Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka rrëzuar pretendimet e paraqitura nga ish-kryetarja e shkarkuar e Gjykatës së Apelit Vlorë, Alma Liçaj, si për shkaqet procedurale të ankimit, ashtu edhe për gjetjet lidhur me pasurinë, që ishte i vetmi kriter për të cilin u përfundua rivlerësimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Në vendimin e zbardhur, trupa gjykuese e KPA-së e përbërë nga Luan Daci kryesues, Natasha Mulaj relatore dhe Albana Shtylla, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo anëtarë e cilësojnë të drejtë vendimin e KPK-së për shkarkimin e Liçajt. Edhe Kolegji konkludon se Liçaj dhe bashkëshorti i saj kanë kryer veprime fiktive për të fshehur pasurinë dhe se kanë mungesë të burimeve të ligjshme, duke cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Për një apartament banimi me sipërfaqe 107,08 m2 në Tiranë dhe vendparkim, të blerë në dhjetor të vitit 2009 në vlerën 97.664 euro, trupi gjykues i KPA vlerëson se ka mospërputhje midis deklarimit në vitin 2009 dhe në atë veting 2017. Në vitin 2009, Liçaj ka deklaruar si burim krijimi zgjidhjen e kontratës së sipërmarrjes së një viti më parë me një shoqëri ndërtuese, pagën dhe kursimet, ndërsa në vitin 2017 ka paraqitur huanë në vlerën 60 mijë euro marrë nga A.M. dhe huanë tjetër në vlerën 12 mijë euro nga vëllai i bashkëshortit, A.L.
Sipas KPA, huaja 60.000 euro që bashkëshorti i Liçajt ka marrë nga A.M., i deklaruar si burim krijimi i këtij apartamenti shkon përtej mundësive financiare faktike të huadhënësit. Si burim për shlyerjen e huasë 60 mijë euro, Liçaj ka deklaruar kursime nga paga dhe një hua në vlerën 30 mijë euro marrë nga K.S.në janar të vitit 2013. KPA del në përfundimin se edhe K.S. ka qenë në kushtet e pamundësisë financiare për t’i dhënë këtë vlerë bashkëshortit të subjektit.
KPA quan deklarim të pasaktë në vitin 2013 pasqyrimin të huasë në vlerën 12 mijë euro të marrë nga A.L., pasi subjekti dhe personi i lidhur nuk kanë deklaruar në vitet 2009-2012 asgjë lidhur me këtë hua.
“Për huanë në shumën 12.000 euro, trupi gjykues konstaton se ajo është nënshkruar vetëm një ditë pas datës së procesverbalit në ILDKPKI, të mbajtur mes znj. Alma Liçaj dhe inspektorit të ILDKPKI-së, si dhe një vit pas dhënies së pretenduar të huasë, gjë e cila i krijon bindjen trupit gjykues se ajo është lidhur me qëllim mbulimin me të ardhura të ligjshme të diferencës që ka rezultuar e pajustifikuar nga kontrolli në ILDKPKI,” citohet në vendimin e KPA. Kolegji rrëzon edhe pretendimin e Liçajt se ajo e ka deklaruar rregullisht këtë hua.
Kolegji arrin në përfundimin se kjo pasaktësi në deklarime është e qëllimshme pasi Liçaj ka rezultuar me mungesë burimesh financiare për të justifikuar pasurinë për këtë apartament në vitin 2010.
Trupi gjykues i KPA e quan të drejtë konstatimin e Komisionit se përmbajtja e situacioneve të punimeve të paraqitura për vitet 2010, 2011, 2012 dhe 2015, është fiktive, pasi rezulton që për vite të ndryshme të jenë kryer punime të njëjta, në të njëjtën sasi dhe të njëjtën vlerë. Në vendimin e KPK sqarohej se Liçaj pretendonte se kishte shpenzuar 4600 euro instalime elektrike dhe 3600 të tjera instalime hidraulike, ku sipas katër preventivëve të lëshuar nga viti 2010 deri në vitin 2014 ishin instaluar 368 priza, çelësa dhe automatë dhe po kaq pjesë hidraulike.
Trupi gjykues vlerëson se situacionet e paraqitura nga subjekti nuk janë të besueshme dhe për këtë arsye nuk mund të merren në konsideratë për të vërtetuar një ulje çmimit të apartamentit të përfituar nga shoqëria në vlerën prej 25.664 eurosh.
Në përfundim, KPA vlerëson se ish-gjyqtarja Liçaj nuk ka kryer deklarim të saktë në përputhje me ligjin për këtë apartament, ka mungesë burimesh të ligjshme dhe se ka kryer deklarim të rremë.
Për një apartament banimi me sipërfaqe 100,68 m2 në Tiranë të blerë në korrik të vitit 2016 në shumën 60.000 euro, KPA konkludon se pa verandën 16.20 m2 dhe pa vendparkimin, vlera duhej të kishte qenë 13.088.400 lekë ose 95.836 euro , pra 35.836 euro më shumë se çmimi i blerjes. “Kjo diferencë kaq e madhe mes çmimit në tregun e lirë dhe çmimit të shitjes në kontratë e bën argumentin e subjektit të rivlerësimit jobindës për trupin gjykues”, thuhet në vendim.
Për një apartament tjetër me sipërfaqe 71,8 m2 në Vlorë, ashtu si edhe KPK, Kolegji arrin në konkluzionin se Liçaj nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të kësaj pasurie.
Ndërkohë, KPA konkludon se Liçaj zotëron në mënyrë të paligjshme një ndërtesë me sipërfaqe 120 m2 dhe truall 215 m2 në Vlorë”. Kolegji arrin në përfundimin se bashkëshorti i Liçajt nuk kishte të ardhura të mjaftueshme nga burime të ligjshme për të ndërtuar shtëpinë në vlerën 5 milionë lekë. Për shkak se vendimi për dhënie leje ndërtimi, është deklaruar i falsifikuar me vendim të Prokurorisë së Vlorës posedimi i kësaj ndërtese dhe truallit të saj nga ana e subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortit të saj është konsideruar i paligjshëm.
Për pasuritë: njësi me sipërfaqe 43 m2; njësi me sipërfaqe 95 m2 dhe garazh me sipërfaqe 35 m2 në Vlorë, për të cilat Komisioni ka arritur në përfundimin se Liçaj ka kryer deklarim të rremë lidhur me dhurimin e bërë nga ana e vëllait të bashkëshortit, KPA konkludon se Liçaj nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të tyre.
Lidhur me këto pasuri, trupi gjykues i Kolegjit konstaton se ato janë deklaruar për herë të parë në deklaratën e vitit 2016, si të fituara me kontratën e dhurimi të datës 10 shkurt 2016, dhuruar bashkëshortit të subjektit të Liçajt nga vëllai i tij.
Kolegji shton gjithashtu se ka mbetur e pashpjeguar bindshëm dhe provuar me dokumentacion mënyra se si vëllai i bashkëshortit të Liçajt e ka fituar pronësinë mbi atë sipërfaqe trualli dhe se si kjo marrëdhënie biznesi e tij me pronarët e tjerë dhe bashkinvestuesit prodhoi si rezultat një dhurim prej 173 m2, ndërkohë që shoqëria ndërtuese rezultonte me mungesë likuiditetesh pasi mbi titujt e pronësisë së saj ishte vendosur barrë sigurie për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve tatimore.
Shitja e makinave 4 herë më shtrenjtë
Për një autoveturë tip Benz me vit prodhimi 1993 të deklaruar si pronë në vitin 2003 me vlerë 500 mijë lekë, në vitin 2013 Liçaj ka deklaruar shitjen e po këtij mjeti në vlerën 15 mijë euro, më një çmim 4 herë më shumë se ai i blerjes.
“Trupi gjykues konstaton se në momentin e blerjes së automjetit nga personi i lidhur, z. M.L., automjeti ka qenë rreth 10 vite në qarkullim, ndërkohë që është shitur nga personi i lidhur në një vlerë rreth 4 herë më të lartë se çmimi i blerjes, pasi kishin kaluar afro 10 vite të tjera nga momenti i blerjes dhe tashmë makina ishte 20-vjeçare”, citohet në vendimin e KPA-së. Në përfundim, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se Liçaj ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
Për një mjet tjetër tip Benz, të shitur po katër herë më shumë nga çmimi i blerjes që ka rezultuar të ketë qenë edhe i vjedhur, Kolegji konstaton kryerjen e veprimeve fiktive dhe ngre dyshime për vetë figurën e gjyqtares Liçaj .
Kolegji konsideron se ekzistenca e dy kontratave të shitjes për të njëjtin automjet me të njëjtin çmim përbën një veprim fiktiv me qëllim për të mbuluar shlyerjen e një huaje.
KPA konstaton se në dosjen e dërguar nga DPShTRR për këtë shitje është depozituar kontrata noteriale e datës 20 qershor 2010 me shitës M.L. dhe blerës K.S., me çmim 20 mijë euro. Kjo kontratë është e ndryshme nga ajo që gjendet në dosjen e ILDKPKI-së, depozituar nga vetë subjekti. KPA e bazon këtë konstatim në vetë deklarimet e Liçajt se mjeti është blerë lirë për shkak se ka qenë i vjedhur.
“Duke qenë se për të njëjtën pasuri janë nënshkruar dy kontrata shitjeje mes të njëjtave palë, si shitës dhe blerës, me të njëjtin çmim, por në data të ndryshme dhe para noterëve të ndryshëm, trupi gjykues vlerëson se në këtë rast kemi të bëjmë me veprime juridike fiktive, për pasojë subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Gjithashtu, nga aktet e gjendura në dosje, konkretisht e-mail-i i dërguar nga DPShTRr rezulton që ky mjet të ketë qenë i vjedhur”, thuhet në vendim.
KPA arsyeton se importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi në kundërshtim me ligjin, i mjeteve motorike të vjedhura, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.
“Lidhur me pretendimin e subjektit të rivlerësimit në ankim se çmimi i blerjes së automjetit të mësipërm në vlerën 600.000 lekë, është për shkak të faktit se pasi është blerë nga personi i lidhur, z. M.L. , ka rezultuar i vjedhur dhe, për rrjedhojë, justifikohet plotësisht çmimi i ulët i blerjes së tij. Trupi gjykues vlerëson se shpjegimet e subjektit të rivlerësimit si më sipër, krijojnë dyshime për figurën e gjyqtares, pasi nuk janë bindëse,” thuhet në vendim.
Trupi gjykues ka krijuar bindjen se kjo kontratë është bërë në dukje me qëllim që shuma 20 mijë euro, e përfituar nga shitja e autoveturës të përdorej për blerjen në datën 12 tetor 2010 të autoveturës Mercedes Benz 270 Ç, në vlerën 4500 euro plus vlerën doganore 481.826 lekë; për të krijuar gjendje 10 mijë euro. Gjithashtu, ka rezultuar se nuk është paguar tatim fitim nga e ardhura e përfituar nga kjo shitje.
Për një tjetër autoveturë tip Benz që bashkëshorti i Liçajt e ka përfituar përmes kontratës së shkëmbimit të automjeteve me shtetasin M.M., Kolegji ngre pikëpyetje për vlerën reale të deklaruar në aktin e dhurimit të këtij mjeti vëllait të tij.
Në vendim sqarohet se bashkëshorti i Liçajt pretendon të ketë përdorur të ardhurat në vlerën 15 mijë euro nga shitja e një makine tjetër për blerjen në vitin 2014 të autoveturës tip BMW në vlerën 14.000 euro, ku këtë të fundit e ka shkëmbyer me mjetin Mercedes Benz të shtetasit M.M., të cilën më pas ia ka dhuruar vëllait. Kolegji çmon se; duke qenë se vlera e referencës së mjetit është rreth 3.750.000 lekë, ndërkohë që në kontratën e dhurimit jepet si vlerë e mjetit shuma 1 milion lekë, çmimi i referuar në këtë kontratë dhurimi dhe shpjegimet e Liçajt nuk janë bindëse lidhur me vlerën reale të mjetit. Sipas KPA, Liçaj ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë për mosdeklarimin e vlerës reale.
Reporter.al