Milani “strehohet” te kujtimet për atë që ka qenë. Në pamundësi për të ndërtuar një të ardhme, që eklipsohet nga e kaluara kuqezi, trashëgimia e kohës së Silvio Berlusconi ndikon edhe në të tashmen zhgënjyese. Tifozi pyet veten pse kjo rënie e ngadaltë dhe spektakolare, që ka përfunduar duke bjerrë një nga skuadrat më fitimtare në historinë e futbollit…
Shenjat e lëna nga Arrigo Sacchi, me revolucionin e tij teknik; Fabio Capello, me lojën e tij pragmatike; dhe Carlo Ancelotti, trashëgimtari i të dyve; nuk mund të vihen në dyshim nga asnjë fans i këtij sporti. As talenti i tre holandezëve, Gullit, Rijkaard dhe Van Basten, apo Shevchenko, Kaka, Pirlo dhe të gjithë fituesit e “Topit të Artë”, që mbanin veshur fanellën e “Djallit” në këto dekada triumfesh të jashtëzakonshme.
Dhe kjo, pas një humbjeje në finalen e Kupës së Italisë kundër Juventusit, e cila u vendos nga goli i Moratës në minutën e 110-të. Arrigo Sacchi shtoi tetë trofe gjatë pesë viteve në “palmaresin” e Milanit. Pas kësaj, ka një seri gabimesh dhe një bashkim ngjarjesh, që ngadalë e përkeqësuan situatën. Disa momente shprese përfunduan duke dështuar përballë pamundësisë për të realizuar një projekt të vërtetë rindërtimi. Duke studiuar rrugën e kësaj fatkeqësie, teoritë për elementët që kanë ndikuar janë të shumta, por ekziston edhe një marrëveshje për disa prej tyre.
Carlo Pellegatti dhe Luca Serafini janë ndër narratorët më të njohur të sukseseve të Milanit. Ata e ndjekin ekipin si të dërguar dhe komentojnë mbi ndeshjet e tij prej dekadash. Në deklaratat telefonike për “AS”, ata analizojnë zhvillimet që po ndodhin. Për këtë ofrojnë shpjegime të ndryshme. Për Pellegatti, goli që iu anulua padrejtësisht Muntarit gjatë ndeshjes Milan-Juventus më 25 shkurt 2012 ishte një skandal, që i hidhëroi përgjithmonë tifozët e ekipit të stërvitur më pas nga Massimiliano Allegri.
Ai episod lehtësoi barazimin e “Zonjës së Vjetër”, ardhur nga Matri, pas golit të Nocerino, që avancoi kuqezinjtë në pjesën e parë. Milani humbi mundësinë për të marrë titullin e dytë radhazi në Serie A. Në anë tjetër, Juventusi fitoi të parin titull të një serie dominuese prej gati një dekade, që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Sipas Pellegatti, “nëse nuk do ta kishin anuluar atë gol, Milani do të kishte fituar titullin në Serie A dhe Ibrahimovic e Thiago Silva nuk do të ishin lejuar të largoheshin e të nënshkruanin me PSG”. Në sezonin vijues, skuadra e Allegrit pësoi një “hemorragji” kampionësh. U larguan Oddo, Inzaghi, Zambrotta, Pato, Cassano, Nesta, Van Bommel dhe Gattuso. Dhoma e zhveshjes së “Djallit” pothuajse mbeti pa asnjë lider.
Në atë kohë, tashmë mund të vërehej mosinteresimi i Silvio Berlusconi, presidentit të një perandorie të madhe, që e udhëhoqi Milanin drejt “çatisë” së botës. Buxheti për merkatot e verës dhe dimrit u zvogëlua në mënyrë progresive. Kampionët e skuadrave më të mira në botë nuk bashkoheshin më me kuqezinjtë, por lojtarë të skuadrave si Genoa, presidenti i të cilit, Enrico Preziosi, ishte një mik i ngushtë i Adriano Galliani, drejtorit sportiv historik i epokës berluskoniane.
Nga një fanellë në tjetrën kaluan deri në 33 lojtarë, disa me sukses mesatar, siç janë El Shaarawy, Boateng apo Borriello. “Milani filloi të nënshkruajë me lojtarë nga skuadrat inferiore. Drejtuesit krijuan një rrëmujë të vërtetë”, – thotë Serafini. Pellegatti nuk e fal Gallianin, që lejoi Juventusin të nënshkruante me Carlos Tevez. Argjentinasi e la Manchester City për 15 milionë euro në vitin 2013.
Milanit iu bashkua Alessandro Matri asokohe, një nga zhgënjimet e sulmit kuqezi, për të cilin klubi nga “San Siro” pagoi 11 milionë euro. Ardhja e lojtarëve të nivelit të ulët dhe paratë e investuara keq çuan në një tiradë të brendshme midis Galliani dhe Barbara Berlusconi, të cilëve presidenti Silvio u kishte lënë kontrollin administrativ të klubit. Vajza e “kavalierit” e kritikoi vazhdimisht Gallianin për menaxhimin e merkatos dhe Pellegatti e konsideron këtë marrëdhënie të ndërlikuar si një element tjetër, që kontribuoi në rënien e Milanit.
“Unë nuk mund të konkurroj me petrodollarët (sheikët nga Katari)”, – tha Berlusconi, kur po përgatitej ta shiste Milanin te kinezët, ashtu si kushërinjtë e tij të Interit në vitin 2013. Ish-presidenti, pas një negociate të gjatë, arriti t’ia dorëzojë krijesën e tij Li Yonghong, një sipërmarrësi kinez, që ende fsheh disa anë të errëta. Shitja u bë zyrtare në vitin 2017 dhe klubi iu besua Massimiliano Mirabelli e Marco Fassone.
Ata bënë një merkato, që i bëri tifozët të ëndërrojnë, ashtu si Serafini dhe Pellegatti. Më shumë se 10 lojtarë mbërritën në Milano, mes tyre Leonardo Bonucci, i cili u bë automatikisht kapiten. Në total u shpenzuan 195 milionë euro për përforcime. Vetëm një vit më vonë, u zbulua situata katastrofike ekonomike e presidentit të ri, i cili e la Milanin në duart e fondit amerikan të investimeve “Eliot”.
Për Serafini, gabimi ishte në fillim: “Kur Berlusconi e shiti Milanin, ai nuk bëri atë që kishte premtuar. Ishte një operacion shumë personal dhe enigmatik, me lëvizje të pakuptueshme të parave. Çdokush e kuptoi objektivin: ishte një operacion financiar dhe josportiv”.
Fondi “Eliot” u kujdes të dalë nga një situatë e vështirë. Investimet e Li Yonghong i kthyen kuqezinjtë në garat europiane, por gjithashtu i mbytën atë me një bilanc negativ financiar prej 145.9 milionë euro, për shkak të rënies së fitimeve. UEFA akuzoi Milanin se nuk e respekton “fair play financiar” dhe zyrtarët e lartë të klubit arritën një marrëveshje, duke u tërhequr nga “Europa League” e atij viti.
“Nëse Milani do të ishte kualifikuar në Ligën e Kampionëve, statusi financiar do të ishte më i mirë”, – pajtohen Pellegatti dhe Serafini. Sidoqoftë, Gattuso nuk e arriti mrekullinë dhe përfundoi i pesti në tabelën e renditjes së Serie A, me 68 pikë. Një rezultat i mirë, më i miri i gjashtë viteve të fundit. Në tetë sezonet e fundit, Milani ka pushuar tetë trajnerë. I fundit që u largua ishte Marco Giampaolo, me eksperienca të papërfillshme paraprake në skuadra më të vogla, si Sampdoria dhe Empoli.
Ai gjithmonë shprehej se do të luante futboll të mirë, por pas shtatë javësh kampionat dhe katër humbjesh, Zvonimir Boban e Paolo Maldini, drejtuesit aktualë, e zëvendësuan me Stefano Pioli, pasi ndërprenë negociatat për të marrë Luciano Spalletti në pankinë.
Tifozët, të lodhur nga ndryshimet e vazhdueshme, krijuan hashtagun “#pioliout” në Twitter dhe protestuan kundër vendimit të klubit. Boban dhe Maldini, dikur legjenda të Milanit në fushë, morën fyerje dhe u bënë fytyra e krizës aktuale. Tifozët i akuzojnë ata se nuk kanë një projekt afatgjatë, megjithëse Serafini nuk pajtohet me këtë mendim:
“Maldini nuk ka përvojë, por, për të pranuar një projekt, që ai e hodhi poshtë dy vite më parë, kjo do të thotë se pa diçka konkrete dhe transparente. Paolo nuk rrezikon 50 vite histori të familjes “Maldini” (përfshirë babanë, Cesare, ish-kapiten dhe trajner) për një klub pa ambicie. Këtë vit, ata nënshkruan me Leao, Hernández dhe Bennacer, të cilët kanë një trajektore të jashtëzakonshme për të ardhmen”. Pioli, megjithë 16 vite karrierë si trajner profesionist, kurrë nuk fitoi një trofe. Sezonin e kaluar u largua nga Fiorentina në prill, kur ishte i dhjeti në klasifikim.
Rezultati i tij maksimal ishte një finale e Kupës së Italisë si trajner i Lazio, më 2015, kundër Juventusit (2-1) dhe një vend i tretë në Serie A. Megjithatë, ai është një specialist për zgjidhjen e situatave të komplikuara, siç është ajo që po kalon Milani. Lojtarët duken të ndrydhur dhe rezultatet pozitive nuk po arrijnë.
Ekipi kuqezi investon te të rinjtë, po shfrytëzon talentet e akademisë së vet, por nevojiten “pesha të rënda”, me karizëm në dhomën e zhveshjes dhe në fushë. Prurjet nga “Primavera” si De Sciglio, Locatelli, Cutrone dhe Cristante, të cilët u dalluan atje, nuk luajnë më te Milani.
Të tjerët nuk kishin bërë përshtypje, as kishin treguar rritje, siç thotë Serafini: “Ka lojtarë, rritja e të cilëve është zero, si Suso, Calhanoglu, Kessie apo Rodriguez. Ky i fundit, kur luan me kombëtaren e tij, është një lojtar tjetër. E njëjta gjë ndodh me Rebic”.
Për sezonin e 13-të, Milani do të mbetet pa fituar Champions. Imazhet e “Kupës Veshëgjatë”, të fituar ndaj Liverpool në vitin 2007, janë në kujtime të paharrueshme të tifozëve kuqezinj. Megjithatë, këto janë të vetmet gjëra që mbeten te Milani, kujtimet: “Kur ndërtoni Pompein dhe një vullkan e shkatërron atë, ke vetëm kujtimet e një qyteti të jashtëzakonshëm. Ky vullkan ishte Berlusconi”, – përfundon Serafini./TS/