Qeveria na “integron” në Meksikë, drogë, vrasje, rrëmbim!

 

Nga Boldnews.al

Sapo ka dalë muaji janar 2020. Ters e më ters ka nisur, me vrasje për trafik droge, rrëmbim dhe ekzekutim, grupe kriminale që livadhisin të lirë dhe jetë të ikura nga përplasjet e bandave. Sa për reagimin shtetëror, ai është më shumë spektator i një shfaqje që e vuri vetë në “skenë”, por sot po i del jashtë kontrollit, pasi kjo “komedi” e dikurshme është kthyer në dramë nga vetë regjisori “D-Rama”.

Televizioni italian RAI 3 vijoi edhe mbrëmjen e djeshme me reportazh të zgjeruar ku thekson se ka prova të pakundërshtueshme se kultivimi i drogës në Shqipëri është 12 fishuar për vitin 2019, krahasuar me 2018-ën. Rama reagoi duke e konsideruar “turp gazetaresk”, por sot faktet janë ashiqare.

Brenda një muaji janë kryer katër vrasje që dyshohet se lidhen drejtëpërdrejtë me prishjen e pazareve të drogës. Rasti më i fundit është ai i rrëmbimit dhe zhdukjes së 49-vjeçarit Jak Prenga, babai i pesë fëmijëve, që zyrtarisht thuhet se mbeti viktimë e një ngarkese kokaine nga Ekuadori në Britaninë e Madhe, ku ishte i përfshirë vëllai i tij. Rrëmbimi u krye në mes të ditës, në mes të Kamzës dhe në sytë e dhjetëra qytetarëve që mbetën të shokuar nga mënyra e dhunshme dhe më pas largimit pa pasur drojën e policisë.

Për strukturat e rendit është e konfirmuar se 49-vjeçari është ekzekutuar. Të tjera ngjarje rrëmbimesh, zhdukjesh, vrasjesh të tipit mafioz po regjistrohen në vend, ku krimi i organizuar është tërësisht jashtë kontrollit, kjo edhe me “ndihmën” e vetë pushtetit.

LEXO EDHE  Gentian Zenelaj ka një mesazh për Ardi Veliun: Po nëse do i ndodhte djalit tim...

Shqipëria ende ka një fije shpresë se mund të marrin hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Padyshim që kjo nuk vjen për shkak të “plotësimit të kushteve”, por një kalkulim i vendeve të BE-së të cilët duke parë krizën e madhe politike, ekonomike, por edhe fuqizimin e krimit të organizuar, veçanrisht të trafikantëve të drogës, po përdorin integrimin si një mënyrë për të pasur më shumë kontroll në vendin e vogël që po shkakton kaq shumë probleme.

Po i përngjajmë disa zonave në Meksikë të cilat janë nën kontrollin e bandave të drogës. Lenë pas vrasje dhunë të tmerrshme dhe kufoma që gjenden rrugëve. Pasojat që sot shoqërohen me vrasje dhe rrëmbime lidhen kryesisht me kanabizimin e vendit përgjatë viteve 2016-2017. Shqipëria u zhyt e gjitha nën halucinacionin e kanabisit, ku ngritën krye grupe kriminale të lidhur me personazhe të politikës në pushtet.

Sot kontrolli është i tyre, ndërsa policia edhe nëse do të ketë vullnet për ta luftuar e ka shumë të vështirë, pasi krimi i organizuar është përfshirë në çdo qelizë dhe mbrojtje që i vjen nga individë me pushtet dhe në vendimmarrje shtetërore.