Guri që sjell vdekje, lëndime, largime nga puna e që s’pasuron minatorët
Vështirë se Bulqiza do t’i binte ndokujt në vesh po të mos ishte për “gurin e zi me xixa”. Vendasit e qytezës veri-lindore të Shqipërisë kështu i referohen kromit, që gjendet me bollëk aty, në minierën më të madhe të këtij minerali në vend. E gjithë jeta e tyre është e lidhur me minierën, ashtu siç u ndërtua edhe qyteza rreth saj.
“Vështirë se mund ta gjesh dikë në Bulqizë që s’ka dikë të afërm a që s’ka punuar vetë nga miniera”, thotë një bulqizak.
Prodhimi i kromit në Bulqizë nisi gjatë pushtimit fashist italian, diku kah viti 1942, duke shfrytëzuar mineralin mbi sipërfaqe të tokës. Pas disa vitesh, në fillim të 1948-ës nisi punën miniera nën qeverinë komuniste shqiptare, e në dekadat pasuese kërkimet për krom u avancuan në “kërkime vertikale”.
Aty u punësuan qindra minatorë — banesat e para në qytezë, dy e tri katëshe, u ndërtuan për ta në vitet ’60 – ’70. Përveç minatorëve, në Bulqizë bënin punë të detyruar edhe të burgosurit e asaj kohe, siç ishte praktikë përgjatë regjimit komunist.
Përgjatë dekadave, Shqipëria ka eksportuar miliona tonë të gurit të zi me xixa. I përdorur gjerësisht në industritë globale, sidomos në atë të çelikut, kromi është një ndër burimet më të rëndësishme minerale të vendit.
Sot minierat janë ende pjellore — nga thellësitë e tyre nxirren në sipërfaqe mijëra tonë krom. Por, për dallim nga koha e regjimit të Enver Hoxhës, tani shumica e minierave në Shqipëri menaxhohen nga kompanitë private, pasi shteti shqiptar vendosi t’i jepte ato me koncesion.
Sipërfaqen më të madhe të galerive e ka nën shfrytëzim kompania “AlbChrome”, për të cilën punojnë mbi 600 minatorë.
Kjo kompani, bashkë me dhjetëra të tjera, bëjnë pjesë në “Balfin Group”, një ndër konglomeratet më të mëdha të investimeve private në Evropën Juglindore. Përveç industrisë minerare, ky konglomerat ka biznese në disa fusha të tjera, si pasuri të patundshme e menaxhim të hapësirës tregtare e industriale. “Balfin Group” është në pronësi të personit më të pasur në Shqipëri, Samir Mane, i cili shquhet si figurë kontraverse dhe akuzohet nga aktivistë të shoqërisë civile se i shkelë të drejtat e nëpunësve minatorë.
Rreth kësaj qyteze, mediat shqiptare raportojnë për “mafian”, ndikimin e politikanëve, vrasjes mes biznesmenëve, korrupsionin, shkeljen e të drejtave të minatorëve si dhe vdekjet e lëndimet e tyre.
Pavarësisht pasurisë nëntokësore, Bulqiza vazhdon të jetë një ndër rajonet më të varfëra të Shqipërisë — në një shkrim të vitit 2016 thuhej se të ardhurat nga miniera ishin të pakta, e 28% të banorëve ishin të papunë.
Gratë janë më të prekurat nga papunësia. “Dikush edhe mund të na paragjykojë se gratë s’punojnë, por s’kanë se ku”, është përgjigja e një vendasi në pyetjen se kush i punon nga familjarët.
Përtej shifrave, Bulqiza edhe në shikim të parë ta jep përshtypjen e një vendi të varfër. Shumica e ndërtesave janë të vjetra, rrugët të ngushta e të paasfaltuara. Rreth sheshit, shumë lokale janë të mbyllura e në xhama kanë të ngjitura lajmërimet “Lëshohet me qera”.
Qyteza gjallërohet gjatë mëngjesit të hershëm, para se minatorët ta nisin turnin e parë të punës, dhe pak para mesnatës, kur shumë prej tyre e përfundojnë turnin e tretë. Për më pak se një orë gjatë këtyre kohëve të ditës, kafiteritë “Duriçi” e “Cupi” vlojnë nga minatorët, e pastaj zbrazen sërish deri në turnin tjetër.
Rreth kësaj qyteze, mediat shqiptare raportojnë për “mafian”, ndikimin e politikanëve, vrasjet mes biznesmenëve, korrupsionin, shkeljen e të drejtave të minatorëve si dhe vdekjet e lëndimet e tyre.
Ende pa u futur në Bulqizë, ekipi i K2.0 hasi në një autoambulancë që po zbriste nga kodra e minierës. Nisur nga lajmet e shpeshta të dëgjuara për aksidentet e minatorëve, ekipi vendosi të ndiqte ambulancën. Në të po transportohej minatori Tushë Asllani, që e kishte lënduar syrin gjatë punës në minierë. Ai mori trajtim mjekësor në spitalin e qytezës, për t’u dërguar më pas në Tiranë.
Sipas një hulumtimi të vitit 2015 nga BIRN, aksidentet nëpër minierat e Shqipërisë kanë shkaktuar vdekjet e rreth 300 minatorëve në dekadën e mëparshme. Në Bulqizë, 22 minatorë kanë gjetur vdekjen nëpër parcelat e minierës në vitet e fundit, shtatë prej tyre të punësuar te kompania AlbChrome.
Në shumicën e aksidenteve që u kushtojnë me jetë minatorëve, institucionet shtetërore i lënë fajtorë vetë viktimat. Madje mediat në Shqipëri raportojnë se kompanitë që punësojnë minatorët, për disa nga të cilat është zbuluar se kanë lidhje politike, në shumë raste nuk ndiqen penalisht nga autoritetet e drejtësisë.
Në nëntor 2019, qindra minatorë në Bulqizë u bashkuan për të kërkuar kushte më të mira pune duke formuar një union të ri, Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB). Ata kujtojnë se disa ditë pas themelimit të SMBB-së, kompania “Albchrome” filloi të shkarkonte nga nga puna disa prej sindikalistëve dhe të ushtronte presion ndaj minatorëve për shkak të angazhimit të tyre në aktivizëm.
Qëkur “Albchrome” filloi t’i ndërmarrë këto veprime, minatorët dhe shoqëria civile në Shqipëri po organizojnë protesta kundër pronarit të kësaj kompanie, Samir Mane, duke e akuzuar se po mundohet ta mbysë organizimin e tyre sindikalist me shkarkimet e padrejta të anëtarëve të sindikatës. Aktivistët e kanë organizuar edhe një fushatë me slloganin “Bojkoto Samir Manen”, duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bojkotojnë bizneset e tij të kudondodhura në vend.
Ndërsa sindikalistët e Bulqizës tregojnë për grevën që e filluan një ditë para se të ndodhte tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, dhe kujtojnë se e ndalën atë për disa ditë në solidarizim me dhjetëra viktimat që e humbën jetën në këtë fatkeqësi natyrore. Madje, ata thonë se disa nga kolegët e tyre minatorë — të cilët nuk ishin pjesë e grevës — punuan edhe në orët pasi ndodhi tërmeti. Kjo e nxiti edhe më shumë revoltën e sindikalistëve, të cilët edhe sot po vazhdojnë të kërkojnë kushte më të mira pune.
Shumë nga familjarët e minatorëve të vdekur refuzojnë të flasin haptaz — ulen e tregojnë aksidentet e momentet e fundit të familjarëve të tyre, fajësojnë kompanitë private e autoritetet shtetërore, por nuk lejojnë t’u publikohet emri. Disa punojnë vetë në minierë dhe kanë frikë se mund ta humbin punën. E disa të tjerë frikësohen se mund ta humbin dëmshpërblimin financiar që u takon, ashtu siç humbën familjarët.
Nga shumë histori të dëgjuara gjatë qëndrimit në Bulqizë, ekipi i K2.0 sjellë rrëfimet e katër minatorëve dhe familjeve të tyre.
Pa gisht e pa dëmshpërblim
Tash e shumë vite, Lahim Boja e nisë ditën para orës 5. Shpejt e shpejt e ha kafjallin dhe del nga shtëpia. Pas pak minutave ecje nëpër rrugën e pjerrët e të paasfaltuar, 53-vjeçari ndalet dhe e pret autobusin që e çon nga Fushë Bulqiza në qendër të Bulqizës.
Aty arrin pak minuta pas orës 6 dhe shkon drejt e te kafeteria “Cupi”, ku e pi kafen e mëngjesit së bashku me kolegët e tij minatorë. Në më pak se gjysmë ore, gati i gjithë lokali zbrazet, kur Lahimi e kolegët e tij nisen të shkojnë në punë.
Një nga një, ata i ngjiten kodrës për te hyrja e minierës — ajo pamje është pagëzuar nga bulqizakët si “rreshti i milingonave”. Nga ora 6 e 45, minatorët fillojnë të futen në zonën e minierës që menaxhohet nga kompania AlbChrome, dhe vazhdojnë punën deri kah ora 3 e pasdites.
Pak a shumë kështu kish’ nisur për Lahimin edhe dita e 10 tetorit 2016. Ama ajo ditë s’do të ishte aspak e zakonshme për minatorin, i cili punon në minierën e kromit në Bulqizë për më shumë se 35 vjet. Puna e tij është të sigurojë ashensorët përmes të cilëve qindra minatorë futen në thellësi të minierës.
Atë ditë rreth orës 7 e 30, Lahimi me tre kolegët e tij do të lëshoheshin në nivelin e 14-të të minierës përmes ashensorit. Me çelësat, çekanin e daltën, mjetet e saldimit, maskën e kasketën, dhe i lidhur me konop, ai po kontrollonte nga sipër ashensorin brenda të cilit ishin tre kolegët e tij.
Teksa po kontrollonte njërën prej kolonave të ashensorit, ajo u shkëput dhe ia zuri gishtin e madh të dorës. “Gishti ra poshtë, ashtu i lidhur e tu u mbajtë me një dorë u lëshova brenda ashensorit”, kujton Lahimi.
Kur minatorët tjerë e panë gjakun, shpejt e shpejt ia lidhën dorën me një bluzë të grisur dhe e ngjitën në sipërfaqe, e ambulanca e minierës e dërgoi në spitalin e Bulqizës. Mjekët nuk mund të bënin diçka për gishtin e tij, pos t’ia lehtësonin dhimbjet. Për 10 ditë Lahimi mori trajtim mjekësor në spital, e për rreth tre muaj tjerë ishte i liruar nga puna.
Minatori veteran iu kthye punës tre muaj pasi u lëndua, dhe sot vazhdon të punojë për të njëjtën kompani
Në javët e para pas lëndimit, posa e mori veten paksa nga shëndeti, ai u interesua të bisedonte me kompaninë për të cilën punonte. Kishte frikë se mos do t’i ndryshohej pozita e punës e t’i ulej edhe rroga mujore prej 54 mijë lekësh (rreth 445 euro). U lehtësua kur e kuptoi se kjo s’do të ndodhte.
Kështu, sytë i ktheu kah dëmshpërblimi financiar për humbjen e gishtit në vendin e punës. ‘‘Unë e paguaj sigurimin, ato janë lekët e mia, pse t’mos m’i japin’’, ngul këmbë Lahimi.
Kompania i kish’ thënë, sipas fjalëve të tij, se në galeri ekziston rreziku, edhe mund të vritesh, porse të takon dëmshpërblimi. “Pra, ma jepni! ‘Do ta japim, do ta japim.’ Prit, prit, prit — shkoi tre vjetshi”, thotë ai plot mllef.
Sipas tij, pas aksidentit nuk është bërë raporti policor, dhe insiston se mungesa e raportit po e penalizon nga marrja e dëmshpërblimit financiar. ‘‘Ju besova, por se kishin pas’ bë”, thotë Lahimi.
Minatori veteran iu kthye punës tre muaj pasi u lëndua, dhe sot vazhdon të punojë për të njëjtën kompani. Kujton se që nga kthimi në punë, kolegët minatorë kanë shtuar kujdesin ndaj tij dhe shpeshherë e kursejnë nga punët e rënda. Sipas tij, deri më tash kjo është përkujdesja e vetme që ka pranuar në punë pas humbjes së gishtit.
Megjithëse vazhdimisht po bën përpjekje — pretendon se edhe para katër-pesë muajve ishte te zyrat qendrore të AlbChromit në Tiranë — ai ende nuk e di se kur do ta marrë dëmshpërblimin financiar.
Nevojën për ato para ia shton edhe gjendja jo e lakmueshme financiare e familjes së tij. Gruaja dhe vajzat nuk kanë arritur të gjejnë punë asnjëherë. As djali nuk gjeti punë, prandaj emigroi në Greqi.
I gjendur përballë këtyre rrethanave, Lahimi nuk mund të pushojë pasditeve kur kthehet nga puna si minator. Bashkë me gruan e vajzat ai vazhdon punën në bahçe dhe kujdeset për kafshët shtëpiake. Këto punë i bën me orar të plotë ditëve kur e ka pushim nga miniera.
Bereqeti i punëve të shtëpisë është se familja nuk ka nevojë të blejë qepët, fasulet, vezët, qumështin, djathin e kosin, mishin e pulës, apo edhe disa fruta të pemëve, gjë që i kursen paksa financiarisht. “As rakinë s’e blejmë”, thotë Lahimi i buzëqeshur, duke cakërruar gotat e mbushura me rakinë që e kanë prodhuar bashkë me gruan.
“Me të mira e të këqija po e përballojmë disi’’, thotë ai. Këmbëngulë se s’po dorëzohet, duke iu referuar kërkesës së tij për dëmshpërblim financiar. “Pesë lekë, pesë lekë. Sa të më bien, të miat janë”.
Të ndeshësh arushën rrugës për në punë
Pak metra nga qendra e Bulqizës së Vjetër, në një banesë tri-dhomëshe jeton Ferhat Kurti me gruan, nënën dhe dy fëmijët. Familja e tij nisi të banonte në Bulqizë rreth 30 vjet më parë, kur Ferhati, tash 54 vjeç, e filloi punën si minator.
Shtëpia e tij është thuajse aq larg nga qendra e qytezës sa është nga hyrja e minierës në të cilën ai punoi për 30 vjet. Gati e gjithë jeta e Ferhatit sillet rreth këtij perimetri — aty poashtu iu rritën dy djemtë e mëdhenj, të cilët tash kanë migruar. Por ky perimetër i sjell në mendje edhe shumë ndjenja të këqija.
Më shumë se 10 vjet më parë, një ditë teksa po punonte në nivelin e pestë të minierës së Bulqizës, ai e përjetoi një shtrëngim të fortë në gjoks. Ndaloi në vend për pak, por pas disa minutash e vazhoi punën, edhe pse gjoksin po e ndiente më ndryshe. Vendosi ta përfundonte turnin e punës të asaj dite, por dhimbja i vazhdoi edhe më vonë kur u kthye në shtëpi.
Pavarësisht ndjesisë së çuditshme, të nesërmen u zgjua dhe shkoi në punë si zakonisht. Si ndërdhëmbë ua përmendi disa kolegëve të tij minatorë atë ndjesi që po e përcjellte. Ata reaguan menjëherë, e pasi i folën gjatë e me këmbëngulësi, e bindën të shkonte te mjeku pasi ta kryente punën.
“Pfu, pfu, pfu”, e kujton ai psherëtimën e mjekut teksa po e kontrollonte.
Ferhati kishte përjetuar sulm në zemër. Mjeku e urdhëroi të shtrihej menjëherë në spital, dhe për një javë e mbajtën aty, ama si me zor. “Nuk ndieja aq dhimbje, më shumë më vinte inat, shumë inat”, thotë Ferhati, dhe tregon se ndihej i padobishëm.
Ai besonte se ishte mjaftueshëm i fuqishëm sa ta vazhdonte punën. Për më tepër, e dinte se familja e tij kishte nevojë që ai të punonte, pasi paratë e rrogës së tij ishin të vetmet që u vinin në shtëpi.
Pas një jave, me këto mendime të përziera në kokë, vendosi të ikte nga spitali. Menjëherë rifilloi punën, pa e bërë të madhe punën e infarktit. Për dy javë e vazhdoi hapjen e puseve në minierë, derisa një ditë gjatë punës i ndodhi sulmi i dytë. Kësaj here e la pa ndjenja.
“Më kujtohet vetëm kur jam zgju’ n’spital”, kujton minatori.
Kësaj here nuk kishte çare pa pushuar më gjatë. Pushimi iu zvarrit edhe më shumë nga infarkti i tretë që e kapi pa kaluar dy muaj nga i dyti. “Na s’jemi edhe aq me shkollë, po besoj se pluhuri [i minierës] e bëri këtë”, thotë Ferhati për sulmet në zemër që përjetoi.
Edhe pas tri sulmeve në zemër, ai e vazhdoi punën në minierë për rreth një dekadë
Bile nuk u kujdes vetëm ta ruante vendin e punës, por mori pjesë edhe në greva e protesta. Një nga më të mëdhatë prej tyre ishte greva e 2011-ës, ku minatorët në mes tjerash kërkuan rritje të pagave dhe të investimeve në minierë. Por thotë se nuk ua pa hajrin atyre.
Në vitin 2013, kompania AlbChrome u bë pronare me koncesion e galerisë ku punonte ai. Pas disa kohësh, atij i nisën prapë telashet, kësaj here jo nga shëndeti por nga protestat, dhe atë në Ditën e Punëtorëve. “T’jesh në Bulqizë e t’mos dalësh [në protestë] për 1 Maj?”, pyet Ferhati, duke e kujtuar atë ditë të vitit 2017 kur minatorët u çuan në një protestë simbolike para minierës.
Atë ditë, inatin më të madh e kishte me udhëheqësit e sindikatës së minatorëve, që sipas tij s’i kishin bërë kompanisë presion të mjaftueshëm për rritje të pagave dhe rregullim të kushteve të punës. “Reagoj pak më tepër. I them [kryetarit të sindikatës] se jeni vrasës ekonomik e psikologjik i minatorëve”, kujton Ferhati.
Ai tregon se pas disa ditësh ishte ftuar në zyrë të kompanisë për ta sqaruar reagimin e tij, dhe më pas ishte lajmëruar se e kishin suspenduar nga puna për tre muaj. Gjatë asaj kohe e merrte pagën mujore, dhe ishte në pritje të një vendimi tjetër.
Zyrtarët e kompanisë vendosën ta transferonin në Burrel, rreth 7 kilometra larg, për të punuar në fabrikën e përpunimit të kromit. I thanë se këtë po e bënin për shkak që kishte probleme me zemër. “Probleme me zemër keni ju”, kujton t’ua ketë kthyer Ferhati.
Ai beson se vendimi erdhi vetëm për shkak se ishte pjesë e protestës dhe jo se dikujt i bëhej vonë për shëndetin e tij. “E mora si internim, pasi kisha ngritë zërin”, thotë minatori, i cili megjithatë pranoi ta vazhdonte punën në Burrel.
Ndryshe prej më herët, tash i duhej të ecte për disa kilometra, dhe atë nëpër mal. “Kam hasë arushën në mal sa shkoja në punë”, thotë në një moment Ferhati. Kujton se për atë rast i ka lajmëruar edhe eprorët e tij, por nuk i ka bërë zgjidhje askush.
Ai punoi aty deri në qershor të vitit 2019, kur sipas tij e larguan nga puna me arsyetimin se e kishte prishur etikën në punë dhe e akuzuan se i kishte sharë dhe shtyrë fizikisht eprorët gjatë një ballafaqimi kur kërkonte të kthehej në vend të punës në Bulqizë.
Tash bëhen mbi gjashtë muaj prejse është i papunë. Për ta zbutur sadopak gjendjen e rëndë ekonomike të familjes, gruaja e tij ka filluar punën ilegalisht në një galeri tjetër private, ku mblidhet krom mbi sipërfaqe të tokës.
Më herët, edhe njëri nga djemtë e tyre kishte punuar ilegalisht në minierë për më pak se një vit, derisa një lëndim në këmbë e kishte shtyrë ta linte punën. “‘30 vite punove dhe çka arrite? Kur s’ke bërë ti për kaq vite, çka do arrij unë?’”, kujton ai fjalët që ia kishte thënë djali i tij, i cili sot jeton në Gjermani.
Revolta e brezit të tretë
Ende pa i mbushur 20 vjet, Elton Debreshi vendosi të largohej nga Bulqiza. Vështirësitë për të gjetur punë në vendlindje e detyruan të emigronte në Greqi, ku bëri disa lloje të punëve, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë. Por në atë kohë shtetin grek e kaploi kriza ekonomike që i la pa punë qindra mijëra të rinj, përfshirë edhe atë.
Në vitin 2010, Eltoni u kthye në Bulqizë dhe po mendonte se si të shkonte përsëri në Greqi. Por planet i ndryshuan kur pësoi një aksident me motocikletë, i cili e la të paaftë të punonte për disa muaj. Kur u shërua filloi të kërkonte punë në qytezë, dhe siç e dinë të gjithë bulqizakët, miniera është ndër të paktat mundësi për punësim.
Ai e njihte punën e minatorit pasi babai i tij kishte punuar në minierën e Bulqizës për më shumë se 30 vjet, e gjyshi që nga hapja e saj. Kështu, në prill të 2010-ës edhe ai nisi të punonte në minierë.
Atë vit kur Eltoni e nisi punën si minator, një tjetër të riu të kësaj qyteze, Beqir Duriçit, iu bënë tri vjet që po e ushtronte këtë profesion. Edhe ai po e vazhdonte traditën e burrave të familjes.
Vitet e para të punës Beqiri i kujton si jashtëzakonisht të vështira, thotë se ndodhnin shumë aksidente, kushtet e punës ishin të rënda dhe paga ishte shumë e ulët.
Kujton kohën kur minatorët e bojkotuan punën për disa muaj, duke i shtyrë kështu punëdhënësit t’ua rrisnin pagat. Ishte edhe pjesë e grevës së vitit 2011, dy vjet pas së cilës iu ndërrua punëdhënësi. Pjesa e minierës ku ai punonte u mor në menaxhim nga kompania AlbChrome, e cila kishte premtuar se do të investonte në minierë.
Llafet se kompania e re menaxhuese e këtyre galerive do të ofronte kushte më të mira të punës bënë që edhe Eltoni të mendonte të punësohej aty, dhe këtë e arriti në shkurt të vitit 2014. Prej atëherë e deri në fund të 2019-ës, Eltoni e Beqiri punuan për të njëjtën kompani. Që të dy thonë se premtimet e kompanisë për ta përmirësuar gjendjen e minatorëve nuk u realizuan.
“Ç’është e vërteta, kompania investoi vetëm në rritjen e thellësisë së pusit [të minierës] dhe këtë e bëri për profitin e vet”, thotë Beqiri. Sipas tij, kjo vetëm e rriti vëllimin e punës, por kompania nuk ua rriti pagat e as nuk i përmirësoi kushtet e punës.
Këto vite ia kanë lënë Eltonit në mendje lëndimet e shumta të minatorëve. “Linja e helikopterit Tiranë-Bulqizë u pat bë si ajo e furgonit”, thotë ai.
U shënuan edhe disa vdekje të minatorëve, e për Eltonin dallohet rasti i Eduard Damas më 2017. Ditën kur minatori 27-vjeçar kishte vdekur brenda minierës, lajmi ishte shpërndarë menjëherë nëpër Bulqizë, e bashkë me të edhe inicialet e Damas, të cilat përputheshin me ato të Eltonit.
Eltonin e kishin vërshuar thirrjet e shokëve e familjarëve, por ai nuk kishte qasje në telefon. Edhe ai kish’ dëgjuar për aksidentin fatal, dhe po mundohej të merrte vesh nëse ishte mirë babai i tij minator dhe vëllai i vogël që sapo kish’ nisur punën në minierë. Tek pasi e përfunduan punën Debreshët e kuptuan se të gjithë ishin shëndosh e mirë.
Eltoni e Beqiri ishin të lodhur nga kjo gjendje, dhe më shumë se me gjithëkë tjetër, mllefin e kishin me sindikatën e minatorëve. Sipas tyre, sindikata nuk po e kryente punën e vet dhe po ia mbante anën kompanisë, jo minatorëve. Prandaj kërkuan nga udhëheqësit e sindikatës që të reagonin dhe t’i kërkonin kompanisë rritje të pagave. Sindikalistët u thanë se do të bisedonin me kompaninë.
Në më pak se një javë, sindikalistët e njoftuan Beqirin se kompania nuk do t’i rriste pagat. Kjo e zemëroi jashtëzakonisht Beqirin, Eltonin dhe grupin prej 30 minatorëve që e kishin përgatitur kërkesën.
Grupi nisi të mbledhte nënshkrime për të formuar një sindikatë të re. Kjo ra në vesh të udhëheqësve të kompanisë e atyre të sindikatës, dhe në pak ditë u mor vendimi që Eltonit dhe Beqirit t’u ndryshohej pozita e punës.
“Më çuan tek niveli i 17-të, aty është puna më e vështirë”, thotë Beqiri. E Eltonin, nga pozita e minatorit e kthyen në vagonist. Të dy e vazhduan punën në pozitat e reja, por nuk hoqën dorë nga formimi i një sindikate të re. I mblodhën nënshkrimet e minatorëve dhe dorëzuan në gjykatë kërkesën për regjistrim e pranim të sindikatës.
“Me një grusht djemsh të besës vazhdimisht u morëm me themelimin e sindikatës”, thotë Eltoni.
Më 15 tetor 2019, Gjykata e Tiranës shpalli vendim me të cilin e njohu si legjitime sindikatën e tyre. Një muaj më vonë, në qendër të qytezës u shpall themelimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Eltoni u zgjodh kryetar, ndërsa Beqiri financier.
Me të marrë vesh për shkarkimin e kryesindikalistit të ri, minatorët vendosën të ngriheshin në grevë, të cilën e nisën më 25 Nëntor pata zyrave të kompanisë në Bulqizë
Më 19 nëntor, Eltoni u thirr në zyrat e Albchromit në Bulqizë. Aty iu tha se sindikata e re nuk njihet nga kompania dhe u pyet se cilat janë qëllimet e tij. Po ashtu, iu tha që më 21 nëntor duhej të shkonte për takim në zyrat qendrore të kompanisë në Tiranë, ku ai thotë se i dëgjoi gati po të njëjtat fjalë, veçse kësaj here iu përmendën edhe disa mungesa në punë.
Sipas Eltonit, ai u akuzua se muaj më parë kishte munguar në punë për pesë ditë. Ai tregon se ato mungesa i kishte bërë sepse e kishte të sëmurë njërin prej fëmijëve, dhe thotë se kishte raport mjekësor për to dhe i kishte njoftuar eprorët me kohë se do të mungonte.
Megjithatë, me 23 nëntor ai u pushua nga puna, me arsyetimin se ka shkelur etikën e punës dhe nuk e ka respektuar orarin. Me të marrë vesh për shkarkimin e kryesindikalistit të ri, minatorët vendosën të ngriteshin në grevë, të cilën e nisën me 25 nëntor para zyrave të kompanisë në Bulqizë.
Po atë ditë, Beqirit i erdhi thirrja të paraqitej në Tiranë tek zyrat e kompanisë. Sipas tij, kompania e akuzonte se kishte disa mungesa në punë. Gjatë disa ditëve të punës, ai kishte mangu disa minuta, sipas tij për shkak të rendit të gjatë që bëhet kur minatorët janë duke hyrë në minierë.
Beqiri u kthye nga Tirana drejt e në grevë, të cilën minatorët nuk e kishin ndërmend të ndalnin, megjithëse thonin se kompania po u bënte presion të vazhdueshëm. Por e ndalën në ditët pas tërmetit që goditi Shqipërinë në fund të nëntorit, në solidarizim me viktimat.
Grevën e vazhduan më 1 dhjetor për tri ditë tjera, e më 3 dhjetor edhe Beqiri u njoftua se është përjashtuar nga puna. “Më pas nisën t’i shantazhonin minatorët se nëse nuk kthehen në punë, s’do e marrin shpërblimin e fundit të dhjetorit”, thotë Beqiri. Tash, në fillim të vitit 2020, pas një proteste të radhës nga minatorët, ata u njoftuan nga kompania se do ta marrin atë shpërblim.
Ai po ashtu thotë se atë dhe Eltonin i larguan nga puna për t’u dhënë shembull minatorëve se në rast se vazhdojnë të protestojnë do të largohen edhe ata nga puna. Sipas tij, ashtu edhe ndodhi me Behar Gjimin dhe Ali Gjetën, pjesë e Këshillit Sindikal të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës — u larguan nga puna me arsyetimin se kishin mungesa gjatë orarit të punës.
‘‘Asnjëherë nuk kisha ankesa nga eprorët se jam vonuar apo larguar nga puna më herët’’, thotë Eltoni. “Pse u kujtuan për ankesat vetëm kur bëmë sindikatën e po kërkonim të drejtat tona?”K
# Kompania AlbChrome është kontaktuar për intervistë nga K2.0, por ata nuk janë përgjigjur.
/Burimi: kosovotwopointzero/