Tenderi i Unazës së Re/ “Bajrami N”, kompania “lokale” që ka fituar 30 miliardë lekë publike

Nga Boldnews.al

Kompania “Bajrami N” është një prej dy fituesve, së bashku me “Salillari”, të tenderit për ndërtimin e “Lotit I” të segmentit (Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja) të Unazës së Re në Tiranë, me vlerë 14.5 milionë euro.

Pas një serie të gjatë procedurash, skandalesh, dyshimesh e ankimesh, Komisioni i Prokurorimit Publik vendosi në 28 Tetor 2019 që dy kompanitë do të kryejnë punimet në pjesën e parë të Unazës së kryeqytetit.

Ndërkohë që “Salillari” është një kompani me aktivitet të zgjeruar kombëtar, sidomos gjatë periudhës së Partisë Socialiste në pushtet, “Bajrami N” është një biznes më lokalist.

Ajo është përqëndruar në tenderat e zhvilluar në aksin Elbasan-Librazhd-Peqin. Rreth 90% e tenderave të fituar prej “Bajrami N” janë zhvilluar në këtë zonë, ku Bashkia e Elbasanit, e drejtuar prej vitesh nga Qazim Sejdini, ka qenë “kontributori” kryesor për financat e kompanisë.

“Bajrami N” është krijuar në vitin 2000 dhe drejtohet nga biznesmeni Nafiz Bajrami. “Boldnews.al” kreu verifikimet në portalët informativë të specializuar për transaksionet e buxhetit të shtetit- “spendingdata” për tenderat e institucioneve qëndrore; dhe tek “openprocurment” për procedurat e prokurimit publik të zhvilluar nga institucionet e pushtetit lokal.

Nga të dhënat e përftuara, rezultoi se “Bajrami N”, si operator i vetëm apo në bashkëpunim me kompani të tjera, është shpallur fitues në një numër të konsiderueshëm tenderash, vlera totale e të cilëve arrin në rreth 31 miliardë lekë (të vjetra). Në këtë shifër, nuk është përfshirë shuma që pritet të përfitojë nga tenderi i Unazës së Re në Tiranë.

Fitues i vetëm
Bazuar në të dhënat e portaleve “spendigdata” dhe “openprocurment”, kompania “Bajrami N” rezulton se është shpallur fitues, si konkurrent i vetëm, në tendera, me vlerë totale rreth 20 miliardë lekë (të vjetra).

LEXO EDHE  Lali bojaxhi dhe Lali laci i lagjes

Pjesa më e madhe e tenderave të fituar nga “Bajrami N” është zhvilluar nga Bashkia e Elbasanit dhe, sidomos nga institucionet në varësi të saj.

Fitues me bashkëpunim
Pjesën tjetër të tenderave, “Bajrami N” e ka fituar, në bashkëpunim me kompani të tjera. Në vitin 2016, “Bajrami N” dhe “Fusha” shpk shpallen fitues të tenderit për rehabilitimin e sheshit para Maozoleumit, të zhvilluar nga Bashkia Durrës. Vlera e këtij tenderi ishte 3.3 miliardë lekë (të vjetra).

Në bashkëpunim me “Meteo” shpk, kompania “Bajrami N” është shpallur fitues në 5 tendera të zhvilluar në Librazhd dhe Gramsh, me vlerë totale 2.1 miliardë lekë (të vjetra).

Kompania “Gjikuria” është bashkuar me “Bajrami N” në 4 tendera të zhvilluar në Elbasan, për një total prej 1.8 miliardë lekësh (të vjetra).

Në shifra disi më të ulta, që variojnë nga 80 milionë lekë të vjetra deri në 900 milionë lekë të vjetra, kompania “Bajrami N” shpk është shpallur fitues tenderash, në bashkëpunim me kompani si “Blerimi”, “Boshnjaku”, “Rafin” e të tjerë.

Nga të dhënat e publikuara në Opendata, kompania “Bajrami N” nuk duket se ka pasur sukses të konsiderueshëm në investimet publike të kryeqytetit. Nga viti 2015 e në vijim, kompania nga Elbasani ka arritur të shpallet fitues vetëm në 5 tendera të zhvilluar në Tiranë, me një vlerë totale prej rreth 200 milionë lekë të vjetra.

Pas kësaj “thatësire kryeqytetase”, tashmë “Bajrami N” gjendet në top-listën e kompanive, pasi u shpall një ndër dy fitueset e tenderit të shoqëruar me problematika të mëparshme të Unazës së Re.