Shqipëri solidare, vetëm për pak orë, u kthyem në origjinë

Nga Boldnews.al

Tërmeti i 26 nëntorit la pasoja të rënda në humbjen e 51 jetëve të njerëzve, mbi 1000 të plagosur dhe me dhjetëra mijëra banesa të dëmtuara… Lot, dhimbje, solidaritet, ndihma në ushqime, veshmbathje, vlera monetare dhe prani e madhe e qytetarëve në zonat e prekura, vëçanërisht në Durrës dhe Thumanë.

Nga të katër anët mbërrinin ndihma të shumta, aq sa kreu i qeverisë, një ditë pas tërmetit katasrofik, bëri thirrje që mjaft më kontribut me ushqime, i kishte ardhur “pilafi” majë hundës dhe bëri thirrje që të kontribuonin në para të thata… Në ato tonelata ton ndihma,ishte shpirti i shumë qytetarëve, brenda dhe jashtë vendit, ata kanë vlerë, të tjerat firojnë, ikin me kohën e shpërndahen nga “furtuna propagandë”.

Kjo vetëm për pak kohë, pasi shpejt u nda shoqëria, në ata qytetarë të mirë që hoqën kafshatën e tyre nga goja për të dhënë kontribut sado modest dhe pjesës tjetër të shoqërisë, që tre ditë u zgjat solidariteti dhe ndjeshmëria… U kthyem në origjinë. Ende qarkullojnë dendur kronika dhe video të shpifura në rrjete sociale ku politikanë shprehen shpesh: “Shqipëria solidare”. Edhe forma e përzgjedhur është një gjetje propagandistike, më shumë për të mbuluar të vërtetën dhe padrejtësinë e madhe që rëndon mbi vendin e vogël Shqipëri.

Ndryshoi Biznesmeni- Ca njerëz fort të pasur, që janë majmur mbi një shoqëri të varfër, në ditën e dytë të tërmetit u panë pranë Aeroportit të Rinasit, bashkë me familjet për të udhëtuar jashtë vendit. Po i iknin lëkundjeve, aq sa mendonin se me para mund të “blesh” sigurinë, pa e kuptuar se edhe çështjet e natyrës apo punët e Perëndisë, nuk ka vlerë monetare që i shpëton. Disa kontribuuan edhe në vlera të kënaqshme monetare. U bënë zemërmirë, të ndjeshëm, të prekur e të prekshëm. Por ndërsa hidhnin ca miliona euro në llogarinë unike të hapur nga qeveria, nuk ngurronin të nisnin njoftimet për mediat: X biznesmen dhuroi këtë shumë…

Tre ditë, jo më shumë. Solidariteti për ta iku me kohën. Sot ka shumë biznesmenë ndërtimi që po bëjnë planet si e si të kapin ndonjë tender për të ndërtuar apartamente të reja për të pastrehët e shumë. Një pjesë tjetër që kanë pallate stok, bëjnë llogari milionëshe ku ti gjejnë anët zyrtarëve të shumtë që dhjami u ka kapur edhe sytë për të bërë ndonjë aleshverish të radhës.

Nga ana tjetër, kompanitë e sigurimit vërtetë do nxjerrin afërsisht 12 milionë euro nga arkat e tyre, por shpejt do i rikuperojnë, ku po flitet se do të rritet çmimi i sigurimit të banesës dhe biznesit. Ky është solidariteti? Kjo është Shqipëria solidare…?

Çmimet e qirasë-

Mania për të fituar dhe përfituar u shtri edhe më gjerë. Tërmeti la pa shtëpi dhjetëra mijëra banorë dhe shifrat në çdo orë vijnë e rriten. Në Tiranë apo Durrës, çmimi i shtëpive me qira u rrit. Sipas agjencive imobilare, që edhe ata kanë nisur të “fërkojnë duart” nga fitimi i ca parave më shumë, çmimet janë rritur mesatarisht nga 7-10 mijë lekë të reja më shumë për apartamentë dhe banesa me qira.

LEXO EDHE  Reforma Zgjedhore/ Bashkëkryetarët letër ODIHR, ja çfarë kërkojnë

Të fortët e “zbutur”-Në tre ditët e para pas tërmetit tragjik, çuditërisht nuk pati asnjë plagosje, asnjë të shtënë arme, edhe aksidentet shumë të pakëta dhe pa pasoja. Nuk shihje kokërruara qafëtrashë që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor me mjetet e tyre të shtrenjta, apo të tregonin të fortin. Tërmeti i shkundi, i bëri të kuptojnë se ka një fuqi edhe më të madhe se ata dhe janë një hiç para natyrës, apo punëve të të madhit Zot. Por ata sërish na shfaqen dhunshëm në rrugë, në lagje, në lokal dite apo nate. Sërish shesin  arrogancë, harruan shpejt, ku është “solidariteti” për ta?

Politikanët e “zinj”-Një pjesë me mjekër të gjatë bardhoshe, të tjerë të rruar e kuruar, të veshur me tuta e xhupa, apo me kostum shik, nuk ka rëndësi. Ata janë dhe mbeten po të njëjtët. Për të mos u ngrënë hakun, mbase vetëm tre orët e para të tragjedisë ishin “njerëz të mirë”, më pas gjaku i përzier, medja e trazuar, i kthen në origjinën e tyre, geni i hajdutërisë, abuzimit dhe përdorimit të situatave të humbjeve njerëzore i tërheq pas vetes. Pamë lloj e tip politikanësh pushtetarë që edhe derdhën lot, mbase të vërteta që rrodhën vetishëm deri nga mesdita e 26 nëntorit. Çfarë erdhi më pas është një film i parë e stërparë disa herë, seritë e së cilës nuk do kenë fund. Japin mend e kapin mediat ata zyrtarë të lartë e të mesëm që edhe pse panë me sytë e tyre dëmet e tërmetit të 21 shtatorit e menduan se e keqja kaloi dhe u futën në çetën “KÇK”, (Kap Ç’të Kapësh). Dhe ata dinë të kapin… Abuzojnë me tendera shumë milionëshe, lidhen me biznesmenin e duhur që merr për vete, i jep zyrtarit një alleshverish të mirë, siguron edhe një pjesë në rast rreziku, pasi (KÇK) ka shumë në sistemin e drejtësisë që në çdo kohë ujkun ta shesin për “dele” dhe drejtësinë e venë në kandarin që anon nga mitmarrja.

Mban toka edhe politikanë të pështirë që edhe lotin e derdhin si në telenovela, shfaqen me orë të tëra në media dhe në darkë kur u vjen gjumi bëjnë hesapet: “Si u duka sot në sytë qytetare, a dola mirë në Tv, çfarë kronike të gatshme dërgova në mediat e blera dhe vëtëofruara dhe si u prit nga publiku?!Shqipëria solidare na ra shpejt, reagimin e parë e kemi histerik, të dhimbshëm, të ndjeshëm, në nxitim për të ndihmuar, por shpejt i kthehemi origjinës! Shqiptari solidar je ti qytetari i mirë, që sot vuan për për të gjetur një punë të ndershme, që stomakun mund ta kesh bosh, por shpirtin të mbushur, je ti emigranti me dyar të grirë nga kallot, por sërish mblodhe ndihma për qytetarët e tu, jë edhe ti biznesmeni që trajton mirë punëtorët e jeton me hallet e tyre, po stë lenë të ngresh kokën, oligarkë e politikenj televizionesh.