhi arriti në fshatin Gjuricaj, Veprim Bajrami, i cili ka punuar më shumë se 25 vjet si punonjës policie, e ndalon makinën e tij pranë një burri i cili po mbronte duart në xhepa nga i ftohti.
“Hajde o Islam, se për ty kemi ardhur,” e përshëndeti ai dhe pasagjerët i bënë vend në sedilen e pasme.
Shtëpia e Islamit dhe Dëshires ndodhet disa qindra metra më tej dhe e ka humbur prej më shumë se dy muajsh pamjen e saj të dikurshme. Ngjashëm me familje të tjera, në oborr litarët e lidhur në kunja druri mbajnë në këmbë çadrën e madhe, me një stampë në gjuhë të huaj nga pas.
“Jo, jo, tani jam mirë. Para disa ditësh disa të huaj më kanë sjellë këtë kontejner dhe nuk kemi ftohët si përpara,” thotë Dëshira, ndërsa tregon se kanë tre fëmijë dhe se askush në familje nuk punon.
Tashmë banesa e vjetër e Islamit ka humbur mes çadrës, kontejnerit dhe një barake, që kanë ndërtuar familjet e tre vajzave të Islamit nga martesa e parë fatkeqe.
Genc Shehi, koordinator i misioni të Kishës Ungjillore, më shpjegon se për ata vullnetarizmi nuk është vetëm një akt humanitar por i ka rrënjët thellë në besimin fetar.
“Vullnetarizmi është mision dhe ne prej kohësh e realizojmë si detyrë shpirtërore,” shpjegoi Genc Shehi, koordinator i kishës.
Paqartësi për rindërtimin
Në mes të shtëpive të fshatit Gjuricaj disa nga burrat që na presin kanë në duar dokumente të shtëpive dhe i kërkojnë mësues Jusufit më shumë informacion për ndërtimin e banesave.
Naimi nga lagjja e sipërme e fshatit tregon se në banesën e tij kanë ardhur tre grupe me ekspertë, por askush nuk e ka sqaruar se çfarë do të bëhet me ndërtesën e dëmtuar.
“Kujtova se jeni të bashkisë,” tha ai, pa e fshehur zhgënjimin kur mësoi se grupi po shpërndan ndihma dhe me kokën ulur u kthye drejt oborrit të vet.
Ndryshe nga Naimi, Vesel Veliun nuk ishte në shtëpi.
“Ka një javë që shkon në Thumanë për shpërnguljen, sepse nuk na japin lejen për ta rindërtuar shtëpinë,” thotë Xhevahirja, e shoqja. “Ne jetojmë prej 50 vjetësh këtu, por meqë burri ka punuar në Thumanë, nuk i kishte transferuar letrat e Gjendjes Civile,” ankohet ajo.
Në çadrën ku strehohet familje Veliu një grua të moshuar është mbledhur nën batanije.
“Është vjehrra ime, 86 vjeç,” shpjegon e zonja e shtëpisë, teksa i hap rrugë të huajve që kërkojnë të shohin shtëpinë me muret e rrënuar nga tërmeti.
Vullnetarët nga fshati së bashku me misionarët e Kishës Ungjillore punojnë prej më shumë se dy muajsh për tu ardhur në ndihmë të dëmtuarve dhe sapo kanë themeluar një organizata humanitare.
“Ne jetojmë në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, po të rinjtë po largohen masivisht, ndaj jemi të shqetësuar,” shprehet Luzlim Bega, një prej themeluesve.
Në oborrin e familjes Mirdita, Artani kryefamiljar e përcjell shpurën thuajse pa fjalë deri te dera metalike e oborrit. Përpara se vullnetarët të drejtohen në një familje tjetër, disa qindra metra më larg, e pyes Stelinën nëse si shumë të rinj të zonës edhe ajo mendon të largohet.
“Jo, sido që të vijë puna, këtë vend nuk do ta tradhtoj kurrë,” u përgjigj ajo e sigurt . /BIRN/