Abuzimi/ Gjykata rrëzon Policinë Rrugore. I bllokoi qytetarit 12 muaj patentën në kundërshtim me ligjin

Nga Boldnews.al

Policia Rrugore e Tiranës përfshihet thuajse çdo ditë në një spirale abuzimi me drejtuesit e automjeteve, nga të cilët, për fat të keq, vetëm një pjesë e vogël e tyre kërkojnë të drejtën në dyert e Gjykatës.

“Boldnews.al” ka verifikuar të dhënat e Gjykatës Administrative të kryeqytetit, në të cilën konstatohen disa raste, ku Policia Rrugore shkel në mënyrë flagrante të drejtat e qytetarëve.

Në 2 Maj 2019, gjykata i ka dhënë të drejtë qytetarit Sh.B., i cili është gjobitur në mënyrë “të çuditshme” nga punonjësit e Policisë Rrugore.

Me një proces-verbal të datës 29 janar 2019, një punonjës i Rrugores i ka bllokuar patentën, me pretendimin se rreth 1 javë më parë, në 21 janar, ai i ka lejuar drejtimin e mjetit një personi të papajisur me patentë.

Personi i gjobitur ka deklaruar se nuk është i vërtetë pretendimi i punonjësit të Rrugores. Sipas tij, ai ka parkuar mjetin para shtëpisë, sapo ishte kthyer nga puna dhe nuk e dinte që personi kishte marrë mjetin tim.

Pavarësisht këtyre deklarimeve, inspektori e ka përcjellë rastin pranë Organit Administrativ Shtetëror (OASH) të Komisariatit të Policisë Rrugore. Kjo strukturë ka vendosur pezullimin e lejes së drejtimit për 12 muaj, si edhe e ka gjobitur shtetasin me 40 mijë lekë (të reja).

Kundër këtij vendimi ka depozituar padi në gjykatë shtetasi Sh.B., nga shqyrtimi i të cilës kanë rezultuar një seri abuzimesh nga zyrtarët e Policisë Rrugore dhe që në fund kanë rezultuar me vendim në favor të qytetarit.

LEXO EDHE  Basha me banorët e braktisur të Mamurrasit: Shtetin prej kartoni e shembi tërmeti i korrupsionit

Gjykata konstaton se Policia Rrugore paraqiti gjatë seancave proces-verbalin e konstatimit të shkeljes, e cila mban datën 29 janar, ndërkohë që shkelja e supozuar ka ndodhur në 21 janar. E, për këtë arsye, vlerësoi se proces-verbali për tërheqjen e patentës së shtetasit Sh.B. është hartuar në kundërshtim me ligjin.

Në vendimin e gjykatës nuk gjenden të dhëna, për të kuptuar se si e ka justifikuar Policia Rrugore faktin që proces-verbali është hartuar rreth 8 ditë pas shkeljes së pretenduar. Gjithashtu, nuk gjenden as të dhëna nëse Policia Rrugore ka pasur apo jo argumenta se përse është vepruar me “vonesë” për një shkelje të pretenduar nga shtetasi Sh.B.

Megjithatë, përtej argumentave dhe shkeljeve, ai që e pësoi më shumë nga kjo situatë është shtetasit Sh.B., i cili u detyrua t’i drejtohet gjykatës për të fituar të drejtën e tij para abuzimit të Policisë Rrugore.

“Rrugëtimi” i qytetarit për shkak të shkeljeve ligjore të Policisë Rrugore zgjati plot 4 muaj, derisa Gjykata Administrative i dha të drejtë kërkesës së tij për rikthimin e patentës dhe fshirjen e gjobës.