Mbrëmjen e djeshme, vendimet e Këshillit të Ministrave konfirmuan disa ndryshime në qeverinë “Rama”, ku një prej tyre ishte dhe emërimi i Oltion Rrumbullakut në postin e zëvendësministrit të Arsimit.
Pak orë pas lajmit për këto ndryshime në qeveri, ish-zëvendësministri Taulant Muka, i ka publikuar një artikull plagjiaturë të pedagogut Olti Rrumbullaku.
Muka ka publikuar artikullin, “VAT Threshold and Some Implications in Albania” në vitin 2010 në revistën kineze “Journal of US-China Public Administration”. Muka shton se artikulli shkencor i pedagogut Oltion Rrumbullaku është 100% i kopjuar, dhe i vetmi ndryshim sipas tij është zëvendësimi i valutës nga dollarë në lekë.
“Oltion Rrumbullaku, Zv. Ministri i Ri i Arsimit, me vetëm një artikull 100% kopje- ndërron vetëm valutën nga Dollar në Lek! Në databazën Google Scholar del se Oltion Rrumbullaku, i emëruar sot Zv/ Ministri i Ri i Arsimit, edhe pse është pedagog në Universitetin e Tiranës, të ketë vetëm një artikull “shkencor”- “VAT Threshold and Some Implications in Albania” të publikuar në vitin 2010 në revistën kineze “Journal of US-China Public Administration” (ISSN 1548-6591 October 2011, Vol. 8, No. 10, 1149-1155).
Nga një kërkim i shpejtë, del se pjesa më e madhe e artikullit të z. Rrumbullaku të jetë 100% kopje e librit “The Modern VAT” nga Laim P. Ebril. I vetmi ndryshim, siç edhe mund të shihet në fotot, është zëvendësimi i Dollarit me Lek. Për më tepër, z. Rrumbullaku shkruan si konkluzione përfundimet nga një tjetër botim të Markos Abraha Gebre-Egziabher në një Universitet të Etiopisë. Si mundet kjo qeveri të vazhdojë të tallet me shqiptarët? Kjo politikë është vrastare për arsimin, shkencën dhe të ardhmen e vendit”, – thotë Muka.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i zëvendësministrit të ri, Rrumbullaku, i cili ka replikuar me Mukën, por që nuk e ka mohuar plagjiaturën e tij. Madje ai e quan atë një material të para 10 viteve që nuk ka shërbyer për asgjë dhe nuk të shërben.
“Taulant, më jep një email të të dergoj librin që kam me 340 faqe, ta kontrollosh pak. Libër që e kam punuar për 4 vite rresht dhe që i shërben mijëra profesionisteve të fushës” – shkroi zv.ministri në Facebook.
“Olti, prisja të komentoje rastin publik. Tashmë je në Ministri, keni softëare antiplagjiaturë të cilin e paguajmë ne qytetarët e Shqipërisë. Nuk mund të shkruash libra akademik kur nuk ke shkruajtur artikull, është “A”-ja në arsimin e lartë. Komenti jot tregon rëndësinë e postimit tim dhe nevojën urgjente që ka vendi për njerëz me eksperiencë në shkencë!” – shkroi Muka.
“Ka 7000 ish-studentë që dëshmojnë për punën time në auditor për kaq shumë vite. Një material i para 10 viteve që gjen online dhe që nuk ka shërbyer për asgjë, nuk të shërben. Kaq” – e mbyllu Rrumbullaku.