Klodian Kurushi, gjyqtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda, ka kaluar procesin e Vetting-ut.
Kurushi kryesoi trupën gjyqësore në procesin ndaj Suel Çelës, i akuzuar për atentatin ndaj policëve te tregu agro-ushqimor në Elbasan.
Sipas gjykatës, Prokuroria nuk ka arritur dot të vërtetojë me prova të qarta, përfshirjen e Suel Çelës në ngjarjen në tregun agro-ushqimor në Elbasan. Togat e zeza shprehen se, provat e gjetur në automjetin tip “Audi”, nuk tregojnë nëse Suel Çela ka qenë ose jo në momentin e ngjarjes në automjet.
Kurushi u përball më 5 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që kreu procesin e vetingut për Kurushin përbëhej nga Suela Zhegu, Alma Faskaj dhe Lulzim Hamitaj.
Klodian Kurushi ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001 dhe e ka nisur karrierën në drejtësi nga Gjykata e Sarandës. Në nëntor 2005, Kurushi është emëruar gjyqtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 14 vitesh.
Referuar, BIRN, gjyqtari Klodian Kurushi nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij kap vlerën e 17.6 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 1.2 milionë lekësh.
Në fund të vitit 2017, gjyqtari zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 11.6 milionë lekë si dhe likujditete bankare prej 5.9 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 33.9 milionë lekë. Rreth 50% e të ardhurave kanë si burim pagën e Z.Kurushi si gjyqtar, ndërsa paga e bashkëshortes zë 48% të totalit. Subjekti ka përfituar gjithashtu të ardhura të vogla nga mësimdhënia.
Relatorja Suela Zhegu pohoi në fillim të seancës se Komisioni e ka përfunduar hetimin administrativ për Kurushin në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit.
Gjatë relatimit Kurushi u vlerësua pozitivisht për figurën dhe profesionalizimin; ndërkohë, Komisioni identifikoi dy gjetje lidhur me veprime të mundshme fiktive në përfitimin e një kredie të butë për të cilat ai dha shpjegime duke mos i konsideruar si të tilla.
Këto gjetje janë identifikuar gjatë verifikimit të një apartamenti në pronësi të Kurushit me sipërfaqe 79.8 m2 në Tiranë, të blerë në vitin 2013 me vlerë totale 6.3 milionë lekë.
Si burim krijimi për këtë pasuri, Kurushi ka deklaruar një kredi me kushte lehtësuese 5 milionë lekë dhe të ardhura nga puna. Nga kredia ka rezultuar të mos jenë shlyer ende 2.5 milionë lekë. Në kontratën e porosisë, është konstatuar se sipërfaqja ka qenë 83.8 m2.
Sipas relatores Zhegu, gjyqtari Kurushi ka shpjeguar se diferenca ishte sipërfaqja e përbashkët e zbritur nga kontrata e porosisë. Ndërkohë që për këstin e parë 5 milionë lekë dhe të fundit 1300 euro nuk janë identifikuar problematika, për pagesën e këstit të dytë në shumën 500 mijë lekë, Komisioni konstaton mungesë të burimeve të ligjshme në vlerën -215 mijë lekë.
Relatorja Zhegu theksoi se gjatë hetimit për këtë apartament është konstatuar se për të marrë kredinë e butë, gjyqtari Kurushi ka dorëzuar një kontratë sipërmarrje tjetër, për një apartament me sipërfaqe 109 m2.
“Sipas kësaj kontrate çmimi ishte 60 mijë euro dhe shënohet se subjekti e ka shlyer këtë apartament”, pohoi relatorja Zhegu e cila shtoi se kjo kontratë nuk është pasqyruar as në deklaratat periodike dhe as në atë veting. Komisioni ka hetuar për konflikt të mundshëm interesi mes gjyqtarit Kurushi dhe administratorit të kësaj shoqërie ndërtuese, por nuk është konstatuar një gjë e tillë.
Komisioni konstaton se duket që Kurushi të ketë vendosur marrëdhënie fiktive për përfitimin më vonë të një apartamenti dhe ka kërkuar shpjegime nga subjekti.
“Subjekti ka shpjeguar se ka pasur miqësi me një prej ortakëve të shoqërisë. Ai ka thënë se kontrata është nënshkruar në mirëbesim dhe se duke qenë se ndryshoi destinacioni dhe u kthye në shkollë është zgjidhur në heshtje”, pohoi Zhegu. Sipas relatores Zhegu, Kurushi ka pretenduar se nuk është bërë asnjë veprim financiar, por është nënshkruar me qëllim që më vonë, pas çeljes së kredisë, të niste dhe pagimi. Ajo sqaroi se edhe administratori ka pohuar të njëjtën gjë.
Gjatë fjalës së tij, Kurushi u ndal gjatë tek kjo gjetje e KPK-së. Ai tha se nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend të kryente veprime fiktive apo të kundërligjshme.
“Unë kam lidhur një kontratë sipërmarrje me qëllim blerjen e një apartamenti. Ishte moment i artë, ku për shkak të ligjit u përfshiva në listën për t’u trajtuar me kredi të butë. Nuk isha i pari, kishte pasur të tjerë para meje që kishin përfituar këtë lloj kredie. Emri im kishte shkuar tek Raiffeisen Bank”, tha ai duke shpjeguar se përfaqësuesin e shoqërisë ndërtuese në fjalë e kishte njohur para viteve 2000 dhe jo për shkak të punës si gjyqtar.
“U hartua kontrata e sipërmarrjes në zyrat e shoqërisë dhe i kërkova të shkruhej se kësti i parë do paguhej me kredi. Kur më erdhi kredia në tetor të vitit 2007 dhe shkova të paguaja, por ai më tha se kishte mundësi që të ndryshonte destinacioni i objektit dhe nëse do të merrte licencën do të më ktheheshin paratë. Ishte situatë e pasigurt”, pohoi para Komisionit Kurushi.