Arben Kraja, Edvin Kondili dhe Altin Dumani janë tre kandidatët për të drejtuar SPAK-un, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka njoftuar se në përfundim të afatit të aplikimit, 10 dhjetor 2019 (sot), këta tre prokurorë kanë dorëzuar kërkesën dhe dokumentacionin përkatëses për të aplikuar për drejtimin e SPAK.
Në një artikull të publikuar më 23 Nëntor, Boldnews shpjegonte si pritet të vijojë puna me krijimin e Prokurorisë Speciale-SPAK.
Përfundon afati i aplikimit, ja kush janë 3 kandidatët për kreun e SPAK
Gjithçka për SPAK/ Kur është dita e parë e punës dhe emrat më të kuotuar për drejtues
Nga Boldnews
Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të emërojë zyrtarisht 8 prokurorët e parë të Prokurorisë së Posaçme-SPAK, ndërkohë që puna e tyre efektive është parashikuar të nisë në 19 Dhjetor të këtij viti.
Burime nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) deklaruan për “Boldnews.al” se koha tre-javore nga emërimi i prokurorëve deri në marrjen e detyrës së tyre do të shërbejë për të zgjedhur drejtuesin e SPAK-ut, si edhe për të realizuar transferimin e dosjeve që janë aktualisht nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda drejt prokurorive lokale, sipas kompetencës tokësore.
Emërime të pjesshme
Kushtetuta parashikon që Prokuroria SPAK të përbëhet nga 15 prokurorë dhe numri minimal i saj është 10. Por Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur që t’i japë jetë strukturës vetëm me 8 prokurorë që kanë kaluar me sukses Vetingun, nga 15 kandidatë të miratuar për të qenë pjesë e saj.
Nga lista prej 15 kandidatësh të miratuar nga KLP-ja, 3 prej tyre nuk mund të jenë pjesë e SPAK-ut. Dy prej tyre u shkarkuan nga Vetingu, konkretisht Ndini Tavani dhe Besnik Muçi, i cili, ndërkohë që ishte kandidat për SPAK, u emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe u shkarkua së fundmi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Kandidatja e tretë që mbetet “pezull” është Manjola Kajana, e cila kaloi me sukses fazën e parë të Vetingut, por që po pret shqyrtimin e rastit të saj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pas ankimit të Komisionerit Publik.
Ndërkohë, 4 kandidatë të tjerë, e konkretisht Elizabeta Imeraj, Anton Martini, Anita Jella dhe Doloreza Musabelliu, ende nuk janë përballur me seancën dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në këto kushte, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur të emërojë 8 kandidatët e tjerë, të cilët dolën me sukses në procesin e rivlerësimit. Ata janë: Altin Dumani, Arben Kraja, Enkelejda Millonai, Klodian Braho, Ened Nakuçi, Edvin Kondoli, Behar Dibra dhe Elida Kackini (Selami).
Megjithëse qasja e KLP-së për ngritjen e SPAK-ut me 8 anëtarë nuk është e parashikuar në Kushtetutë, struktura që është përgjegjëse për karrierën e prokurorëve ka vendosur që të krijojë Prokurorinë e Posaçme, ndër të tjera, edhe si një përmbushje të kërkesës së Bundestag-ut, para se Shqipërisë t’i hapet rruga drejt Bashkimit Europian.
Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vijojë të jetë në pritje të rezultatit para Vetingut të 4 kandidatëve të mbetur, për të vijuar më tej me ri-hapjen e garës për plotësimin e vendeve vakante, deri në plotësimin e numrit kushtetues prej 15 prokurorësh.
Emrat e kuotuar për drejtues
Kushtetuta, në nenin 148/dh të saj, parashikon se drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet me shumicën e votave në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Kjo e fundit, pasi të kryejë emërimin të hënën të 8 anëtarëve, do të hapë menjëherë garën për emërimin e drejtuesit të SPAK-ut. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të shqyrtojë kërkesat që mund të vijnë nga 8 anëtarët e emëruar për drejtues dhe në fund do të realizojë përzgjedhjen e emrit që do të kryesojë për herë të parë trupën e SPAK-ut.
Shpallja e kandidatit fitues për drejtues pritet të bëhet në 19 Dhjetor 2019, ditë që shënon edhe zyrtarizimin e krijimit të Prokurorisë së Posaçme.
Kandidati më i kuotuar për të qenë në krye të SPAK-ut për një mandat 3-vjeçar është Altin Dumani, i renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Gjithësesi, burime të brendshme nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë mendojnë që Dumani mund të rivalizohet fort nga Edvin Kondili, një prej prokurorëve që ka ushtruar prej vitesh funksionin pranë Krimeve të Rënda.
Transferimi i dosjeve
Me krijimin e Prokurorisë Speciale-SPAK, shkrihen Krimet e Rënda. Kushtetuta parashikon që dosjet që janë nën hetim nga Krimet e Rënda dhe që nuk do të jenë në kompetencë të SPAK-ut, do të shpërndahen për kompetencë në prokuroritë lokale.
Ndërsa çështjet që janë në gjykim pranë Gjykatës për Krime të Rënda, pavarësisht se nuk janë kompetencë e SPAK-ut, do të vijojnë të gjykohen deri në fund nga Gjykata e Posaçme, e cila pritet të zëvendësojë shumë shpejt Gjykatën për Krime të Rënda.
Prej disa javësh, prokurorët e Krimeve të Rënda dhe stafi administrativ janë angazhuar për të evidentuar dosjet hetimore që nuk do të jenë kompetencë e SPAK-ut, me qëllim transferimin e tyre. Ky proces duhet të përfundojë maksimalisht deri në 19 Dhjetor, kur do të ngrihet zyrtarisht Prokuroria Speciale.
Gjykata e Posaçme
Krijimi i Prokurorisë Speciale do të nxis edhe Këshillin e Lartë Gjyqësor për të krijuar Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Procesi që do të ndjekë Këshilli i Lartë Gjyqësor është disi më i komplikuar se sa ai që po zhvillon Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Kushtetuta parashikon që anëtarët e Gjykatës së Posaçme emërohen ata gjyqtarë të Krimeve të Rënda, të cilët kanë shprehur vullnetin, plotësojnë kriteret formale dhe që kanë kaluar me sukses procesin e Vetingut.
Aktualisht, procesin e Vetingut e kanë kaluar vetëm 5 gjyqtarë të Krimeve të Rënda, 4 nga Apeli dhe një nga shkalla e parë, disa prej të cilëve ende me formë të prerë.
Burime nga Këshilli i Lartë Gjyqësor deklaruan për “Boldnews.al” se, menjëherë pas krijimit të Prokurorisë Speciale, institucioni do të emërojë disa gjyqtarë, nga ata që kanë kaluar Vetingut, për të qenë pjesë e Gjykatës së Posaçme.
Këta gjyqtarë do të shqyrtojnë fillimisht masat e sigurisë për personat që do të jenë nën hetim për çështjet që do të jenë në kompetencë të Prokuroria Speciale. Ndërsa gjyqtarët e tjerë do të vijojnë të ndjekë çështjet që kanë aktualisht nën gjykim.
Procesi i plotësimit të Gjykatës së Posaçme do të vijojë gradualisht, në varësi të situatës me Vetingun të gjyqtarëve të tjerë të Krimeve të Rënda, të cilët kanë aplikuar për të qenë pjesë e trupës që do të shqyrtojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.