Nga Boldnews.al
Një artikull i publikuar pak ditë më parë në “European Western Balkans” hedh dyshime mbi mënyrën se si po zbatohet Reforma në Drejtësi në Shqipëri.
Shkrimi, me autor Filip Lukiç, titullohet “Procesi i Vetingut në Shqipëri, dështimi i marshimit” dhe është pjesë e projektit “SELDI”, financuar nga Komisioni Europian.
Artikulli nuk ka asgjë të re për publikun shqiptar, i cili po e sheh edhe vetë bjerrjen e asaj që pritej të ishte reforma më e thellë e shtetit shqiptar në 30 vitet e fundit.
Por, e veçanta është që, për herë të parë, një projekt i Komisionit Europian “lejon” kritikat ndaj Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
Kritikat
Autori Lukiç , në shkrimin e tij, ka vendosur përballë deklaratat optimiste të zyrtarëve të Brukselit për Reformën në Drejtësi në Shqipëri me situatën kritike që ka konstatuar në terren.
“Kjo reformë ka synuar të sigurojë pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të shkurtojë lidhjet që sistemi gjyqësor ka pasur me politikën dhe grupet kriminale. Pesë vjet më vonë, kanë mbetur pak nga njoftimet marramendëse dhe pritjet e mëdha, mbase edhe joreale, që Shqipëria të mund të zhvillonte një reformë kaq të madhe brenda një periudhe të shkurtër kohe”, thuhet në artikull.
Nga ana tjetër, Komisioni Evropian vazhdon ta vlerësojë procesin pozitivisht.
“Progres është arritur përmes zbatimit të reformës së gjerë në drejtësi (i cili përfshin krijimin e institucioneve për vetëqeverisjen e gjyqësorit) dhe vazhdimin e rezultateve të prekshme në procesin e Vetingut. Rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme dhe ka dhënë rezultate thelbësore”, thuhet në Raportin e Komisionit 2019 për Shqipërinë.
Por, në fakt, “procesi i zgjatur i reformimit ka paralizuar sistemin gjyqësor, ndërkohë që korrupsioni dhe krimi i organizuar po lulëzuar gjatë viteve të fundit”, shkruhet më tej në artikull.
“Përkundër lavdërimeve që vijnë nga Brukseli, situata në terren nuk është aq e ndritshme”, shkruan Lukiç. “Procesi po ecën i ngadaltë dhe lidhjet midis strukturave kriminale dhe gjyqësorit duken më të qarta që pritej”.
Ndërgjegjësim në Bruksel?
Artikulli i “Europian Western Balkans”, pjesë e një prej shumë projekteve të financuar nga Komisioni Europian, megjithëse nuk përfaqëson linjën zyrtare të Brukselit, duket si një sinjal i parë për frymën kritike që po krijohet lidhur me Reformën në Drejtësi në Shqipëri.
Filip Lukiç e lidh qëndrimin e Francës dhe Hollandës kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, pikërisht me problematikën e zbatimit në terren të Reformës në Drejtësi.
A përbën kjo një ndërgjegjësim të vendeve anëtarëve të Bashkimit Europian për reformën e keq-administruar të drejtësisë, e financuar nga disa dhjetra milionë euro të qytetarëve të Unionit?
Ndoshta është herët për të arritur në këtë konkluzion. Megjithatë, sinjalet indirekte po shfaqen së fundmi. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev deklaroi pak ditë më parë se ai është pro një Vetingu në sistemin e drejtësisë, por jo në modelin e Shqipërisë.
Gjithashtu, edhe shoqëria civile në Kosovë po avancon me nxitjen e saj mbi autoritetet e Prishtinës për të ndërmarrë hapa për pastrimin e sistemit gjyqësor nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar. Por, ojq-të u sugjerojnë zyrtarëve kosovarë që të aplikojnë modele që kërkojnë më pak kohë se sa ato që po aplikohen në vendin tonë.
Shqipëria prej kohësh është pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë funksionale. Nga ana tjetër, po rrezikohet funksionimi i gjykatave të Apelit, ndërkohë që i gjithë sistemi i drejtësisë është nën presionin e Vetingut.
Pikërisht, kjo situatë tërësisht anormale, duket se ka ndërgjegjësuar vendet fqinje dhe bashkëpunëtorët e tyre në Bruksel që të shohin me skepticizëm zbatimin e një modeli reforme si në Shqipëri
Apo fonde të reja?
Forcimi i kritikave mbi zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri mund të nxisë nevojën për të ndërmarrë ndryshime të tjera kushtetuese dhe ligjore, për të siguruar vendosjen e saj në efiçencë.
Për të sistemuar gjërat në Shqipëri, natyrisht, do të kërkohet asistenca ndërkombëtare, e shoqëruar me një faturë të bollshme financiare për ekspertët dhe projektet e Bashkimit Europian.
Ndaj, për të vënë në lëvizje fondet e reja, nuk është aspak çudi që kritikat mbi Reformën në Drejtësi ka zyrat e Brukselit të vijnë gjithnjë e në rritje. E, në fakt, kritikat nuk do të jenë të pabaza.
Por qëllimi i këtyre kritikave mund të mos ketë lidhje drejtëpërdrejtë me problematikën në terren. Niveli i kritikave duhet parë e ndërthurur me nivelin e fondeve që do të alokohen për ekspertët e huaj, të cilët do t’u atashohen autoriteteve shqiptare për të zhbërë atë që po këta ekspertë apo kolegët e tyre bënë gabim gjatë viteve të fundit.
Vitin e ardhshëm përfundon projekti IPA II, Instrumenti i Ndihmës për Para-anëtarësim i Bashkimit Europian, i cili, në periudhën 2014-2020 ka pasur në dispozicion një fond prej 639.5 milionë euro për Shqipërinë.
Në krye të prioriteve të IPA II ishte “Demokracia dhe mirëqeverisja”, si edhe “Forcimi i shtetit ligjor”, dy mekanizma që lidhen drejtëpërdrejtë me asistencën për hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi.
IPA II përfundon në vitin 2020. Ndaj, për një IPA III, natyrisht, është e nevojshme që të shtohen kritikat ndaj Reformës në Drejtësi, me qëllim miratimin e projekteve të ardhshme, shoqëruar me fondet multi-milionë euroshe.
Pikërisht, kur vjen fjala tek çështja e parave, situata ndërlikohet-kritikat e Brukselit ndaj Reformës në Drejtësi janë një ndërgjegjësim për pasojat apo thjesht një mjet për të bindur burokracinë e Komisionit Europian që të vijojë të jetë dorëlëshuar për fondet e projekteve, që do të ndahen po nëpërmjet organizmave që funksionojnë pranë tyre.