51 qytetarët nuk i vrau tërmeti, i vrau kryetari i bashkisë, IKMT dhe urdhëri i qeverisë

Nga Pano Soko

Diku në jug të Detit të Vdekur, dikur kanë pas ekzistuar dy qytete, Sodoma dhe Gomorrah. Historia e tyre përmendet në Bibël, në Kur’an dhe Torrah. Këto dy qytete kishin degjeneruar kaq shumë në sytë e Zotit, saqë ky i fundit vendosi t’i ndëshkonte me shkatërrim. Por përpara se të ndërmerrte aktin, Zoti dërgoi profetin Lot, nipin e Abrahamit – ose profetin Lut a.s. nipin e Ibrahimit – për t’iu treguar planin që kishte Zoti nëse nuk hiqnin dorë nga shthurja.
Por banorët e këtyre qyteteve nuk i dëgjuan paralajmërimet e profetit dhe Zoti i shkatërroi me flakë të dy qytetet.

Sot dëgjoj shpesh fjalinë – “Në 26 Nëntor u vranë 51 persona.”

Ky pohim nuk është i vërtetë.

Ata 51 persona vdiqën në 26 Nëntor, por për t’u vrarë, u vranë shumë kohë më parë.
Në 26 Nëntor thjesht u finalizua akti.

Ata u vranë në momentin kur Kryetari i Bashkisë përpiqej të mbushte grykësinë e vet të pangopshme me leje ndërtimi edhe aty ku mund të ngriheshin vetëm kala rëre për fëmijët kur shkojnë në plazh.

U vranë kur një inspektor IKMT vendosi të mbyllte sytë dhe të hapte xhepin, kur dikush po shtonte katet e hotelit në një godinë që dhe pa ato kate ishte buzë greminës.

Apo kur një oficer policie bëri të njëjtën gjë.

Apo një prokuror…

U vranë kur një pronar firme, për të kursyer ca lekë të qelbura, vendosi të përdorte çimento të cilësisë së dobët dhe hekur me kursim në godinën që po ndërtonte.

U vranë kur një inspektor, për akoma dhe më pak lekë, ia çertifikoi këtë çimento dhe atë hekur si të rregullt, pa bërë asnjë analizë.

U vranë kur një pronar firme, po për ca lekë të qelbura, vendosi të blinte tulla të dobëta.

U vranë kur një kolaudator shtetëror vendosi t’i jepte çertifikatën godinës, për një tufē lekësh.

U vranë kur me urdhër të Qeverisë, u vendos që shpenzimet për godinat e dëmtuara të tërmetit të 21 Shtatorit, duhet të ishin sa më minimale, sepse lekët i duheshin qeverisë për konçesionet dhe tenderat.

U vranë kur inspektorët në terren as nuk e diskutuan këtë urdhër dhe, të vetdijshëm që po gënjenin, iu thanë familjeve se mund të ktheheshin në shtëpitë e dëmtuara, se s’kishte asnjë rrezik.

E më tej..

U vranë kur ne të gjithë vendosëm të zgjidhnim të gjithë këta më lart që të na drejtonin jetët tona.

LEXO EDHE  Tërmeti/ Manjani: Sjellja e Ramës fyese ndaj qytetarëve, opozita duhet të reagojë

U vranë kur ne heshtëm për çdo institucion shkencor që u shua apo degradoi i drejtuar nga militantë partish.

U vranë kur ne votuam në shumicë një qeveri që nuk kishte asnjë plan, asnjë grup ekspertësh, por vetëm një klloun që na rrotullonte gjithë ditën histori pushteti me tepsi e timon.

U vranë kur ne vendosëm që zgjedhjen e grupit të njerëzve që do të na qeverisë, mos ta bëjmë bazuar në numrin e ekspertëve që ka ky grup, ideve qeverisëse, programeve zhvillimore, por bazuar në një tifozllik idiot si me qënë duke mbështetur ekipe futbolli.

U vranë kur ne lejuam të na shkelnin me këmbë dhe të na trajtonin si ushtarë në shahun e tyre për pushtet. Kur lejuam që me rregullat e tyre të lojës, të na hiqnin ne të drejtat si sovran dhe t’i merrnin për vete.

U vranë kur ne pranuam të ktheheshim në bankomate për lekët që atyre iu duheshin për projektet e tyre të pasurimit personal.
ATM ku ata mund të tërheqin çdo muaj lekët e taksave, pa asnjë të drejtë tjetër.

Sodoma dhe Gomorra nuk u shkatërruan ditën kur Zoti hodhi zjarr mbi to. Ato e vulosën shkatërrimin e tyre qëkur vendosën të shthurreshin dhe t’i largoheshin Zotit.

Dhe pavarësisht se edhe ne kemi pasur gjithë këto kohë “Lotët – Lutët” tanë, që ndër vite janë përpjekur të na paralajmëronin për 26 Nëntorin, ne i kemi injoruar, denigruar pse jo dhe tallur e përqeshur.

Dhe vazhdojmë ta bëjmë.

Ndoqa pak atë mbledhjen e Komitetit të Rindërtimit dhe pashë që ne s’kemi kuptuar asgjë nga e gjithë kjo që ndodhi.

Po të kishim kuptuar, në krye të tavolinës së Komitetit do ishte ulur Prof. Luljeta Bozo dhe tavolina do të ishte mbushur me inxhinierë, sizmologë, urbanistë, juristë, financierë të së njëjtës peshë si zj.Bozo dhe ata do të vendosnin për çdo gjë. Qeveria thjesht do të merrte dhe zbatonte vendimet e tyre, pa diskutuar fare. Do t’i merrte me kokën ulur dhe thjesht do vepronte.

Por jo…Aty pashë në krye Edi Ramën që po përpiqej t’iu merrte lekët e donacioneve atyre që kishte në krah..dhe duke përfituar nga plani televiziv të fillonte fushatën për 2021.

S’kemi kuptuar asgjë.

Sodoma dhe Gomorra 2.0 loading…