Përballë vettingut/ Prokurori Zeka: Jam familjar dhe jo i qejfit …

Prokurori i Apelit të Vlorës, Kleanth Zeka u përball të mërkurën më 20 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e rivlerësimit për prokurorin Zeka përbëhet nga Etleda Çiftja, kryesuese, Firdes Shuli relatore dhe Roland Ilia anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Kleanth Zeka e ka nisur karrierën si oficer i policisë gjyqësore dhe më pas është emëruar si prokuror në Vlorë. Në qershor 2014 ai është promovuar në detyrë si prokuror i Apelit të Vlorës, detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht.

Në fillim të seancës dëgjimore, relatorja e çështjes, Firdes Shuli theksoi se procesi i vetingut për Zekën ishte kryer në të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.

Në kriterin e pasurisë, Zeka mori një raport pozitiv nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Për një apartament me sipërfaqe rreth 100 m2 të blerë në Vlorë në vitin 2015 në shumën 37 mijë euro, Komisioni konstatoi mosdeklarim të burimit të krijimit.

“Subjekti ka thënë se ka harruar, pasi burimet ishin pagat dhe të ardhurat e përfituara nga qiraja,” tha relatorja Shuli.

Prokurori i Apelit të Vlorës u mbrojt para Komisionit se nuk kishte ditur t’i plotësonte mirë formularët e deklarimit të pasurisë.  “Ndonjëherë bëheshim disa kolegë bashkë dhe konsultoheshim se si t’i plotësonim deklaratat. Askush nuk mund të dijë gjithë legjislacionin,” tha ai, duke shtuar se punonte në fushën penale.

Komisioni ngriti dyshime edhe për trajtim preferencial, duke konkluduar se apartamenti ishte blerë rreth 7000 euro më lirë nga vlera e tregut. Shuli sqaroi se lidhur me këtë gjetje, Zeka ka shpjeguar se njihej me shitësit e apartamentit pasi kishin origjinë të përbashkët. Sipas saj, nuk është konstatuar që ai të kishte pasur çështje ku palë kanë qenë shitësit e apartamentit.

Nga analiza financiare është konstatuar mungesë e burimeve të ligjshme në vlerën 162 mijë lekë për kryerjen e shpenzimeve deri në vitin 2015.

Lidhur me dyshimet për trajtim preferencial, Zeka shpjegoi se prindërit e tij dhe të shitësit kishin miqësi me njëri-tjetrin. “Ishte në mes marrëdhënia e prindërve tanë. Shitësi më pyeti se sa kisha mundësi. I thashë se për momentin kisha 26 mijë euro dhe mund të shtoja diçka tjetër dhe se syrin e kisha për të shpenzuar jo më shumë se 40 mijë euro. Më pas takova babanë e shitësit, i cili më tha se do t’i thoshte djalit që të ulte çmimin. Pasi i dhashë në fillim 26 mijë euro, ai e uli çmimin në 37 mijë euro,” tha ai.

“Burimet për kryerjen e pagesave kanë qenë pagat dhe të ardhurat nga qiraja”, shtoi ai.

Komisioni identifikoi mungesë të burimeve të ligjshme edhe në blerjen e një njësie shërbimi me sipërfaqe 14 m2 në vitin 2011 në Vlorë në vlerën 700 mijë lekë. Si burime të krijimit të kësaj pasurie, Zeka ka deklaruar kursimet e krijuara nga pagat.

Shuli tha se nga analiza financiare duket se Zeka nuk ka pasur mundësi financiare në vlerën e 485 mijë lekëve për blerjen e njësisë së shërbimit. Relatorja pohoi se Zeka e ka kundërshtuar këtë konstatim të KPK-së, duke pretenduar se pagesat ishin shtrirë me tre këste nga 2008-ta në 2011.

Shuli theksoi se subjekti ka arritur të vërtetojë me dokumentacion se në vitin 2008 është kyer lidhja e energjisë elektrike për këtë njësi shërbimi në emrin e prokurorit Kleanth Zeka, ndërsa pagesat për shpenzimet kanë nisur në vitin 2009.

LEXO EDHE  Gjendet i vdekur në burgun grek 36-vjeçari shqiptar

Lidhur me dyshimet e KPK për trajtim preferencial, prokurori Zeka ka depozituar si prova tre kontrata të tjera shit-blerje të njësive të shërbimit në këtë pallat, duke pretenduar se çmimi ka qenë i njëjtë. Në fjalën e tij, Zeka pranoi se kishte qenë gabim i tij që nuk kishte deklaruar pagesat e kësteve në vitet 2008 e 2009.

Për një autoveturë të blerë në vitin 2012 nga bashkëshortja e prokurorit Zeka në vlerën 1500 euro, është konstatuar se nuk është deklaruar burimi i krijimit. Sipas Komisionit, Zeka ka shpjeguar se shkak i mosdeklarimit të burimit ka qenë harresa dhe fakti se s’ka pasur të ardhura të tjera veç pagës dhe atyre të përfituara nga qiraja për disa vite.

Lidhur me likujditetet, KPK identifikoi mospasqyrimin në deklaratën veting të një llogarie bankare rrjedhëse në emër të bashkëshortes në vlerën 45 mijë lekë. Edhe për këtë gjetje, Zeka ka shpjeguar se ka ndodhur për shkak të harresës. “Nuk e kam deklaruar pagën e bashkëshortes në dhjetor të vitit 2016 se kam harruar. Në atë kohë kishte ndërruar jetë edhe babai,” shpjegoi Zeka para trupës gjykuese të KPK-së të mërkurën.

Për shkak të mosdeklarimit të dy gjendjeve cash, Komisioni konkludon një balancë negative në vlerën -532 mijë lekë për vitet 2009 -2010. Zeka shpjegoi gjatë seancës dëgjimore se gjendjet cash në banesë i ishin krijuar pasi nuk preferonte të shkonte çdo 15 ditë në bankë për t’i depozituar.

“Kam bërë jetë të shtrënguar dhe kam pasur fatin që jam ndihmuar nga prindërit dhe dy motrat që jetojnë jashtë. Në vitin 2008, kur u rrit edhe paga kemi nisur të kemi kursime. Kemi qenë të privilegjuar se pagat tona kanë qenë më të larta se të tjerat,” tha Zeka para KPK-së.

KPK ka verifikuar për udhëtimet e prokurorit Zeka jashtë shtetit, prej nga është identifikuar vetëm një rast në vitin 2011 kur ai ka shkuar në Greqi me autobus së bashku me bashkëshorten dhe një prej fëmijëve. Ndërsa nuk ka rezultuar të ketë udhëtuar ndonjëherë me mjet privat jashtë Shqipërisë.

Relatorja Shuli tha se Zeka ka depozituar pretendimet e tij lidhur me analizën financiare të KPK-së, ku ka pretenduar se njësia është shlyer me tre këste dhe se balanca negative -485 mijë lekë nuk qëndron. Ajo tha, se sipas pretendimeve të prokurorit, balanca negative mund të ishte jo më shumë se -85 mijë lekë.

Ai ka pretenduar para Komisionit se, edhe shpenzimet e jetesës janë më të ulëta nga sa ka konkluduar KPK, pasi është ndihmuar nga prindërit me prodhime bujqësore dhe se jetesa në qytetin e Vlorës është më e lirë.

Prokurori Kleanth Zeka u vlerësua pozitivisht për pastërinë e figurës dhe profesionalizimin. Një denoncim nga publiku ka rezultuar pa probleme, ndërsa nga informacioni për konflikt të mundshëm interesi është konstatuar se në katër raste kur palë në procese kanë qenë shitësit e pronave, ai kishte dhënë dorëheqjen.

Në fund të seancës dëgjimore, prokuori i Apelit Vlorë, Kleanth Zeka kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. “Kam plotësuar kuadrin pozitiv për të tri kriteret. Jam familjar, i mbyllur dhe jo i qejfit, duke shmangur kështu kontaktet e papërshtatshme si edhe kam burime të ligjshme,” tha Zeka në fund të seancës.

KPK vendosi të shpallë vendimin më datë 22 nëntor, ora 10:00. /BIRN